Pjesë nga parathënia e librit:
Prej shumë vitesh tanimë, por që ngjan si dje në fakt, kam në shërbim të artit tim një shërbëtore të zellshme, jo dhe aq të re në profesion. Ia thonë emrin Fantazi.
Hera-herës është djallëzore dhe tallëse, i teket të vishet në të zeza; askush nuk ka sesi ta mohojë që shpesh është paksa e çuditshme, e madje gjithnjë bën sipas kokës së vet dhe me seriozitet të plotë. Njërën dorë e mban në xhep dhe me tjetrën rrëmben një kësulë me zilka, të kuqe si një kreshtë, e vë në kokë dhe ia mbath me të katra. Sot këtu, nesër atje. Ama argaliset kur më mbyll në shtëpi, që unë të ulem e të shkruaj tregime, romane dhe komedi për njerëzit më të palumtur të botës – burra, gra, të rinj – të përfshirë në çështje jo fort të zakonta, prej të cilave nuk gjejnë rrugëdalje; të shqetësuar këta njerëz për hallet e tyre, të mashtruar nga vetë shpresat e tyre, dhe me të cilët, me pak fjalë, është shpesh kaq e dhimbshme të përballesh.
Disa vite më parë, shërbëtorja ime, Fantazia, pati frymëzimin keqdashës ose tekën fatkeqe të më rraste në shtëpi një familje të tërë, nuk di të them nga ku dhe si e gjeti, por sipas saj, prej saj unë mund të frymëzohesha për një roman të mrekullueshëm.
U gjenda përballë një burri rreth të pesëdhjetave, me xhaketë të zezë dhe pantallona ngjyrë të çelët, me një çehre të vrenjtur dhe sy inatçorë të zhuritur; një gruaje të ngratë në zi, e cila përdore mbante një vogëlushe katërvjeçare nga njëra anë dhe nga ana tjetër një djalë pak më shumë se dhjetë vjeç; një çupëline të guximshme dhe provokuese, veshur në të zeza edhe ajo, por me një pompozitet të paqartë dhe të pacipë, e gjitha njëfarë indinjate përbuzëse e ngucëse kundrejt burrit të dëshpëruar dhe një djaloshi rreth të njëzetave, i cili qëndronte në distancë dhe i mbyllur në vetvete, sikur të mos honepste asnjë. Pra, bash këta gjashtë personazhe që tani do të shfaqen në skenë, që në fillim të komedisë. Dhe herë njëri e herë tjetri, por edhe shpesh duke kundërshtuar sho-shoqin, nisën të më tregonin fatin e tyre të trishtë, duke më bërtitur secili për arsyet e veta e duke më përplasur në fytyrë marazet, pak a shumë siç do t’i bëjnë tani gjatë komedisë Regjisorit gjynahqar.
Cili autor do të ishte në gjendje të thoshte ndonjëherë se si dhe përse lind një personazh në fantazinë e tij? Misteri i krijimit artistik është po i njëjti mister i lindjes njerëzore.
A mundet një grua, vetëm duke dashuruar, të dëshirojë të bëhet nënë?! Dëshira, sado e fortë të jetë, nuk mjafton. Një ditë të bukur ajo do ta gjejë veten nënë, pa një ide të saktë se kur ndodhi ajo gjë. Kështu edhe një artist, teksa jeton, mbrun brenda vetes kaq shumë fara të jetës dhe nuk mund të thotë kurrë sesi dhe përse, në një çast të caktuar, një nga këto fara jetike hyri në imagjinatën e tij për t’u bërë rrjedhimisht një krijesë e gjallë, e cila e tejkaloi ekzistencën e paqëndrueshme të përditshme, dhe shkoi në një stad përtej saj.

Mund të them vetëm se, pa e ditur se i pata kërkuar, e gjeta veten përballë tyre, qenë aq të gjallë sa mund t’i prekja dhe t’u dëgjoja madje edhe frymëmarrjen, pikërisht atyre gjashtë personazheve që tani mund të shihen në skenë. Ata prisnin atje, secili me brengën e vet të fshehtë dhe të gjithë të bashkuar që në fillesë nga peripeci të ndërsjella, që unë t’i lejoja të hynin në botën e artit, duke kompozuar me karakteret, pasionet dhe fatin e tyre, një dramë ose të paktën një novelë.
Të lindur të gjallë, ata donin të jetonin.
Duhet ta dini se nuk më ka mjaftuar kurrë të prezantoj një figurë burri a gruaje, sado e veçantë dhe karakteristike të jetë, vetëm për hir të prezantimit, apo të rrëfej një histori të veçantë, të gëzueshme apo të trishtuar, vetëm për hir të rrëfimit të saj apo të përshkruaj një peizazh vetëm për hir të përshkrimit.
Ka shkrimtarë (dhe jo pak) që e parapëlqejnë këtë gjë dhe nuk kërkojnë gjë tjetër përveç kësaj. Ata janë shkrimtarë të një natyre më tepër historike.
Por ka të tjerë që, përtej këtij parapëlqimi, ndiejnë një nevojë më të thellë shpirtërore, për të cilën nuk pranojnë figura, ngjarje, peizazhe të cilat nuk janë të mbushura, si të thuash, me një ndjesi të veçantë jetësore dhe nëse nuk nxjerrin prej tyre një vlerë universale. Ata janë shkrimtarë të një natyre më tepër filozofike.
Unë kam fatkeqësinë t’i përkas këtyre të fundit.
Unë e urrej artin simbolik, në të cilin prezantimi humbet çdo lëvizje të natyrshme për t’u bërë mekanik, alegorik; një përpjekje e kotë dhe e keqkuptuar, sepse vetëm fakti i dhënies një kuptimi alegorik një paraqitjeje, tregon qartë se kjo tashmë konsiderohet një fabul që nuk ka asnjë vlerë reale apo fantastike në vetvete, dhe se është bërë për të treguar ndonjë të vërtetë morale. Ajo nevojë shpirtërore për të cilën flas nuk mund të plotësohet, përveçse ndonjëherë dhe për një qëllim ironik më të thellë (siç është për shembull tek Ariosto) të një simbolizmi të tillë alegorik. Dhe kjo nis nga një koncept, i cili bëhet ose përpiqet të bëhet imazh edhe tek vet imazhi, i cili që të mbetet i gjallë dhe i lirë nga vetja në të gjithë shprehjen e tij, kërkon një kuptim që i jep vlerë.
Tani, edhe pse mundohesha, nuk mund ta gjeja këtë kuptim tek ata gjashtë personazhe. Prandaj mendova se nuk ia vlente që ata të jetonin.
Mendoja: “Tashmë i kam munduar kaq shumë lexuesit e mi me qindra e qindra novela: përse duhet t’i mundoj sërish me rrëfimin e historisë së trishtë të këtyre gjashtë të mjerëve?”.
Dhe, duke menduar kështu, i largoja nga vetja. Ose më mirë, bëja çmos për t’i mbajtur larg.
Por një personazh nuk lind kot.
Krijesa të shpirtit tim, ata gjashtë tashmë jetonin një jetë që ishte e tyre dhe jo më e imja, një jetë që nuk kisha më forcë t’ua mohoja.
Ngulmova aq shumë, me gjithë qenien time, për t’i hequr nga mendja, dhe ata thuajse krejtësisht të shkëputur nga çdo mbështetje narrative – personazhe të një romani që dolën për mrekulli nga faqet e librit që i përmbante – vazhduan të jetonin për hesap të vet; në çaste të caktuara të ditës riktheheshin tek unë, në vetminë e studios sime, dhe herë njëri e herë tjetri, o herë dy së bashku, vinin të më tundonin, duke më ofruar këtë apo atë skenë për ta prezantuar apo përshkruar, efektet që mund dilnin, interesin e ri që mund të ngjallte një situatë e caktuar e pazakontë, e kështu me radhë.
Për disa momente arrija t’i mënjanoja, ama kjo përbuzje e imja, kjo lënie mënjanë për pak kohë, u mjaftonte për të nxjerrë diçka të re nga jeta, duke shtuar situata, dhe për rrjedhojë, bëheshin më tepër bindës për mua. Dhe kështu pak nga pak u bë gjithnjë e më e vështirë për mua që të çlirohesha prej tyre, ndërsa për ta ende më e lehtë të më tundonin. Për një çast, u marrosa me të vërtetë. Derisa, krejt papritur, më ra në mendje një rrugëzgjidhje.
Dhe thashë me vete: “Po përse nuk prezantoj diçka të padëgjuar më parë, historinë e një autori që refuzon t’u japë jetë disa prej personazheve të tij, të lindur të gjallë në fantazinë e tij, dhe rastin e këtyre personazheve që, duke e pasur tanimë jetën të rrënjosur në vetvete, nuk heqin dorë nga bota e artit? Ata tashmë janë shkëputur prej meje, jetojnë për hesap të vet, kanë fituar zë dhe aftësi; në këtë luftë që u është dashur të bëjnë me mua për jetën e tyre, ata janë bërë tashmë personazhe dramatikë, personazhe që mund të lëvizin dhe të flasin vet e për më tepër e shohin veten si të tillë; kanë mësuar të mbrohen prej meje dhe po ashtu edhe prej të tjerëve. Kështu që, le t’i lëmë të shkojnë atje ku zakonisht shkojnë personazhet dramatikë për të pasur një jetë: në një skenë. Dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”… Dhe kështu bëra. Dhe erdhi aq natyrshëm ajo që duhej të vinte: diçka mes tragjikes dhe komikes, fantastikes dhe reales, në një situatë humoristike krejtësisht të re dhe jashtëzakonisht komplekse: një dramë që në vetvete – me anë të personazheve të saj, që veprojnë të pavarur dhe që durojnë e vuajnë brenda tyre, dhe që kërkojnë me çdo kusht të gjejnë një mënyrë për t’u përfaqësuar-është komedia e tentativës së kotë të këtij realizimi të beftë skenik. Fillimisht, habia e aktorëve të gjorë të trupës dramatike, të cilët janë duke bërë provat e një komedie në një skenë të pasistemuar, që çuditen dhe hallakaten kur para syve u shfaqen ata gjashtë perso nazhe që shpallin hapur se janë në kërkim të një autori; e menjëherë më pas, për shkak të vilanisë së papritur të Nënës, mbuluar në të zeza, interesimi i tyre shtohet instinktivisht për dramën që shohin tek ajo dhe tek anëtarët e tjerë të asaj familjeje të çuditshme, një dramë e errët, e paqartë, që ia beh kaq papritur në atë skenë të zbrazët dhe të papërgatitur për shfaqje; dhe gradualisht rritja e këtij interesimi për shpërfaqjen e pasioneve të kundërta herë nga Babai, herë nga Thjeshtra, herë nga Biri, e herë nga ajo Nënë e gjorë; pasione që kërkojnë, się thashë, të pushtojnë njëri-tjetrin, me një furi tragjike grishëse. Dhe ja ai kuptimi universal që më kot kërkoja ta gjeja tek ata gjashtë personazhe, të cilët, pasi dalin vet në skenë, arrijnë ta gjejnë brenda tyre, në ngazëllimin e luftës se dëshpëruar që secili bën kundër tjetrit dhe të gjithë kundër Regjisorit dhe aktorëve, të cilët nuk i kuptojnë. Pa dashur dhe pa e ditur, në shpirtin e tyre të trazuar dhe të dërrmuar, secili prej tyre, për t’u mbrojtur prej akuzave të të tjerëve, shprehin si pasionet dhe brengat e veta, ato që për kaq shumë vite kanë qenë mundimet e shpirtit tim: mosvërtetësia e mirëkuptimit të ndërsjellë bazuar në mënyrë të pashpresë në abstraksionin e boshtë të fjalëve; persona liteti i shumëfishtë i secilit sipas të gjitha mundësive të qenies që gjenden te çdokush prej nesh; dhe së fundi konflikti tragjik i përhershëm mes jetës që rrjedh e ndryshon vazhdimisht dhe formës që përpiqet ta ngulisë atë, ta bëj të pandryshueshme. Por ama vetëm dy prej gjashtë persona zheve, flasin për këtë pandryshueshmëri mizore, të pashmangshme të formës, dhe ata janë Babai dhe Thjeshtra, tek e cila të dy shohin të shprehur njëherë e përgjithmonë, në mënyrë të pashmangshme, vet qenien e tyre, që për njërin do të thotë ndëshkim dhe për tjetrën hakmarrje; dhe përpiqen ta mbrojnë atë kundër grimasave fiktive dhe paqëndrueshmërisë së pavetëdijshme të aktorëve dhe mundohen t’ia imponojnë Regjisorit vulgar, i cili do të donte ta
ndryshonte dhe t’ia përshtaste të ashtuqu ajturave nevoja të teatrit. Mesa duket jo të gjashtë personazhet kanë të njëjtin nivel formimi, dhe kjo jo sepse mes tyre ka figura të planit të parë apo të dytë, pra “protagonistë” dhe “hije” – sepse atëherë do të ishte perspektiva elementare, e nevojshme për çdo arkitekturë skenike apo narrative – dhe jo sepse nuk janë të gjithë, për çka nevojiten, të realizuar plotësisht.