Ishte njëherë një gjeneral dhe një prift që kishin dalë për kësmet. Jo, nuk kishin dalë për kësmet. Ata kishin dalë për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të tyre të vrarë në një luftë të madhe. Ec e ec, kapërcyen shumë male e shumë fusha, duke kërkuar e duke mbledhur këto eshtra. Vendi qe i ashpër e i keq. Frynin erëra e binin shira pa pushim. Por ata nuk u kthyen nga udha dhe ikën më tutje. Mblodhën sa mblodhën dhe u kthyen të numëronin ato që kishin mbledhur. Doli se mungonin akoma shumë eshtra. Atëherë mbathën çizmet e veshën mushamatë dhe u nisën prapë për udhë. Ec e ec, kapërcyen shumë male e shumë fusha. Moti qe i egër e i keq. U lodhën e u këputën e u plasi shpirtin kjo punë. As era, as shiu nuk u tregonin ku gjendeshin ushtarët që kërkonin. Mblodhën sa mblodhën dhe u kthyen prapë të numëronin ato që kishin mbledhur. I numëruan dhe doli që kishin mbetur pa u gjetur akoma shumë ushtarë. Atëherë, të lodhur e të rraskapitur, u nisën prapë për udhë të madhe. Ec e ec e s’ka të sosur. Ishte dimër, binte borë.
– Po ariu?
Atëherë u doli përpara ariu.
Zakonisht, përralla që gjenerali e përsëriste me ve te pothuaj çdo mbrëmje dhe që mendonte t’ja tregonte, porsa të kthehej në shtëpi, njërës prej mbesave të tij, mbaronte me pyetjen e saj «po ariu». Mbesa e vogël e bënte shpesh këtë pyetje kur dëgjonte përralla.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është romani i parë i botuar shkrimtarit Ismail Kadare. Vepra u botua së pari si një tregim në revistën letrare artistike Nëntori në vitin 1962. Kadare u inkurajua nga Drago Siliqi, kritik dhe redaktor letrar, për ta përpunuar tregimin në roman. Një vit më pas, në 1963 libri u botua si roman në shtypshkronjën “Naim Frashëri”. Vepra është botuar në 35 gjuhë të botës u vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Libri është përshtatur në zhanre të tjera të artit, si filmi dramatik “Il Generale dell’armata morta” i regjizorit italian Luciano Tovolit më 1983 dhe filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Dhimitër Anagnostit më 1989.