Prej kohësh paskemi jetuar dhe, me sa duket, jetokemi akoma nën peshën e një regjimi viktorian. Namuzi perandorak, na thonë, paskësh hedhur vellon e heshtur dhe hipokrite mbi fushën e seksualitetit.
Deri në fillim të shekullit XVII lejohej akoma një çikë çiltërsi e pacipë, të paktën. Gjestet dhe praktikat nuk kushtëzoheshin medoemos nga sekreti, fjalët thuheshin pa shumë ngurrim dhe gjërat pa i rënë shumë rrotull; e palejueshmja shkrihej disi brenda familjaritetit tolerant. Kodet e paturpësisë, të lapërdhisë, të pahijeshisë ishin goxha të shkrehura, po t’i krahasojmë me ato të shekullit XIX. Gjestet ishin pa drojë, gjuhët troç, shkeljet të hapura; anatomitë të zhveshura, ndërsa lakuriqësitë përziheshin, fëmijët liheshin pa teklif, duke mos provokuar bezdi dhe skandal, por vetëm të qeshurat e të rriturve: trupat “ngrefeshin të krekosur”. Dhe ja ku, pas mesditës së çelur, paskësh pllakosur muzgu, deri në netët monotone të borgjezisë viktoriane. Seksualiteti mbulohet me kujdes. Mbyllet në shtëpi, i tëri nën kthetrat e familjes borgjeze, e cila e thith kryekëput brenda funksioneve të rrepta të riprodhimit. Rreth seksit s’ka më fjalë, gjuha hesht. Çifti dhe pjelloria zyrtare bëjnë ligjin. Çifti, tashmë, përbën model, cakton normën, mishëron të vërtetën, ruan të drejtën e fjalës gjithë duke vendosur parimet e sekretit. Në gjithë hapësirën shoqërore, si dhe në gjirin e çdo shtëpie, një vend i vetëm i njihet seksualitetit, por në emër të dobisë dhe të pjellorisë: dhoma e prindërve. Çdo formë tjetër duhet të zbutet, të reshtë; hijeshia e sjelljes anashkalon trupat, dinjiteti i fjalës zbardh ligjërimet. Nëse sterili bën qëndresë e del ca si shumë në pah, ja tek behet anormal: duke marrë statusin, do të paguajë dhe sanksionet.
Jashtë rendit që dikton shumimin e breznive, tej hijes së tij, s’ka më as ligj as fat. As gjuhë s’ka më. Seksi përndiqet, shtypet, detyrohet të heshtë. Jo vetëm që nuk ekziston, por edhe nuk duhet të ekzistojë dhe, si i tillë, duhet zhdukur deri në gjurmët më të vogla – qofshin akte apo fjalë. Dihet, për shembull, se fëmijët nuk kanë seks: prandaj dhe u duhet ndaluar, prandaj nuk duhen lënë ta flasin e të dëgjojnë për të, prandaj duhen mbyllur sytë e duhen dyllosur veshët kudo ku mund të shfaqen gjurmë të pranisë së tij, prandaj duhet imponuar një heshtje e rreptë dhe e përgjithshme Ky tipar i shtypjes e dallon atë nga ndalimi i thjeshtë që vendos ligji penal: mbarëvajtja e saj kërkon, natyrisht, zhdukjen, por njëkohësisht urdhëron heshtjen, pohon mosekzistencën dhe shpall, rrjedhimisht, se s’ka asgjë për të thënë, as për të parë, as për të ditur. E tillë marshoka hipokrizia e shoqërive tona borgjeze dhe logjika e saj e çalë. E detyruar të bëjë lëshime, gjithsesi. Nëse seksualitetet e paligjshme s’mund të shmangen plotësisht, mirë është ta bëjnë rrëmujën e tyre gjetiu: aty ku, pa i futur dot në qarkun e prodhimtarisë, mund të hyjnë, të paktën, në atë të fitimit. Shtëpitë e qejfit dhe strehat shëndetësore do të bëhen hapësirat e kësaj tolerance: prostituta, klienti dhe kodoshi, nga njëra anë, psikiatri dhe histerikët, nga ana tjetër – këta “viktorianë të një lloji tjetër” do të thoshte Stephen Marcus – duket se e kanë konvertuar tinëz realitetin e kënaqësisë, nga turpi pa fjalë në rendin e gjërave me vlerë. Të lejuara me gjysmë goje, fjalët dhe gjestet këmbehen me para në dorë. Vetëm aty seksi i shpenguar kishte të drejtë te çlirohej disi, por i rrethshkruar ngushtë ama, gëzonte të drejte e një ligjërimi klandestin, të kufizuar, të koduar. Kudo gjetke puritanizmi sundonte me dekretin e trefishtë që shpallte ndalım mosekzistencën dhe heshtjen. Por, a kemi shpëtuar vallë nga këta dy shekuj të gjatë ku historia e seksualitetit na u shfaqkërka para së gjithasha si kronika e trishtë e një shtypjeje gjithnjë në rritje? Pak, mezi pak, vazhdojnë te thonë. Falë Freud-it disi, ndoshta. Por me sa dorashka, me sa kujdes dhe me sa masa e përkujdesje që të shmanget çdo “vërshim”, që mjekësor, me sa garanci shkencore për mungesën e çdo rreziku, çdo gjë të mbetet brenda një hapësire të sigurt dhe të mbyllur, diku mes ligjërimit dhe divanit: prapë një pëshpëritje dhe një shtrat fitimprurës. Dhe, në fakt, si mund të ndodhte ndryshe? Shpjeguesit na shpjegojnë se, përderisa qysh nga epoka klasike shtypja ka qenë forma themelore e lidhjes mes pushtetit, dijes dhe seksualitetit, dalja çliruese nga kjo traditë nuk është e lehtë, përkundrazi: nevojiten jo më pak se një shkelje e përgjithshme e ligjeve, kapërcimi shfuqizues i ndalimeve, shpërthimi i fjalës së lirë dhe derdhja e kënaqësisë në gjirin e realitetit, vendosja e një ekonomie tjetër mes mekanizmave të pushtetit. Edhe shpallja më e vogël e së vërtetës është e kushtëzuar politikisht. S’kemi si të presim, pra, që efekte të tilla të vijnë nga një praktikë e thjeshtë mjekësore apo nga ndonjë përpunim tjetër teorik, sado rigoroz qoftë. Dhe ja tek nënvizohen konformizmi i Freud-it, roli normalizues i psikanalizës, ndrojtja moraliste nën idetë e rrëmbyera të Wilhelm Reich-ut, dhe gjithë efektet përthithëse, pasojat integruese që siguron “shkenca” e re e seksit, apo praktikat, gjoja përmbysëse, të seksologjisë.
Një ligjërim i tillë mbi shtypjen moderne të seksualitetit mbahet goxha mirë. Ngaqë është i lehtë për t’u mbajtur, pa dyshim; ngaqë e mbron një garanci historike dhe politike jo e vogël, e cila i jep prestigjin e duhur: duke e identifikuar lindjen e epokës shtypëse në shekullin XVII, pas qindvjeçarëve të lirisë së shprehjes dhe çiltërsisë natyrore, shfaqja e saj përputhet, kështu, me zhvillimin e kapitalizmit. Rendi shtypës përkon me rendin borgjez. Kronika e vogël e seksit dhe e pengesave arbitrare ndaj tij bëhet pjesë e historisë ceremoniale të mënyrave të prodhimit; problematika bëhet e thellë. Njëkohësisht, një shpjegim i përgjithshëm nis të përvijohet: nëse seksi ka qenë shtypur me aq shumë zell, kjo vjen nga mospërputhja e tij e thellë me procesin e vënies së përgjithshme të shoqërisë në punë. Në një kohë që kërkon shfrytëzimin e përgjithshëm të fuqisë punëtore, si mund të lejohej shpenzimi i saj he zdërhalljet e kënaqësive, përveç aty ku, i kufizuar në minimum, shpenzimi nevojitet për të mundësuar riprodhimin. Nëse vetë seksi dhe efektet e tij nuk deshifrohen ndoshta lehtë, analiza e shtypjes, në të kundërt, thjeshtohet nga ky kontekst i ri.