Lexojmë: “Jo-vendet” nga Marc Auge

EPILOG

Kur një fluturim ndërkombëtar kalon në Arabinë Saudite, stjuardesa njofton se do të ndalohet shërbimi i pijeve alkoolike gjatë fluturimit mbi të. Kjo shënjon ndërhyrjen e territorit në hapësirë. Tokë = shoqëri = komb = kulturë = fe: ekuacioni i vendit antropologjik, i cili shkruhet fluturimthi mbi hapësirë. Rikthimi pas ndonjë ore në jo- vendin e hapësirës, duke u çliruar prej shtrëngesës totalitare të vendit, ka për të qenë kështu thuajse si rikthim në liri.

Pak vite më parë, romancieri i talentuar britanik, David Lodge botoi një version modern të kërkimit për Graalin e Shenjtë, roman i vendosur me mjaft humor në botën kozmopolite, ndërkombëtare e të ngushtë të kërkimit akademik, gjuhësor dhe semiologjik.” Në këtë rast, humori është sociologjik: bota akademike që paraqitet përbëhet veç prej ‘rrjetesh’ shoqërore që shtrihen anembanë planetit, duke u ofruar një morie individësh, mundësinë për të bërë udhëtime të përveçme, por megjithatë të ngjashme. Fundja, kalorësia endacake nuk ishte dhe aq e ndryshme dhe, në realitetin e sotëm sikurse në mitet e djeshme, endjet individuale bartin ende pritshmëri, në mos shpresë.
*
Etnologjisë i është dashur përherë të merret me së paku dy hapësira: atë të vendit që studion (fshati, fabrika), dhe atë më të gjerë brenda së cilës gjendet vendi, pra burimi i ndikimeve dhe pengesave që kanë efekt në lojën e brendshme të marrëdhënieve lokale (fisi, mbretëria, shteti). Kësisoj, etnologu është i dënuar të ketë strabizëm metodologjik: ai nuk duhet të humbasë sysh as vendin e vrojtimit të tij, dhe as kufijtë përkatës të rrethinave të këtij të fundit.

Në situatën supermoderne, një pjesë të kësaj rrethine e përbëjnë jo-vendet, dhe një pjesë të jo-vendeve e përbëjnë imazhet. Frekuentimi i sotëm i jo-vendeve na krijon një përvojë – pa ndonjë premisë të mirëfilltë historike – të individualitetit vetmitar që kombinohet me ndërmjetësimin jonjerëzor (mjafton një njoftim apo një ekran) mes individit dhe autoritetit publik.

Kësisoj, etnologu i shoqërive bashkëkohore zbulon praninë individuale në universin e përreth, të cilit tradicionalisht i ka atribuuar tipare përcaktuese që u jepnin domethënie konfigurimeve apo aksidenteve të veçanta.
*
Do të ishte gabim po shihnim këtë lojë imazhesh veç si iluzion (formë ose trajtë postmoderne të tëhuajzimit). Realiteti i fenomenit nuk është kuptuar kurrë në mënyrë shteruese nëpërmjet analizës së tipareve të tij përcaktuese. Më domethënëse në përvojën e jo-vendit është forca e tij joshëse, e cila është në përpjestim të zhdrejtë me joshjen territoriale, rëndesën e vendit dhe të traditës. Kjo kuptohet qartazi e në mënyra të ndryshme gjatë mësymjeve drejt autostradave për fundjavë a pushime, vështirësisë së kontrollorëve ajrorë me trafikun e shtuar ajror, si dhe suksesit të formave më të reja të shpërndarjes tregtare. Por ajo del gjithashtu qartë, në disa fenomene të tjera, të cilat fillimisht mund t’u mvishen dëshirës për të mbrojtur vlerat territoriale apo për të rifituar identitete të trashëguara. Ndoshta arsyeja pse imigrantët shndërrohen në problem për vendasit (shpesh në mënyrë kaq abstrakte) është se nxjerrin në pah relativitetin e sigurive të shkruara mbi truall: tipari më shqetësues e grishës i karakterit të imigrantit është emigranti. Gjendja e Europës bashkëkohore, sigurisht që na detyron të rimarrim në konsideratë ‘rikthimin’ e nacionalizmave. Megjithatë, ndoshta duhet t’u kushtojmë më shumë vëmendje atyre aspekteve të këtij ‘rikthimi’ që shprehin refuzimin e rendit kolektiv: sigurisht që modeli identitar kombëtar është gjithmonë i gatshëm ta trajtësojë këtë refuzim, por mbetet imazhi individual (imazhi i itinerarit të lirë individual) që gjallëron dhe i jep kuptim modelit sot, ashtu siç dhe mund ta dobësojë nesër.
*
Në një formë apo në një tjetër, e cila mund të jetë mjerimi i kampeve të refugjatëve apo luksi i hoteleve me pesë yje, një përjetim i jo-vendit (i pandashëm prej perceptimit pak a shumë të qartë të përshpejtimit të historisë dhe të tkurrjes së planetit) përbën sot një komponent thelbësor të mbarë ekzistencës shoqërore. Prej nga dhe karakteri tejet i veçantë, dhe së fundi paradoksal i asaj çka nganjëherë konsiderohet në Perëndim si moda e ‘mbështjelljes’, pra ndrdhyjes në vete: kurrë më parë nuk kanë qenë kaq të ngërthyera historitë individuale (për arsye të marrëdhënies së tyre të domosdoshme me hapësirën, imazhin e konsumin) me historinë e përgjithshme, pra historinë tout court. Në këtë situatë, mund të ndodhë çfarëdolloj sjelljeje individuale: arratia (për në shtëpi a gjetiu) e frika (nga vetja apo të tjerët), por gjithashtu dhe intensiteti i përjetimit (performancës) a ngritja krye (ndaj vlerave të rrënjosura). Analiza shoqërore nuk mund t’i shpërfillë më individët, dhe as analiza e individëve nuk mund t’i anashkalojë më hapësirat përmes së cilave kalojnë tranzit.
*
Ndoshta dikur ka për t’u zbuluar ndonjë shenjë jete inteligjente në një botë tjetër. Atë ditë, e gjithë hapësira tokësore ka për t’u shndërruar në një vend të vetëm përmes efektit të solidaritetit, mekanizmat e të cilit janë studiuar prej etnologut, në shkallë më të vogël. Të qenit prej Tokës ka për të pasur domethënie. Ndërkaq, nuk është aspak e sigurt se rreziku që i kanoset mjedisit, mjafton për të prodhuar të njëjtin efekt. Bashkësia e fateve njerëzore përjetohet në anonimatin e jo-vendit dhe në vetmi.
*
Ndaj, së shpejti ka për t’u krijuar nevoja – e cila me gjasë ekziston qysh tani – për diçka që mund të ngjajë si kontradiktore në terma: për një etnologji të vetmisë.

Shqipëroi:Ledi Shamku-Shkreli
Shtëpia botuese: Berk
Viti: 2023
Fq: 124

Almanart