Lexojmë: “Lolita” nga Vladimir Nabokov

Anabela ishte, ashtu si unë, me prindër të përzier: gjysmë anglezë, gjysmë holandezë, në rastin e saj. Mbaj mend tiparet e saj tepër më qartë sot sesa disa vjet më parë, përpara se të njihja Lolitën. Ka dy lloj kujtesash vizuale: njëra kur ti krijon mjeshtërisht një imazh në laboratorin e mendjes tënde, me sytë hapur (dhe atëherë unë e shoh Anabelën në terma të tillë të përgjithshëm si: “lëkurë ngjyrë mjalti”, “krahë të hajthëm”, “flokë të shkurtër të kaftë”, “qerpikë-gjatë”, “gojë të madhe, të bukur”); dhe tjetra kur ti ngjall në çast objektivin, me sytë mbyllur, në errësirën e brendshme të qepallave, një përsëritje absolute optike të fytyrës së dashur, pakëz fantazmë me ngjyra natyrale (dhe kjo është si e shoh unë Lolitën).

Më lini megjithatë së pari ta kufizoj veten në përshkrimin e Anabelës duke thënë se ajo ishte një fëmijë e këndshme disa muaj më e vogël se unë. Prindrit e saj qenë miq të tetos sime dhe po aq mendjengushtë sa ajo. Ata kishin marrë me qira një vilë jo larg nga hotel “Mirana”. Tullaci, i zeshkëti dhe i ngjalluri zoti Li, e pudrosura zonja Li (lindur Vanesa van Nes). Sa i kisha zët ata! Në krye, Anabela dhe unë flisnim për gjëra anësore. Ajo ngrinte pa prerë grushte rëre të imët dhe e linte atë të derdhej midis gishtave të vet. Mendjet tona qenë kthyer në atë mënyrë siç qenë para-adoleshentët inteligjentë evropianë në kohët tona dhe nuk ma do mendja se gjeniu individual mund të jepte më shumë në interesin tonë ndaj shumicës së botëve të pabanuara, tenisit konkurrues, pafundësisë, *solipcizmit e kështu me radhë. Butësia e dobësia e kafshëve foshnja na shkaktonte ne të njëjtën dhëmbje të fuqishme. Ajo donte të bëhej një infermiere në ca vende aziatike që vuanin nga uria; unë doja të bëhesha një spiun i famshëm.

*Solípcizmi – teori filozofike sipas së cilës vetëm vetja është ajo që ekziston dhe gjithëshka që na rrethon, është prodhim i saj. Kjo teori ka një vend qendror tek Lolita.

Almanart