Search
Close this search box.

Lexojmë: “Mbi dhunën” nga Hannah Arendt

…Në fund të fundit është krejt e natyrshme që brezit të ri i duhet të jetojë me një vetëdije më të lartë për mundësinë e shfarosjes së botës sesa ata që tashmë “i kanë kapërcyer të tridhjetat”, kjo jo vetëm pse janë më të rinj, por sepse kjo ishte eksperienca e tyre e parë e rëndësishme në jetë. Ato që ne quajmë “probleme” janë bërë mishi dhe gjaku i të rinjtë tanë. Nëse i bëni dy pyetje të thjeshta një të riu që i përket këtij brezi se: “Si do të dëshironit ta shihnit botën pas pesëdhjetë vjetësh”? dhe “Ç’rrjedhë do të dëshironit të merrte jeta juaj pas pesë vjetësh”? përgjigjet në të shumtën e rasteve fillojnë me “Nëse bota nuk do të jetë shuar”, dhe “Nëse do të jem ende gjallë”. Pra, për t’iu afruar edhe fjalëve të George Wald, “ata që kemi përballë janë një brez i cili nuk ka as sigurinë më të vogël që ka një të ardhme”. Sepse e ardhmja, duke cituar tani Spender-in, është “si një minë me sahat e groposur s’dihet se ku, por që tik-takun ia dëgjojmë mirë që tani”. Pyetjes, të cilën e kemi dëgjuar shumë shpesh, se: “Cilët janë ata që i përkasin këtij brezi”?, të vjen t’i përgjigjesh: “Ata të cilët dëgjojnë tik-takun”. Ndërsa pyetjes tjetër se: “Cilët janë ata që e shpërfillin këtë tik-tak në mënyrën më absolute”?, përgjigjja mund të ishte fare mirë: “Ata që nuk e dinë, apo refuzojnë përballjen me të vërtetën”.
Rebelimi studentor është një fenomen global, por manifestimi i tij ndryshon natyrisht nga vendi në vend, shpeshherë nga universiteti në universitet. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për ushtrimin e dhunës. Dhuna ka mbetur kryesisht pronë e teorisë dhe e retorikës të paktën për sa kohë përplasja mes brezave nuk përkon me përplasjen e interesave konkrete të grupeve të ndryshme…

Shqipëroi: Nolian Seitaj
Botues: Pika pa sipërfaqe
Viti: 2015
Fq: 128

Almanart