Mish dhe qiell
O dashuri amërore,
sfilitëse, me arturinat
nga e fshehta e barqeve.
Dhe sjellje të ëmbla
të pandërgjegjshme për aromën
e paturp që qesh
në gjymyrët e dëlira.
Përshkënditje të rënda
flokësh … shpërfillje
mizore vështrimesh…
përkujdesje të pabesa
I flashkur nga vaje
fort të ëmbla kthehem te ri
me mishrat përvëlim
buzëqeshjesh shkëlqimtare
E çmendem në zemër
të natës festive
pas mijëra netësh të tjera
për këtë zjarr palavi.
Dita e vdekjes sime
Në një qytet, Trieste a Udine,
në një rrugicë blirësh,
kur pranverës gjethet
ndërrojnë ngjyrë,
pikëgjallë do bie
nën diellin përvëlues,
të praruar e t’lartë,
qepallat do t’mbyll
e qiellin në shkëlqimin e tij
do ta lë…
Unë do të jem ende i ri,
me një këmishë të çelët
dhe flokët e butë tek derdhen
mbi pluhurin e hidhur.
Ende i ngrohtë do të jem,
dhe një vocërrak do të jem,
e vakët të rruginës,
do t’më vërë dorën
mbi prehrin e kristaltë.
Mbi librin:
Shtëpia botuese: Pegi
Përkthyer nga: Aida Baro dhe Edon Qesari
Viti i publikimit: 2019
Numri i Faqeve: 116
Mbi autorin:
Pier Paolo Pasolini, (1922 – 1975) ishte një regjisor filmash, poet dhe shkrimtar i njohur për filmat e tij me kritikë shoqërore dhe joordodoksë. Pasolini lindi në Bolonja dhe vdiq në Ostia, pranë Romës.
Ai ishte i biri i një oficeri të ushtrisë dhe u arsimua në qytete të ndryshme të Italisë së veriut në varësi të bazave ushtarake ku shërbente i ati. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Bolonjës ku studioi histori arti dhe letërsi.
Jeta e tij në varfëri në Romë në vitet 1950 furnizoi me material dy romanet e tij të parë, Djemtë më 1955 dhe Jetë e dhunshme, 1959. Këto përshkrime realiste dhe brutale të varfërisë dhe mjerimit në lagjet e varfra të Romës ishin të ngjashëm në karakter me filmin e tij të parë, Accattone (1961). Të trija veprat trajtonin jetët e hajdutëve, prostitutave dhe të tjerë të ngjashëm.
Filmi më i mirënjohur i Pasolonit, Il Vangelo secondo Matteo (1964; Ungjilli Sipas Mateut) , një ritregim i kursyer në stil dokumentar i jetës dhe martirizimit të Jezu Krishtit. Alegoria komike Uccellaçi e Uccellini (1966; Skifterë dhe Harabelë) u pasua nga dy filma që u përpoqën të rikrijojnë mitet e lashta nga një këndvështrim bashkëkohor Oedipus Rex (1967) dhe Medea (1969). Përdorimi nga Pasolini i erotizmit, dhunës dhe vuajtjeve si mjete për spekulimet e tij politike dhe fetare në filma të tillë si Teorema (1968) dhe Porcile (1969; “Prej Derrkuci”) e vunë atë në konflikt me elementët konservatorë të Kishës Katolike Romane. Më pas ai hyri në erotizmin mesjetar me Il Decamerone (Dekameroni 1071) dhe Rrëfenjat e Katenburit (1972).
Më 1942 del libri i tij i parë “Poezi në Kazarsa”. Veprimtaria e tij poetike përbën një ecuri konstante dhe do të çojë në botimin e disa prej teksteve më të rëndësishme të letërsisë italiane të viteve nëntëqind: “Ajka e rinisë” (1954), “Eshtrat e Gramshit” (1957),“Religjioni i kohës sime” (1961), “Poezia në formë trëndafili” (1964), etj. Në vitin 1955 shfaqet në fushën e prozës me “Djem jete”. Në vijim do të shkruajë edhe romane të tjera, si “Jetë e dhunshme” (1959), “Nafta” (botim postum i vitit 1992). Më 1960-1961 ndodh kalimi i tij në regjisurë, nëpërmjet filmit me metrazh të gjatë “Lypsari”. Në vitin 1973 nis bashkëpunimin me gazetën “Corriere della sera”. Përmes një sërë artikujsh të përmbledhur “Shkrime korsare” (1975) dhe “Letra luterane” (botim postum i vitit 1976) – shkrimtari përballet me probleme shumë therëse të Italisë bashkëkohore. Natën mes 1 dhe 2 nëntorit të vitit 1975, Pasolini vritet në Hidroportin e Ostias, pranë Romës.