Vjen një ditë kur të gjithë kuptojmë se duhet të çlirohemi nga magjia e fjalëve. Se duhet të ndalojmë së magjepsuri nga fjalët mahnitëse që aktivizojnë magjinë e ndjenjave sublime dhe mendimeve jashtë kornizave. Vjen një ditë kur kuptojmë se duhet të mësojmë të flasim, të dëgjojmë, të mendojmë, sic kemi mësuar mënyrën tonë unike të ecjes, të ngrënies, të jashtëqitjes. Vjen një ditë për të gjithë ne. Herët apo vonë. Një ditë kur ndjenjat, mendimet dhe fjalët tona fillojnë të bëhen përnjëmend tonat… Është për t’u habitur që kur fillojmë të flasim si vetja, ka shumë prej atyre që nuk gjejnë logjikë e themel në ato që themi; që thonë se këto fjalë janë të çuditshme dhe të pakuptueshme. Ka edhe asi mjeranësh që pandehin se çnderohen nëse nuk u flitet sipas kallëpeve që janë mësuar. Thua se duhet t’u ndodhin gjëra vdekjeprurëse që të zgjohen…
Shkrimtari, megjithatë, për shkak të rolit të tij, duhet t’i bazojë fjalët në kallëpe të përbashkëta, si dhe të krijojë gjuhën e vet. Në çastin që fillon të shkruajë, ai bëhet krijues kallëpesh. A ka të bëjë ustallëku i tij, finesa e tij akrobatike, me shndërrimin e këtyre dy telave të hollë në një tel pak më të trashë, mbi të cilin të mund të ecë? E di që kur them shkrimtari, flas për diçka tejet të paqartë. Ajo që mendoj, është një lloj i caktuar shkrimtari dhe të shkruari. Çdo fjalë mund të fryhet lehtësisht. Kurrkush nuk ka mundur ende ta zgjidhë misterin e të folurit të drejtpërdrejtë e të thjeshtë. Por “nata”, edhe pa u fryrë, mund të kish qenë një fjalë me ndikim. Një fjalë që e shungullon kafshën brenda nesh…
Libri: Nata
Autori: Bilge Karasu
Përktheu: Esmerina Zalli
Shtëpia botuese: Berk
Viti i publikimit: 2023