…sikur e kthen vozitjen në xhirim të ngadalësuar, kurse biseda nis si ankesë për pamundësinë e jetesës në këtë vend, ku, sipas tyre, hajnia është zotësi, , krimi trimëri dhe çdopunë e ndytë shihet si virtyt. Po ndoshta Kosova si ferr i nevojitet Evropës.
Kështu, nga lufta kalohet te paqja. Mandej nga paqja te lufta. Më shumë se bisedë, ajo më duket intervistë, ku pasagjeri para pyet, shoferi përgjigjet, ndërsa unë herë dëgjoj, herë kujtoj luftën.
Jam 16 vjeç. Qyteti është mbushur me tanke, autoblinda dhe ushtarë. Dëgjohen të shtëna automatikësh dhe minahedhësish. Nëna flet në telefon. Nuk kemi qysh me ikë, krejt Kosovën e kanë rrethu’, i përgjigjet zërit insistues të babës. Paramendoj babën në anën tjetër të telefonit, në atë mëngjes në një kabinë telefonike skaj rrugës, me biçikletën mbështetur për kabine, sesi e mbyll telefonin, del prej kabine, shikon nëqiell dhe lutet. Kushedi. I sheh disa re lart. I hyp biçikletës dhe vazhdon ta kryejë punën e tij të përditshme, një punë të lehtë që e ka gjeturpasi ka dalë nga spitali, pas një operacioni: shpërndarjen e gazetave. Këmbët e sjellin pedalet, kurse duart e tij hedhin gazetat duke goditur me forcë dyer e dritare të shtëpive gjermane, që të zgjohen, të reagojnë, ta shpëtojnë familjen e tij, ta shpëtojnë Kosovën. Rrotat sillen, gazetat hidhen, gjermanët me pizhame dalin të trembur se mos i sulmoi kush dhe nuk e kuptojnë se çka po ndodh me këtë gastarbajter që nget biçikletën dhe bërtet si i çmendur: Kriegim Kosovo! Krieg im Kosovo! Krieg im Kosovo! Rettet meine Kinder! Rettet meine Kinder!
Mbi librin
Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
Nëse dëshironi të blini librin në formatin online, mund ta aksesoni më poshtë: