Lexojmë: “Njeriu Ekzistencial” nga William Barrett

KAPITULLI I PARË

SHFAQJA E EKZISTENCIALIZMIT

Në një nga shkrimet e tij, Kierkegaard-i na tregon historinë e një njeriu aq të hutuar dhe të përhumbur nga jeta, sa mezi arrin të kuptojë që është gjallë, derisa një ditë të bukur zgjohet dhe kupton se ka vdekur. Ky tregim merr rëndësi të veçantë sot kur qytetërimi ynë zotëron armë të tilla me të cilat lehtësisht mund t’i shkaktojë vetes të njëjtin fat që pësoi personazhi i Kierkegaard-it: nesër fare mirë mund të gdhihemi të vdekur – pa arritur kurrë të cekim thelbin e ekzistencës sonë. Në botën tonë sot ngado mbizotëron ankthi dhe paniku, si pasojë e rrezikut që shfaq epoka bërthamore; por publiku shpirtërisht, rrallë ose ndoshta kurrë nuk arrin në thelbin e çështjes. Asnjëherë nuk e pyesim veten se cilat janë ato ide themelore të fshehura nën qytetërimin tonë e që na kanë sjellë kaq pranë këtij rreziku; nuk përpiqemi të zbulojmë aspektin njerëzor që fshihet pas këtij arsenali marramendës që ka farkëtuar dora e njeriut; me pak fjalë, nuk guxojmë të bëhemi filozofikë. Sado që shqetësohemi nga epoka atomike, kur vjen puna për të bërë pyetjet kritike mbi vetë ekzistencën, mbetemi të shtangur si ai njeriu i tregimit të Kierkegaard-it. Një nga arsyet përse ndodh kësisoj vjen si pasojë e pozicionit çuditërisht periferik që shoqëria moderne i jep filozofisë, gjë që vetë filozofët e pranojnë me kënaqësi.

Nëse filozofët vërtet do të merren me problemin e ekzistencës njerëzore – dhe ketë detyrë nuk ka gjasa ta marrë përsipër ndonjë grup tjetër specialistësh – ata fare mirë mund pyesin fillimisht: Si ekziston vetë filozofia sot? Apo me konkretisht: si ekzistojnë vetë filozofët në botën moderne? Kjo pyetje nuk synon diçka metafizike apo abstrakte, dhe përgjigjia jonë është po aq konkrete paraprakisht. Filozofët sot ekzistojnë nëpër akademi, në fakultetet e filozofisë brenda universiteteve, si mësues profesionistë të një lënde pak a shumë teorike të quajtur filozofi. Kjo e vërtetë e thjeshtë, e thënë disi në mënyrë faktike dhe pothuajse statistike, nuk ngjan se na shtie shumë thellë në çështjen e turbullt të ekzistencës; dhe çdo përpjekje për të kuptuar duhet të fillojë nga situata aktuale, nga pika ku ndodhemi. “Njih veten!” – u thotë Sokrati gjithë filozofëve të parë (ose atyre më pranë zanafillës) të filozofisë perëndimore; dhe filozofët bashkëkohorë mund ta nisin udhëtimin drejt njohjes së vetes duke bërë kompromis me faktin disi të shëmtuar dhe çfrymëzues të statusit shoqëror që mbart filozofia si profesion. Megjithatë, ky realitet shfaq disa paqartësi interesante. Me profesu, me përkufizim prej fjalori, do të thotë të rrëfesh apo të deklarosh hapur, pra publikisht; domethënë t’i bësh botës të njohur një thirrje. Në thelb, kjo fjalë mbart ngjyrim fetar, e njëjtë me rastet kur flasim për shprehjen e një besimi. Por në shoqërinë e sotme, me nënndarjet e shumta të funksioneve njerëzore, profesioni është një detyrë e specializuar shoqërore – që kërkon përvojë e njohuri – që shumëkush e bën për pagese është jetesë, mënyrë të jetuari. Njerëzit me profesion jane avokatë, mjekë, dentistë, inxhinierë – por edhe profesore filozofie. Profesioni i filozofit në botën moderne ështe të jetë profesor filozofie; dhe ajo sferë e qenies që jeton qoshe e tij brenda universitetit. filozofi si individ i gjallë, nuk është asgjë më shumë sa Nuk është thënë sa duhet rreth ekzistencës akademike të filozofit, paçka se disa ekzistencialistë bashkëkohorë kanë bërë disa komente analitike. Haraçi që dikush paguan për të pasur një profesion, është një déformation professionelle, siç thonë francezët. Mjekët dhe inxhinierët priren t’i shikojnë gjërat nga pikëpamja e specialitetit të tyre dhe shpesh nuk arrijnë të shquajnë asgjë që bie jashtë kësaj sfere specifike. Sa më i specializuar të jetë një vizion, aq më i theksuar bëhet fokusi i tij; por edhe aq më i turbullt bëhet shikimi mbi çdo gjë që mbetet në periferi të këtij fokusi. Si qenie njerëzore që vepron profesionalisht brenda akademisë, s’kemi pse presim që filozofi t’i shpëtojë deformimit profesional, veçanërisht sot që është bërë ligj i shoqërisë moderne që njeriu të tretet gjithnjë e më shumë me funksionin e vet shoqëror. Dhe pikërisht këtu përqëndrohet ambiguiteti i thellë dhe problematik për filozofinë sot. Profesioni i filozofisë nuk ka pasur gjithmonë këtë kuptim të ngushtë dhe të specializuar që ka sot. Në Greqinë e lashtë kishte kuptim absolutisht të kundërt: në vend të një disipline teorike të specializuar, filozofia ishte një mënyrë konkrete të jetuari, vizion i plotë i njeriut dhe kozmosit, nën imazhin e të cilit jetohej e gjithë jeta e individit. Filozofët e parë grekë ishin parashikues, poetë, pothuaj shamanë – por ishin sigurisht edhe mendimtarët e parë. Mendimin e tyre e përshkuan elementët mitologjikë dhe intuitivë, ndaj tek grekët dallohen përpjekjet e para historike drejt konceptualizmit; përdorimi i perëndive të lashta i dha njëherazi domethënie të re simbolikës së tyre, ndaj në shkrimet e filozofëve para Sokratit gjen kudo shenja të një mesazhi madhështor që po i bëhej i ditur pjesës tjetër të njerëzimit. 

Almanart