Lexojmë: “Perënditë kanë etje” nga Anatol Frans

Evarist Gamëleni, piktor, nxënës i Davidit¹, anëtar i seksionit të Urës së Re, që dikur quhej seksioni Henri IV, kishte shkuar që me natë në kishën e Barnabitëve² ku prej tre vjetësh, që më 21 maj 1790, bëheshin mbledhjet e përgjithshme të seksionit. Kjo kishë ngrihej në një shesh të errët e të ngushtë, pranë kangiellave të Pallatit të Gjykatës. Mu në ballin e saj të derdhur me dy stile klasike, të zbukuruar me ca lëpiza të përmbysura e me poça të ndritura, po të vrerosur nga koha e nga dora e njeriut, stemat fetare i kishin prishur me çekan, dhe mbi derë kishin shkruar me gërma të zeza parullën republikane: “Liri, Barazi,Vëllazëri, apo Vdekje”.

Evarist Gamëleni hyri në kubenë e kishës, ku, në vend të xhakonëve të sektit të Shën Palit, që vishnin petkat fetare për të kënduar meshën e shenjtë, tani mblidheshin patriotët me kësulë të kuqe, për të zgjedhur gjyqtarët bashkiakë, e për të shoshitur punët shoqërore. Shenjtorët qenë hequr nga kamaret e në vend të tyre kishinvendosur bustet e Brutit, të Zhan Zhak Rusoit e të Lë Peltierit dhe, në altarin e grabitur qe varur shpallja e të Drejtave të Njeriut³.

Atje, dy herë në javë, prej orës pesë pasdreke e deri në njëmbëdhjetë të natës, mblidheshin këshillat popullore. 

Amvona e stolisur me flamurë tri ngjyrësh të kombit shërbente si tribunë për gojtarët. Përballë saj, nga ana e Epistolës, mbi një palk të ndërtuar me dërrasa të pagdhendura, grumbullohej një turmë e madhe me gra e fëmijë, që vinin për të parë, mu si në një shfaqje.

Atë mëngjes, përpara një tryeze, rrëzë amvonës na qe ulur zdrukthëtari i sheshit Tionvilë, qytetar Dyponi, i ati, krekosur me kësulën e kuqe e me atë anterinë e shkurtër, të Ravolucionit, si një nga të dymbëdhjetë anëtarët e Komitetit të përgjimit që ishte. Në tryezë dukeshin një shishe, ca bardhakë, një kallamare një radhor, ku qe shkruar një thirrje që i kërkonte Konventës të përjashtonte të dymbëdhjetë deputetët e pahijshëm. 

Evarist Gamëleni mori pendën e nënshkroi

– E dija mirë, qytetar Gamëlen,- tha gjyqtari zejtar,- që do të vije për të dhënë emrin, se je nga të kulluarit. Po seksioni nuk ka flakë: i mungon virtyti. I kërkova Komitetit të përgjimit të mosu lëshojë vërtetim të mirësjelljes atyre që nuk do ta nënshkruajnë thirrjen.

Jam gati të nënshkruaj me gjakun tim dëbimin e tradhtarëve federalistë,- ia priti Gamëleni.- Deshën të zhduknin Maratin; le të ngordhin vetë.

– Njerëzit kanë filluar të mos na përfillin, dhe këndej na vjen e keqja,- tha Dyponi.- Në një seksion që ka nëntëqind frymë më të drejtë vote, nëpër mbledhje ja vijnë, ja s’vijnë pesëdhjetë qytetarë. Dje mezi u bëmë njëzet e tetë.- Prandaj qytetarët duhen shtrënguar me gjoba, që të vijnë, tha Gamëleni.

– Ja! Ja!- thirri zdrukthëtari, duke vrenjtur vetullat. Sikur të vinin të gjithë, atdhetarët do mbeteshin një pakicë… Qytetar Gamëlen, të pëlqen të hedhësh një kupë verë për shëndetin e sankylotëve të mbarë?

Te muri i kishës, nga ana e Ungjillit, qe vizatuar një dorë e zezë me një gisht të shtrirë përppara, që tregonte se nga mund ta hyje në kuvend, dhe pak më tej qenë shkruar këto fjalë: Komiteti civil, Komiteti i përgjimit, Komiteti i bamirësisë. Disa hapa më tutje gjendej dera e ish-sakrestisë, me këtë mbishkrim: Komiteti ushtarak. Gamëleni e shtyu dhe gjeti sekretarin e këtij Komiteti,qe po shkruante në një tryezë plot me libra, letra, shufra çeliku, fishekë e copëra dheu, që përmbanin xheverxhile.

– T’u ngjatë, gytetar Tryber. Si po shkon?

1. David Zhak – Lui (1748-1825) piktor i njohur, personalitet aktiv i Revolucionit francez, shok i Robespierit.

2. Kisha e Barnabitëve në Paris në sheshin e Pallatit të Drejtësisë. Barna bitët katolikë, i themeluar në Milano më 1530.

3. Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit – një nga dokumentet programatikë të Revolucionit francez, që shpalli parimet e demokracisë borgjeze; u miratua nga Asambleja Kushtetuese më 26 gusht 1789.

4.Fjala “sankylot” do të thotë – njeri që nuk mban pantallona të shkurtra (veshje e aristokratëve).

Kështu thirreshin turmat e popullit revolucionar gjatë Revolucionit francez.

Almanart