FJALË FLUTURAKE HYRËSE Në qershor të vitit 1998 isha në Lisbonë të Portugalisë. Kisha ideuar dhe konceptuar pavijonin “Albania” në Ekspozitën botërore në Lisbonë. Por Lisbona kishte një emër të dytë: Fernando Pessoa. Në manastirin e shën Hieronimit, ku ishin varret e mbretërve të Portugalisë qe ngritur në 1985 një shtyllë katërkëndëshe memoriale për Pessoan. Më e thjeshta në botë. Më kujtoi sekuencën e filmit të Kumbrikut, ku një tufë majmunësh, ende të paevoluar në njerëz, shohin befas një shtyllë metalike të sofistikuar, si të ardhur nga planetë të tjerë. Kjo ndjesi qe torturuese, gati fatale. E përqafova shtyllën e thjeshtë të Pessoas – nuk qe një shtyllë dorike, apo si e tempujve egjiptianë. Në një faqe të shtyllës qenë gdhendur vargjet:
Nao Basta abrir a janele
Para ver os campos e o rio.
Nao e bastante nao ser cego
Para ver as arvores e flores.
Alberto Caeiro
(Nuk mjafton të hapësh dritaren
Për të parë fushat dhe lumin.
Nuk mjafton të jesh i verbër
Për të parë pemët dhe lulet.
Albert Kajero)
Në faqen tjetër këto vargje gjithashtu të çuditshme:
Nao quero nada.
Ja disse que nao quero nada
Nao me verham com conclusoes!
A unica conclusao e morres!
Alvaro de Campos
(Nuk dua asgjë.
Ju thashë se nuk dua asgjë.
Mos më vini me përfundime!
Përfundimi i vetëm është të vdesësh!
Alvar de Kampos)
Alberto Caeiro dhe Alvaro de Campos janë pseudonimet e tij. Ai ka përdorur 40 të tilla – e fragmentarizon vetveten duke e plotësuar. Pesso’a është një mrekulli dhe çudi e shekujve. Ende i pazbuluar tërësisht. Kam shkruar disa herë për krijimtarinë e Pesso’as, kam bërë edhe skica dhe portrete me ngjyra të tij. Poezitë e Pessoas i kam përkthyer nga librat: “Fernando Pessoa – A Little Larger Than the Entire Universe – selected poems – edited and translated by Richard Zenith”, USA, 1998 dhe Fernando Pessoa – “L’Enigma e le maschere”, traducione di Pietro Civitareale, Arnoldo Mondadori Editore, 1993. MOIKOM ZEQO Tiranë, fundshkurt 2014
EPITAF
Nuk jam asgjë
E nuk do të jem kurrë asgjë,
Nuk dua të jem një hiç,
Megjithatë kam brenda vetes tërë ëndërrat e botës!
* * *
LAPIDARI VOTIV
Ç’mundim i madh,
E sa i vogël njeriu!
Unë Diego Lundërtari kam ngulur
Këtë lapidar në arenën e errët
E kam lundruar drejt detit të amshuar!
Hyjnor është shpirti,
Vepra njerëzore e papërsosur!
Ky lapidar i rrëfen erës dhe qiejve të verbër
Se prej veprës së arritur
E imja është pjesa e përmbushur
Ç’ka mbetet i përket Zotit!
Dhe oqeanit si mundësi pa kufij
Lapidari në heshtje i thotë
Se deti i njohur do të jetë grek ose romak,
Portugez do të jetë deti i pafund!
Kryqi i latuar
Thotë ç’kam në shpirt
Duke përndritur
Brenda meje ethet e lundrimit,
Të gjej në qetësinë e përjetshme të Zotit
Pikërisht partin që më në fund duhet gjetur!