Lexojmë: “Rëndesa dhe hiri” nga Simone Weil

RËNDESA DHE HIRI

Të giitha lëvizjet natyrore të shpirtit rregullohen nga ligje të ngjashme me ato të rëndesës materiale. Vetëm hiri përbën përjashtim.

Duhet të presim që gjërat të ndodhin gjithmonë sipas ligjit të rëndesës, me përjashtim të rastit kur ndërhyn e mbinatyrshmja.

Dy forca mbretërojnë në gjithësi: drita dhe rëndesa.

Rëndesa. Në mënyrë të përgjithshme, ajo që presim nga të tjerët përcaktohet nga efektet e rëndesës mbi ne; ajo që marrim përcaktohet nga efektet e rëndesës mbi ata. Ndonjëherë këto përkojnë (rastësisht), shpesh jo.

Përse në momentin kur një qenie njerëzore tregon se ka pak ose shumë nevojë për tjetrin, ky i largohet? Rëndesë.

Lir, tragjedi e rëndesës. Gjithçka që emërtohet gjë e ulët është një fenomen rëndese. Madje termi gjë e ulët e tregon.

Objekti i një veprimi dhe niveli i energjisë që e ushqen, dy gjëra të ndryshme.

Duhet bërë kjo gjë. Po ku ta gjesh energjinë? virtytshëm mund të ulë nëse nuk ka energji të gjendshme në të njëjtin nivel. 

E ulëta dhe sipërfaqësorja janë në të njëjtin nivel. Ai dashuron furishëm por në mënyrë të ulët: fjali e mundshme. Ai dashuron thellësisht por në mënyrë të ulët: fjali e pamundur. Edhe pse është e vërtetë se e njëjta vuajtje është shumë më e vështirë për t’u duruar për një motiv të lartë sesa për një motiv të ulët, (njerëzit, që pa lëvizur qëndronin në këmbë nga ora një deri në tetë të mëngjesit për të marrë një vezë vështirë se do bënin të njëjtën gjë për të shpëtuar një jetë njeriu), një virtyt i ulët është në disa aspekte më i sprovuar ndaj vështirësive, tundimeve dhe fatkeqësive se një virtyt i lartë. Ushtarët e Napoleonit. Prej këtej përdorimi i mizorisë për të ruajtur apo ngritur moralin e ushtarëve. Të kihet parasysh në lidhje me rrënimin.

Eshtë rast i veçantë i ligjit që e vendos përgjithësisht forcën në anën e gjësë së ulët. Rëndesa është si simbol i kësaj.

Radhë për ushqim. I njëjti veprim është më i lehtë nëse motivi është i ulët sesa kur është i lartë. Motivet e ulëta mbajnë më shumë energji se motivet e larta: Problem: si t’u transferohet motiveve të larta energjia e mbledhur në motivet e ulëta?

Nuk duhet të harroj se në disa momente të dhimbjes së kokës, kur kriza acarohej, kisha një dëshirë të fortë të bëja të vuante një qenie tjetër njerëzore duke e goditur pikërisht në të njëjtin vend në ballë.

Dëshira të ngjashme, shumë të shpeshta ndër njerëzit. Shumë herë, në këtë gjendje, iu dhashë tundimit për të thënë fjalë plagosëse. Nënshtrim ndaj rëndesës. Mëkati më i madh. Në këtë mënyrë prishim funksionin e gjuhës, që është të shprehurit e raportit të gjërave.

Qëndrim dënimi: domosdoshmërisht duhet të kthehem drejt tjetërkujt, jo vetes sime, pasi tërë çështja është çlirimi prej vetes. Të përpiqem për këtë çlirim me energjinë time është njëlloj si ajo lopa që tërheq kapistrën e saj dhe rrëzohet në gjunjë.

Kështu çlirojmë brenda vetes energji nëpërmjet dhunës, e cila e shpërdoron akoma më tepër. Kompensim në kuptimin e termodinamikës, rreth i padurueshëm nga i cili mund të çlirohemi vetëm që nga lart.

Njeriu e ka burimin e energjisë morale jashtë tij, si atë të energjisë fizike (ushqim, frymëmarrje etj). Në përgjithësi e gien dhe për këtë arsye ka iluzionin – si në fizikë – se qenia e tij mbart në vetvete parimin e fjalëve të saj. Vetëm privimi bën të ndihet nevoja. Dhe në rast privimi, ai nuk mund të mos shkojë drejt gjithçkaje të ngrënshme.

Një ilaç për këtë: klorofili që të mundëson ushqimin me dritë.

Mos gjyko. Të gjitha fajet vlejnë njëlloj. Ka vetëm një faj, të mos kesh aftësinë të ushqehesh me dritë. Sepse, kur mungon kjo aftësi, të gjitha fajet janë të mundshme.

“Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e Atij që më dërgoi”. Asnjë gjë tjetër veç kësaj aftësie.

Të zbresësh nga një lëvizje ku rëndesa nuk ka asnjë pjesë….

Rëndesa të zbret, flatrat të ngrenë: cilat flatra në fuqi të dytë mund të të zbresin pa rëndesë?

Krijimi përbëhet nga lëvizja zbritëse e rëndesës,lëvizja ngritëse e hirit dhe nga lëvizja zbritëse e hirit në fuqi të dytë

Hiri është ligji i lëvizjes zbritëse.

Të ulesh do të thotë të ngjitesh përkundrejt rëndesës morale. Rëndesa morale na bën të biem lart.

Një fatkeqësi shumë e madhe e vendos qenien njerëzore përtej mëshirës: neveri, tmerr dhe përçmim.

Mëshira zbret deri në një nivel dhe jo më poshtë. Si ia bën bamirësia për të zbritur më poshtë? Ata që kanë rënë kaq poshtë, a kanë mëshirë për veten e tyre?

Almanart