Nëse vërtet dëshironi të njiheni me këtë histori, ndoshta gjëja e parë që do të donit të dinit, është se ku kam lindur dhe si ka qenë fëmijëria ime e shpifur, ç’punë bënin prindërit e mi e gjithçka tjetër para se të më lindnin mua, si dhe tërë ato gjepurat alla David Koperfild, megjithëse, që t’ju them të vërtetën, unë nuk e ndiej se duhet të filloj. Së pari, këto gjëra më mërzitin dhe, së dyti, prindërve të mi do t’u binte pika, sikur t’ju tregoja gjërat personale që lidhen me ta. Do të prekeshin shumë, sidomos im atë. Ata janë të mirë, sigurisht, por ama bëhen edhe pikë e vrer, se janë jashtëzakonishta sedërmëdhenj. Përveç kësaj, unë s’kam ndër mend t’ju rrëfej gjithë jetëshkrimin tim të mallkuar e më the e të thashë. Vetëm se do t’ju tregoj për ca punë të çmendurish që më ndodhën Krishtlindjet e shkuara, pikërisht para se të katandisem që të vij e t’ju hap barkun. Asgjë më tepër nga ato që i rrëfeva D.B., të vetmit vëlla që kam. Ai është në Hollivud. Nuk është shumë larg nga kjo skutë e fëlliqur, ndaj vjen e më viziton çdo fundjavë. Ai, kur të shkoj në shtëpi, ndoshta muajin tjetër, do te më çojë me makinë, se sapo e ka blerë një Jaguar. Një nga ato xhinglat angleze që mund të përshkojë 300 km në orë. 1 kushtoi rreth katër miië dollarë. Oho, ai tani ka pará të madhe! Por, ama, më parë nuk kishte. Kur ishte në shtëpi, ishte thjesht një shkrimtar i zakonshëm. Nëse nuk keni dëgjuar kurrë për te, po ju them se është ai gë shkroi atë librin e mrekullueshëm me tregime të shkurtra “Peshku i fshehur”, nga të cilat më i miri ishte tregimi “Peshku i fshehur”. Aty flitej për një vogëlush, që nuk linte askënd ta shikonte peshkun e tij, sepse e kishte blerë me paratë e veta, dhe mua ai më linte pa mend. Tani, D.B. është në Hollivud… Në ka gjë që urrej më shumë. janë filmat. As mos m’i zini fare në gojë.
Tregimin dua ta filloj atë ditë kur u largova nga Pensi Prepi. Pensi Prepi është ajo shkolla në Agerstaun, Pensilvania Ndoshta e keni dëgjuar. Ndoshta i keni parë reklamat. Ajo reklamohet gati në një mijë revista, gjithmonë duke treguar ca djem azganë përmbi kuaj që janë duke kapërcyer një pengesë. sikur, po të ishit në Pensi, do të luanit gjatë gjithë kohës polo. Veçse mua nuk më kanë zënë sytë ndonjë kalë rreth e rrotull atij vendi. Kurse poshtë atij tipit mbi kalë shkruhet gjithmonë: “Që nga viti 1888 ne kalitim një rini të shkëlqyer, me mendje të kthjellët.” Këtë e besojnë vetëm zogjtë. Në Pensi nuk bëhet ndonjë kalitje më e madhe se në shkollat e tjera. Unë për vete nuk njoh ndonjë atje që të jetë i shkëlqyer e me mendje të kthjellët. Ndoshta nja dy kokrra. Jo më shumë. Por edhe ata me siguri që kanë ardhur të tillë në Pensi.
Nejse, atë ditë ishte e shtuna e ndeshjes së futbollit me Sakson Hollin. Ndeshja me Sakson Hollin pritej të ishte nje ngjarje e madhe anembanë Pensit. Ajo ishte ndeshja e fundit e vitit dhe, po qe se Pensi i moçëm nuk fitonte, ose duhet te vrisje veten, ose të bëje ndonjë derman tjetër. Më kujtohet se y nga ora tre pasdite unë po qëndroja në majë të kodrës se lomsonit, pranë një topi rangallë, që i përkiste Luftes Secesionit. Që atje fusha e lojës dukej si në pëllëmbë të dore u si dhe dy skuadrat që ndesheshin. Dukej fare mirë edhe houna qendrore, por c’e do se ulërimat e forta dhe të paper mbajtshme të tifozëve të Pensit nuk i dëgjoje dot tamam, megjithëse e gjithë shkolla, përveç meje, ndodhej atje, kurse tifozët e Sakson Hollit ishin të ngordhur fare, se kjo skuadër nuk merrte shumë tifozë me vete.
Asnjëherë në ndeshjet e futbollit nuk vinin shumë vajza, se vetëm djemtë e vitit të fundit lejoheshin të merrnin vajza me vete. Ajo ishte një shkollë e tmerrshme, nga çdo anë që ta ktheje. Mua më pëlqen të rri në ndonjë vend ku të paktën mund të shohësh rrallë e për mall edhe ca vajza përreth teje, qoftë edhe sikur të jenë duke kruar llërët a duke shfryrë qurrat, qoftë dhe të kukurisin me njëra-tjetrën. Selma Tharmeri, vajza e drejtorit të shkollës, vinte mjaft shpesh nëpër ndeshje, por ajo nuk ishte tamam tipi që të ndez e të luan nga mendtë e kokës. Gjithsesi, ajo ishte një vajzë mjaft e mirë. Njëherë, kur vinim nga Agerstauni, unë u ula në autobus pranë saj dhe bëmë muhabet që ç’ke me të. Mua më pëlqente. Në të vërtetë hundën e kishte ca të madhe, kurse thonjtë i kishte të ngrënë fare dhe i dukeshin si të gjakosur. Pastaj seç kishte edhe ca dreq gjimbajtësesh që i zinin gjithë atë vend, por, gjithsesi, për të seç ndieje një lloj keqardhjeje. Ajo që më pëlqente më shumë te Selma, ishte se nuk e hidhte shurrën përpjetë duke u lavdëruar se ç’njeri i madh ishte babai i saj. Ndoshta e dinte se ç’faqezi ishte ai.
Arsyeja që po rrija sipër te kodra e Tomsonit, në vend që të zbrisja poshtë, ku zhvillohej ndeshja, ishte se sapo qeshë kthyer nga Nju-Jorku me skuadrën e skermës. Unë isha si punë drejtuesi i skuadrës së skermës. Detyrë, jo shaka! Kishim shkuar atë mëngjes në Nju-Jork, për t’u ndeshur me skuadrën e skermës të shkollës së Mekbërnit. Veçse nuk e bëmë ndeshjen, dhe kjo jo vetëm për fajin tim. Se më duhej të ngrihesha herë pas here për të kontrolluar hartën, që të dinim se ku të zbrisnim, dhe i harrova të gjitha pajimet e skermës në atë metro të mallkuar. Kështu që ne u kthyem në Pensi aty nga ora dy e gjysmë, në vend që të ktheheshim në darkë. Gjatë gjithë rrugës me tren, gjithë skuadra më bëri qepaze. Nejse, ama bëmë edhe qyfyre.