Parathënie
Lajmet e para për kampet e shfarosjes nisën të përhapeshin në vitin vendimtar, 1942. Ishin lajme të vagullta, sidoqoftë pajtoheshin mes tyre: përvijonin një masakër me përmasa kaq të mëdha, me një mizori kaq të skajshme, me motive kaq të koklavitura, saqë publiku prirje t’i refuzonte pikërisht ngaqë ishin tejet të pabesueshme. Është domethënës fakti që ky refuzim qe parashikuar shumë më përpara nga vetë fajtorët; shumë të mbijetuar (mes të tjerëve, Simon Wiesenthal në faqet e fundit të Glassassini sono fra noi*, (Garzanti, Milano 1970) kujtojnë që ushtarakët e trupave SS zbaviteshin duke u hequr vërejtje në mënyrë cinike të burgosurve: “Sido që të mbarojë kjo luftë, luftën kundër jush e kemi fituar ne; asnjëri prej jush s’do të mbetet për të dhënë dëshmi, por edhe sikur t’ia mbathë ndokush, bota s’ka për ta besuar. Ndoshta do të ngrihen dyshime, diskutime, do të bëhen kërkime nga historianët, por askush s’do të ketë sigurinë e plotë, sepse ne do t’i shkatërrojmë provat, edhe ju bashkë me to. Edhe po të ngelet ndonjë provë, edhe po të mbijetojë ndokush nga ju, njerëzit do të thonë që faktet që tregoni ju janë tepër të përbindshme për të qenë të besueshme: do të thonë që janë teprime të propagandës aleate, e do të na besojnë neve, që do të mohojmë gjithçka, dhe jo juve. Historinë e kampeve të përqendrimit do ta diktojmë po ne. “Çuditërisht, po ky mendia (“edhe sikur të tregonim nuk do të na besonte kush”) shfaqet në trajtë ëndrre nga dëshpërimi i të burgosurve. Thuajse gjithë të mbijetuarit e kampeve, qoftë me zë, qoftë në kujtimet e shkruara, kujtojnë një ëndërr të përhershme që e shihnin vazhdimisht netëve të burgosjes, ëndërr e ndryshme në detaje, por e njëjta në thelb: sikur ishin kthyer në shtëpi, tregonin me pasion e lehtësim vuajtjet e tyre të shkuara duke iu drejtuar një njeriu të dashur, i cili nuk i besonte, madje, as nuk i dëgjonte. Në formën më tipike (dhe më mizore), bashkëbiseduesi kthente krahët dhe ikte në heshtje. Kësaj teme do t’i rikthehemi shpesh, por qysh tani duhet theksuar se, që të dyja palët, viktimat dhe xhelatët, ishin plotësisht të vetëdijshme për përmasat e mëdha, domethënë për pa besueshmërinë e ngjarjeve që ndodhnin në Lager-ët nazistë: dhe, mund të shtojmë këtu, jo vetëm në Lager, por edhe nëpër geto, në prapavijat e frontit lindor, në rajonet e policisë, në spitalet për të sëmurët mendorë.
Për fat të mirë, punët nuk shkuan ashtu siç druanin viktimat dhe siç shpresonin nazistët. Edhe organizata më e përsosur shfaq disa të meta dhe Gjermania e Hitlerit, sidomos në muajt e fundit para rrëzimit, ishte tepër larg te një makineri e përsosur. Shumë prej provave materiale të shfarosjes në masë u zhdukën, madje u përpoqën t’i zhduknin me zotësi pothuajse të gjitha: në vjeshtën e 1944-ës, nazistët hodhën në erë dhomat e gazit dhe krematorët e Auschwitz-it, por rrënojat mbeten ende dhe, me gjithë shtrembërimet…
*(It.) “Vrasësit janë mes nesh”