Lexojmë: “Te Teatri” nga Elsa Demo

PARAFJALË

“Unë dua të mbetem dëshmitare, qoftë edhe sikur të mos mbetet asnjë njeri që të ketë nevojë për dëshminë time!” 

“Kasandra”, Christa Wolf

Ky udhëpërshkrim i takon Teatrit Kombëtar, historisë së bërit teatër në Shqipërinë postkomuniste, në tranzicion dhe pastranzicion, sepse Teatri Kombëtar ka qenë dhe është e vetmja skenë teatri në Tiranë, po edhe në Shqipëri, me histori të pandërprerë, gati 80-vjeçare, pa llogaritur skenat e përkohshme e pa identitet, të quajtura Teatri i Metropolit dhe Teatri Eksperimental.

Para se të tregoj si është ndërtuar libri “Te Teatri”, është e nevojshme të jap një kontekst dhe motivet që më shtynë ta bëj këtë botim.

Në vitin e pandemisë, kur kishte qeverisje në botë që shfaqën me tepri sjellje autoritare, në një vend të vogël ballkanik si Shqipëria, u pa se demokracia është vërtet në rrezik. Prova ishte sa reale, aq edhe simbolike. Në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria shembi Teatrin Kombëtar, i cili prej dy vitesh mbrohej nga artistë dhe qytetarë. Në të gdhirë të 17 majit 2020, kur Tirana ishte e zhytur në gjumin e zgjatur të së dielës dhe në shtetrrethimin prej pandemisë, u shemb brenda pak orësh Teatri Kombëtar… 

UNË BESOJ QË AUTORI IM ËSHTË VETËVRARE

Në fjalorin e fesë së krishterë, limbo përcakton një vend të ndërmjetëm në botën e përtejme për fëmijët jo të pagëzuar, por të çliruar nga mëkati. Mendojmë që kjo fjalë identifikon fatin e Shpëtim Ginës.

Në pranverë të vitit 2007, në një sallë të vogël të Teatrit Kombëtar në Tiranë, luhej premierë absolute dhe vetëm për një natë “Pesha e paqes” me autor Shpëtim Ginën, me regji të Llazi Serbos. Ajo premierë përmendi bashkëpunëtorët e magjepsur nga puna e një dramaturgu të ri të viteve shtatëdhjetë, veprat e të cilit i kishin kaluar dorë më dorë, madje i kishin ruajtur pas vdekjes së tij, pa dijeninë e familjes. Regjisori Viktor Gjika u dorëzoi motrave Gina dramën “Shtëpia nr. 1961”, të cilën autori ia kish dhënë dikur ta lexonte. Ashtu si “Pesha e paqes”*86, kishte dalë në dritë nga aktori Minella Borova.

Pagëzimi i Ginës u la në mes për motive banale. E njëjta gjë, por për shkak të censurës, kishte ndodhur më 1972 me dramën “Armiqtë”, të cilën Mihal Luarasi e përgatiste në Teatrin Popullor. Origjinali i shaptilografuar i drames ndodhet në Bibliotekën Kombëtare. Ky botim nuk përmendet gjëkundi deri më sot, madje as familjarët nuk kishin dijeni në ekzistonte. 

Është e çuditshme që në vitin 1994 Ginat botojnë dramën “Armiq” (kujdes! “Armiqtë” në tekstin e shaptilografuar, “Armiq” në versionin e botuar), e vetmja gjë e botuar që ekziston nga ky autor, por botimi paraqet deformime të shumta nga origjinali, prerje, përshtatje. Me aq sa ia lejon kujtesa 83-vjeçarit Mihal Luarasi, ai sjell për herë të parë

kujtimin për ndalimin e dramës “Armiqtë” të Shpëtim Ginës.

Deri te burgimi, regjisorin e ndoqën ndalime të tjera.

Zoti Luarasi, mund të ndajmë kujtimet mbi një nga gjashtë shfagjet tuaja të ndaluara, “Armiqtë” e Shpëtimit Ginës? Punonit për të në vitin 1972.

Dramat që janë ndaluar në provat e përgjithshme apo në punë e sipër, për fat të keq, vërej që nuk ekzistojnë në historitë e teatrit. Si në rastin e një historie të fundit me autor Josif Papagjonin. E kam fjalën edhe për ato drama të botuara e ndaluara, si “Dueli” e Qamil Buxhelit, “Jashtë bie shi” e Minush Jeros, të cilat ishin botuar në revistën “Nëntori” E kam fjalën edhe për ato drama që nuk bënin shkelje të normave të realizmit socialist, prandaj goditja ishte absurde. Është kuptimplotë fakti që kurrë nuk u ndalua asnjë dramë dhe asnjë shfagje artistikisht e dobët, asnjë vepër skematike!

Sa për përvojën time, në janar 1973 u ndalua në provat e përgjithshme “Orfeu zbret në ferr” i Tenesi Uilliamsit, me aktorët Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Timo Flloko. Pak përpara tij, u ndalua në mes të punës “Armiqtë” e Shpëtim Ginës që ishte, sipas mendimit tim, shpresa e dramaturgjisë shqiptare. Kështu që, kjo dramë hyn në kategorinë e dramave të pabotuara e të paluajtura në skenë…

Edhe dokumentimi bëhet më i vështirë. Po si ishit njohur me autorin? 

Atje kam vënë dramën “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit. Në fund të viteve ’60 u krijua një teatër i ri pranë Institutit të Lartë të Arteve. Kujtimi vuri në skenë një dramë me s studentë, që ishte Dritëro Agollit. Në këtë teatër, që ishte themeluar nga Kujtim Spahivogli, Kujtimi vuri në skenë një dramë me studentë që ishte shkruar nga një autor i ri, Shpëtim Gina. Student edhe ai. Duhet të ketë qenë viti 1969. Më 1972 ky i ri na u afrua me një dramë Ishim bashkë me Bardhyl Kosovën, drejtor i Teatrit Popullor. E pamë që ishte një “gjë me spec”, jo për përmbajtjen, por për mënyrën e të shkruarit. Ishte një dramë sui generis me nota të absurdit. Si t’ia bënim? Që t’i dredhojmë censurës, vendosëm ta konsiderojmë si shfaqje në studion e Teatrit Popullor, që të mos ishte e nevojshme të kalonte në duart e personave të Ministrisë së Arsimit apo Komitetit të Partisë. Ndërkohë u bë një gabim. Drama u shaptilografua në shumë kopje.

Ishte botim i Teatrit Popullor?

Po, por në pak vetë u shpërnda. Fatkeqësisht dikush spiunoi në Komitetin e Partisë, drama iu ra në dorë. Ndërkohë ne kishim avancuar me skenografinë, kostumet, kur doli që “drama është e gabuar” dhe urdhri “Ndërprisni provat!”. Drejtorin Bardhyl Kosova e bëjnë për pesë para dhe ai rrezikoi pushimin nga puna. E gjithë kjo nuk u bë publike.

Bardhyli që kërkonte dramaturgë të rinj e të talentuar donte ta merrte pranë Teatrit Shpëtimin.

Sa kohë punuat?

20 ditë.

Ishte njoftuar në shtyp puna për këtë vepër? Me sa di unë jo.

Vetëm nga një bisedë e tillë me drejtorin Kosova dhe çdo gjë mori fund? 

Po. Ne nuk thamë të vërtetën Shpëtim Ginës, sepse do të lëndohej. 

Ai ishte njeri shumë sensibël… Dhe unë besoj tek vetëvrasja e tij. I thamë do të pezullohet për një kohë dhe do kthehemi punës më vonë. Unë fillova pjesë tjetër pastaj, sepse s’do rrija pa punë, “Orfeu zbret në ferr”, që edhe ajo u ndalua. 

Kjo u mor si tradhti ndaj Shpëtimit. Për këtë Adelina shkruar në shtyp. Edhe Gina, e motra, ka Kudret Velça e ka përsëritur këtë. Por ne duhej të heshtnim deri më 1990.

Çfarë shihnit ju te drama? Cfarë bisedonit me autorin? 

I kisha qejf këto të ndaluarat (qesh). Unë u mahnita me dramën. 

U mahnita nga ky talent i çuditshëm, që skishte lexuar asgjë nga dramaturgjia e absurdit për të bërë një dramë me tjetër filozofi e me stil tjetër. Unë them se humbëm shpresën e madhe të dramaturgjisë shqiptare.

Një vepër që qëndron edhe sot. Ishte fatkeqësi e tmerrshme ndodhi. Gjendja psikologjike e tij, me gjithçka që shikonte përreth, arrestimin dhe burgimin e njëpasnjëshëm të njerëzve të teatrit dhe të artit. Them që këto kanë ndikuar që ti jepte fund jetës. Dhe ku, atje në zbor. Mendoj që ka qenë vetëvrasje nga dëshpërimi. Ai kishte shenjat e gjeniut dhe një fije floku e ndan gjeniun nga çmenduria. Shpëtimi ishte në një prag të tillë. Nuk po them që ishte i çmendur.

Në tri dramat e plota që kemi prej tij, veçanërisht tek “Armiqtë”, alogjizmi është i dallueshëm qartë. 

Po ky është absurdi. Unë kisha porositur gjithçka të zezë, kostumet apo elemente të skenës. Edi Luarasi ishte Terrina. Ajo kishte përvojë te “Të pamposhturit” e Minush Jeros, ku kishte luajtur me shumë sukses rolin e një gruaje në moshë Plaka ka një monolog për luftën që është i shkëlqyeshëm. Personazhet e tjerë nuk i mbaj mend. Skenograf ishte Agim Zajmi. Unë e ruajtja një kopje të dramës në një vend tjetër, jashtë shtëpisë. Paralajmërimi që na ishte dhënë me “Njollat e murrme” më shtyu t’i digjja të gjitha që mund të ishin “inkriminuese”. Pas ’90-s, Dhimitër Anagnosti më çon një kopje të “Armiqtë” me mbishkrimin: “Të takon ty ta vësh në skenë këtë pjesë.” Por fatkeqësia e Teatrit Kombëtar këto vjet ka qenë që s’ka patur drejtues për të qenë.

E keni propozuar këto vite?

Po, dhe nuk e kanë miratuar.

Ishte autori i pranishëm në përgatitjet tuaja? Rrallë. Ishte i turpshëm si vajzë. Po kishte një gjë, ai nuk ishte shumë koshient që kishte bërë një vepër të madhe. Ai dinte që thjesht kishte bërë një dramë. Dhe kjo ishte gjë e mirë.

Ju e përjashtoni që ai të ketë qenë i influencuar nga tekste të teatrit të absurdit.

Nuk ishte e mundur që ai të informohej. Shpëtimi nuk dinte gjuhë të huaja.

Mund të flitet për një ndikim nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë?

Jo

A ka vend krabasimi me “Duke pritur Godone e Samuel Beketit?

Absolutisht jo. Pse ti mendon gë ai e ka lexuar Beketin. 

Për situatat që ai ndërton: një rreth i ngushtë njerëzish të kapur në grackën e frikës e të ndjenjës së persekutimit. 

Ai identifikon një gjendje njerëzore, ku personazhet vetanalizohen dhe e kanë të pamundur njohjen e thelbit vetjak. Unë mendoj që absurdi nuk ishte një shpikje artificiale. Po është një gjë që ekziston në mendje, që ekziston në realitetin e gjërave. Siç lindi në Francë, pse të mos lindte edhe këtu. Drama e Shpëtimit është edhe dramë psikologjike, ndërkohë që absurdi nuk e ka zhbirilimin psikologjik, por i lë të bardha sfondet. Sidomos te Shpëtimi gjen krijimin e atmosferës. Në këtë dramë është atmosfera e frikës. Kampi i të burgosurve që është afër dhe të arratisurit të ngujuar në një shtëpi pranë. Është një atmosferë ankthi. 

Përsëritja është një element tjetër për t’u veçuar.

Përsëritja është gjë shumë e bukur në tekstin e tij. Dhe nuk është e shpeshtë, nuk është e njohur në dramaturgjinë. Në atë kohë shumë gjëra mund t’i kem patur të qarta, ndërsa tani nuk mundem. Humbja e kujtesës ka filluar tek unë. Gjithçka është e bukur në atë vepër. Për shembull, postieri me të bijën që shpërndajnë njoftimet e vdekjes.

Ishte 20 vjeç kur e ka shkruar (përlotet). Prandaj vdekja e tij eshtë goditje shumë e rëndë për dramaturgjinë shqipe…

Ishit në burg kur morët vesh vdekjen e Shpëtimit.

Kanë qenë kohët më të turbullta për mua. Një kohë shumë e keqe. Më duket se e mora vesh kur erdhi në Burgun e Ballshit Miho Gjini. Na thanë u mbyt diku, gjatë zborit.

Nga gjithë kjo histori, për çfarë ju vjen keq?

Nëse nuk do të ishin i bërë këto ndalime, Teatri Kombëtar nuk do të ishte në këtë nivel që është sot. Ato kanë ushtruar një presion frenimi. 

Shiko, “Orfeu zbret në ferr”, dramë amerikane është absolutisht antiamerikane, sepse ështe kritike ndaj sistemit shoqëror të Amerikës. Megjithatë e ndaluan. E shikon çfarë absurdi?

I keni shkruar këto në kujtime?

Kam disa libra që nuk dua të botohen në gjalljen time. Kam një libër që jam duke e shkruar që nga vitit 1986. Sekret brenda shtëpisë, pastaj i filluar më 1996. Eshtë “Bibla shpërvjelë”, për fëmijët e mi, që nuk mundën për shkak të të atit të shkollohen si të gjithë të tjerët.

Hamendësimet për vdekjen

Më 15 gusht 1974, Shpëtim Gina, 23 vjeç, u gjet i vdekur nga një asfiksi mekanike në një gropë pranë lumit Droje në Mamurras, gjatë zborit ushtarak. Në katër vitet pas vdekjes familjarët përpiqen pranë organeve të rendit e të drejtësisë të hedhin dritë mbi vdekjen e të birit dhe vëllait. Këmbëngulja e tyre bazohej në faktin që dëshmitari në vendngjarje nuk u mor në pyetje, por u lejua të shkojë dy javë në shtëpi, meqë ishte shumë i tronditur; organet hetimore të Krujës kishin mbërritur në vendngjarje pas tetë orësh dhe familjes nuk i janë bërë të ditura rezultatet e autopsisë.

Mira Gina, motra e vogël e a autorit, nuk i ka hequr dyshimet për vdekjen e të vëllait: “Ai thoshte më ndjekin. Dramat e tij lexoheshin fshehur, gjërat e tij lexoheshin fshehur, emri i tij doli në 2-3 gjyqe, ai përmendet në dosjen hetimore të Minush Jeros. 

Si të mos kem dyshime që ajo nuk ishte vdekje aksidentale? U fut të lahej dhe u mbyt… kjo u tha. Por unë kam bindjen se ai u mbyt vetë, bëri vetëvrasje. Ai nuk duronte dot, ishte shumë i ndjeshëm, pati frikë nga arrestimi.” 

Gina kryer studimet për gazetari dhe më 1972 filloi punë në Radio-Televizion, skenarist në redaksinë e kulturës. Atë vit realizon me regjisorin Mevlan Shanaj dhe operatorin Pali Kuke dokumentarin “Berati” që nuk u shfaq. Të tre punuan për dokumentarët t artistikë mbi qytetet e Korçës dhe Kukësit. 

Regjisori Viktor Gjika, lexues i Ginës na pat thënë: “Nuk them që dramat e tij ishin të përsosura, por kërkimet brenda re ishin tejet interesante, sidomos për kohën. Nuk mund të thuhet që filozofia e dramave të Shpëtim Ginës bie ndesh me frymën e regjimit komunist. Ai e kishte më tepër si kërkesë ndaj artit dhe ndaj marrëzive të së përditshmes sonë. Perfundimisht them se edhe aty ku Shpëtim Gina arriti me artin e tij, për mua është shumë”

Shekulli, 2012

86. Përshtypja që më la në skenë “Pesha e paqes”, më shtyu të kërkoj vepra të tjera të autorit Shpëtim Gina. Sigurova të vetmen kopje të shaptilografuar të dramës “Armiqtë” që ruhej në Bibliotekën Kombëtare dhe bëra një krahasim me botimin që kishte bërë familja, nën kujdesin e motrës së autorit, Adelina Gina.


Nëse dëshironi të blini librin në formatin online, mund ta aksesoni më poshtë:

Almanart