Njeriu që sapo hyri në dyqan për të marrë me qira një video- kasetë, mban në kartën e identitetit një emër jo fort të zakonshëm dhe me një shije klasike të vjetruar nga koha, Tertuliano Maksimo Afonso. Ai ende arrin t’i përballojë, sipas gjendjes shpirtërore, emrat Maksimo dhe Afonso, që hasen më shpesh, por emri Tertuliano i rëndon si një gur varri që prej ditës kur ky emër ogurzi u shqiptua me një ironi fyese. Ai është mësues historie në një shkollë të mesme dhe videokasetën ia kishte këshilluar një koleg që ta shihte, i cili ndërkaq e kishte paralajmëruar, Nuk është aspak një kryevepër, por do t’ju zbavitë për një orë e gjysmë. Në të vërtetë, Tertuliano Maksimo Afonsoja ka nevojë për ngacmime zbavitëse, ai jeton vetëm dhe mërzitet kur, për të përdorur fjalët e sakta klinike, siç e kërkon koha e tanishme, e lë veten ta përfshijë një dobësi e herëpashershme, që zakonisht njihet me termin depresion. Për të dhënë një ide më të qartë për rastin e tij, do të mjaftonte të thoshim se ai kishte qenë i martuar dhe se kishte harruar çfarë e kishte shtyrë drejt martesës, ai u nda nga e shoqja dhe nuk do që t’i çojë nëpër mend arsyet e ndarjes. Për fat të mirë, martesa e dështuar nuk solli në jetë fëmijë, që tani kërkojnë t’ua ofrosh falas botën në një pjatancë argjendi. Por Historia e dashur, serioze dhe edukative, si dhe katedra e Historisë, ku u thirr të jepte mësim dhe që fare mirë mund të ishte për të një strehë gjumëndjellëse, kanë kohë që janë kthyer në një lodhje të kotë dhe në një fillim pa fund. Për natyrat nostalgjike, përgjithësisht të brishta e disi të ngathëta, të jetosh vetëm është një ndëshkim shumë i egër, por kjo, le ta pranojmë, megjithëse e mundimshme, shumë rrallë çon në drama tronditëse që ta bëjnë mishin kokrriza-kokrriza dhe t’i ngrenë përpjetë qimet e kokës. Ajo që ndodh më së shpeshti, sa rë mos habisë askënd, është se njerëzit pranojnë gjithë durim gërmojnë me tepër kujdes skutat më të imëta të vetmisë së tyre, siç kanë dëshmuar në një të kaluar jo shumë të largët shembujt që janë bërë të njohur, megjithëse ende në gjysmëhije, por që njohën në dy raste një zgjidhje të lumtur, si piktori portretist emri i të cilit u bë i njohur vetëm me iniciale, si mjeku i përgjithshëm që u kthye nga mërgimi për të vdekur në krahët e atdheur të tij të dashur, si korrektori i bocave që flaku tej një të vërtetë për ta zëvendësuar me një gënjeshtër, si nëpunësi i vogël i gjendjes civile, që zhdukte certifikatat e vdekjes dhe që të gjithë, rastësi apo përputhje, i përkisnin seksit mashkull, por asnjëri nuk kishte fatkeqësinë të quhej Tertuliano, çka do të përbënte për ta një përparësi të paçmueshme në marrëdhëniet e tyre me mjedisin që i rrethonte. Shitësi i dyqanit, që tashmë kishte tërhequr nga rafti kasetën që i kërkuan, shkroi në regjistrin e daljeve titullin e filmit dhe datën, pastaj i tregoi me gisht klientit rreshtin ku duhej të nënshkruante. Nënshkrimi, i hedhur pas një ngurrimi të shkurtër, shpalosi vetëm dy emrat e fundit, Maksimo Afonso, pa Tertuliano, por si të kishte vendosur të ndriçonte një element që mund të ngjallte ndonjë mosmarrëveshje, klienti murmuriti duke shkruar, Kështu, kështu është më shpejt. Por tërë kjo përkujdesje për të mos e shënuar emrin Tertuliano shkoi dëm, sepse duke hedhur në një skedë të dhënat e kartës së identitetit, shitësi shqiptoi me zë të lartë emrin e mallkuar arkaik dhe, me e keqja, emri u shqiptua me një ton të tillë që edhe një krijesë e pafajshme do ta kuptonte se ishte bërë me qëllim. Ne besojmë se askush, sado të lehtë dhe të shtruar me lule ta ketë pasur jeten, nuk do të guxonte kurrë të mëtonte se nuk ka njohur një sfilitje te tillë. Herët a vonë, është e pashmangshme të mos takojme ndo një nga ata trimoshët që, dobësitë njerëzore, sidomos dobësitë më të imëta, të mos i bëjnë të shkrihen së qeshuri. Tingujt e cunguar që na shpëtojnë nganjëherë pavetëdijshëm nga goja, në të vërtetë janë vetëm rënkime të pandrydhura të një dhimbjeje të vjetër, që zgjohet papritmas si vrajë brenda nesh. Tertuliano Maksimo Afonsoja, ndërsa po e rregullonte me një krenari për t’u pasur zili kasetën në çantën e rrjepur prej mësuesi, u përpoq të fshihte dëshpërimin që i shkaktoi shpalosja pa asnjë arsye nga ana e shitësit e emrit të tij të plotë dhe nuk e mbajti dot veten të thoshte pa zë, duke qortuar padrejtësinë meskine të mendimit që i lindi, se qe faji i kolegut të tij dhe e manisë që kanë disa persona për të dhënë këshilla pa ua kërkuar. E tillë është nevoja për ta flakur fajin sa më larg që të jetë e mundur, ndërsa nuk kemi guxim të përballemi me atë që e kemi përpara syve. Tertuliano Maksimo Afonsoja nuk e di, nuk e përfytyron, nuk e merr dot me mend se shitësi ndien keqardhje për proçkën trashanike që lëshoi. Një vesh tjetër, një vesh më i hollë se i tiji, që mund të kapte shkallëzimet e imëta të zërit të shitësit, që në përgjigje të përshëndetjes së detyrueshme mirupafshim të klientit tregohet i gatshëm për t’i shërbyer me gjithçka atij, do të shquante dëshirën e madhe të paqes që kishte zënë vend prapa banakut. Në fund të fundit, një parim i shkëlqyer tregtar, që ka hedhur rrënjë prej Antikitetit dhe është provuar gjatë shekujve, thotë se klienti ka gjithmonë të drejtë edhe kur, hipotezë e paprovuar, por e mundur, ai quhet Tertuliano.
Ndërkaq, në autobusin që do ta lërë në afërsi të banesës ku jeton prej një gjysmë duzine vitesh, në fakt që prej ndarjes nga gruaja, Maksimo Afonsoja, këtu po përdorim versionin e shkurtuar të emrit të tij, sepse jemi të autorizuar nga ai, që është pronari dhe senjori i tij i vetëm, por sidomos sepse fjala Tertuliano, e përdorur vetëm disa rreshta më sipër, do ta dëmtonte kot së koti rrjedhshmërinë e tregimit, Maksimo Afonsoja, themi ne, pyeti veten, sa kureshtar aq edhe i hutuar, se c’motive të çuditshme, ç’arsye të veçanta e kishin shtyrë mësuesin e matematikës, harruam të saktësonim se kolegu i sipërpërmendur jepte mësim matematikën, t’ia këshillonte me aq këmbëngulje filmin, kur, me thềnë të vërtetën, deri atë ditë ata nuk kishin biseduar asnjëherë për artin e shtatë. Ne do ta kishim kuptuar këshillën në qoftë se ishte fiala për një film të mirë, për një nga ata filma që nuk mund rë shmangen dot dhe në këtë rast kënaqësia dhe entuziazmi par zbulimit të një vepre me vlera të larta estetike do ta kishte shtyra kolegun giatë drekës në mensë ose gjatë pushimit midis orëve ta mësimit që ta tërhiqte nga mënga tërë ngutje për t’i thënë, Nuk më besohet që nuk kemi folur kurrë për kinemanë, por duhet t’ju them, i dashur koleg, se patjetër duhet të shkoni të shihni Kush kërkon, gjen, që është pikërisht titulli i filmit që Tertuliano Maksimo Afonsoja mbart në çantë, por nuk e kemi këtë të dhënë, Atëherë mësuesi i historisë do të kishte pyetur se në ç’kinema shfaqej, pyetje së cilës mësuesi i matematikës do t’i përgiigiei duke saktësuar, Filmi nuk jepet, nuk jepet më, ai po bën katër a pesë vjet që është shfaqur, nuk e di si më shpëtoi pa e parë, pastaj, me një frymë, i shqetësuar se këshilla që po jepte me aq afsh do të shkonte dëm, Ndoshta e keni parë, Jo, nuk e kam parë, shkoj rrallë në kinema, kënaqem me filmat që jep televizori, Eh, mirë, duhet ta shihni, videoja gjendet në të gjitha dyqanet e specializuara dhe mjafton të shkoni dhe ta merrni me qira, nëse nuk keni dëshirë ta blini. Dialogu mund të zhvillohej pak a shumë kështu, nëse filmi i meritonte lavdërimet, por në të vërtetë gjërat rrodhën me më pak ditirambe, Nuk dua të përzihem në jetën tuaj, kishte thënë mësuesi i matematikës duke qëruar një portokall, por kohët e fundit kam vënë re se jeni pak si i dërrmuar, ndërsa Tertuliano Maksimo Afonsoja pohoi, Ashtu është, nuk ndihem dhe aq mirë, Probleme me shëndetin, Nuk besoj, me aq sa di, nuk jam i sëmurë, por po më lodh dhe po më mërzit çdo gje rutina e mallkuar, përsëritjet, uniformiteti, Duhet të zbaviteni, dashur, zbavitja është gjithmonë ilaçi më i mirë, Më lejoni tu them se dëfrimi është ilaçi i atyre që nuk kanë nevojë për të…
Më shumë për autorin:
José Saramago lindi në vitin 1922 në një familje fermerësh në një fshat të vogël të Azinhagës (Rbatejo) në veri të Lisbonës. Për shkaqe financiare, i ndërpreu studimet dhe punoi si mekanik. Pasi kishte provuar punë të ndryshme në sektorin e shërbimit civil, punoi për dymbëdhjetë vjet për një kompani botuese dhe më pas për një gazetë dhe një herë si ndihmësredaktor i “Diário de Notícias”, një pozicion të cilin u detyrua ta linte pas ngjarjeve politike të vitit 1975.Midis viteve 1975-1980 Saramagoja e mbajti veten duke punuar si përkthyes, por pas suksesit të viteve ’80 iu është kushtuar librave. Kulmi i suksesit të tij në rang botëror erdhi në vitin 1982 me historinë humoristike dhe blasfemuese “Perëndia dorace”, një ngjarje e vendosur në shek. XVIII në Portugali. Vepra e Saramagos prej 30 romanesh përfshin jo vetëm prozë, por edhe poezi, ese dhe drama. Ndër çmimet e tij përfshihen edhe çmimi “Cikadja e Lisbonës” 1980 , Çmimi i Madh i Romanit dhe Novelës së Pen Klubit” 1983 etj.