Tre vjet janë një kohë e gjatë për të lënë pa përgjigje një letër dhe letra juaj ka mbetur pa përgjigje edhe më gjatë se kaq. Kisha shpresuar se do të përgjigjej vetë, ose të tjerë do të përgjigjeshin në vendin tim. Mirëpo, ja ku është me atë pyetjen e saj – Sa mendoni se jemi në gjendje të ndalojmë luftën? ende pa përgjigje.
Është e vërtetë se shumë përgjigje janë ofruar, por asnjë që të mos kishte nevojë për shpjegime dhe shpjegimet duan kohë. Por, edhe në këtë rast, ka arsye pse është kaq e vështirë të shmangësh keqkuptimet. Mund të mbushet një faqe e tërë me justifikime e apologji; deklarata për papërshtatshmëri, për paaftësi, mungesë njohurish e përvoje: dhe do të ishin të vërteta. Por edhe nëse thuhen, prapë do të mbeten disa vështirësi kaq thelbësore sa të jetë e pamundur për ju të kuptoni apo për ne të shpjegojmë. Mirëpo njeriu s’ka dëshirë ta lërë pa përgjigje një letër kaq të rëndësishme sa juaja – një letër ndoshta e vetme në historinë e korrespondencës njerëzore, sepse, kur ndonjëherë më parë një burrë i arsimuar ka pyetur një grua si mendon se mund të shmanget lufta? Prandaj le të bëjmë një përpjekje; edhe sikur të jetë e thënë të dështojë.
Pikësëpari, le të vizatojmë atë që të gjithë letërshkruesit vizatojnë vetvetiu, një skicë të personit të cilit i drejtohet letra. Pa një njeri të ngrohtë që merr frymë në anën tjetër të faqes letrat janë pa vlerë Atëherë, ju që bëni pyetjen jeni pak i thinjur në tëmtha; flokët në majë të kokës nuk i keni më të dendura. Keni arritur vitet e mesme të jetës, jo pa përpjekje, në Urdhrin e avokatëve; por në tërësi udhëtimi juaj ka qenë i begatë. Nuk ka asgjë të thatë, meskine apo të pakënaqur në shprehjen tuaj. Dhe pa dashur t’ju lajkatoj, begatia tuaj – gruaja, fëmijët, shtëpia – ka qenë e merituar. Ju nuk u zhytët kurrë në apatinë e kënaqur të jetës mesatare, pasi, siç e tregon letra juaj nga një zyrë në zemër të Londrës, në vend që të ktheheni nga ana tjetër në jastëk e të cytni derrat apo të ujisni dardhat – meqë keni disa akra tokë në Norfolk – ju shkruani letra, shkoni nëpër mbledhje, kryesoni herë njërën herë tjetrën, bëni pyetje dhe të gjitha këto me krismat e pushkëve në veshë. Sa për të tjerat, ju e filluat arsimin në një nga shkollat e mëdha publike dhe e mbaruat në universitet.
Pikërisht tani shfaqet vështirësia e parë e komunikimit mes nesh. Le ta shpjegojmë me pak fjalë arsyen. Që të dy vijmë nga ajo që, në këtë kohë të përzier kur, edhe pse prejardhjet janë të shkartisura, klasat ende mbeten të përcaktuara mirë, është e udhës të quhet klasa e arsimuar. Kur takohemi me njëri tjetrin flasim me të njëjtin theks; përdorim thikën e pirunin në të njëjtën mënyrë; presim nga shërbyeset të na gatuajnë drekën dhe të lajnë enët pas dreke; dhe jemi në gjendje të flasim gjatë drekës pa shumë vështirësi për politikën e për njerëzit, për luftën e për paqen, për barbarinë e qytetërimin – të gjitha çështje që në të vërtetë dalin nga letra juaj. Për më tepër, ne që të dy e fitojmë vetë bukën e gojës. Por…
këto tri pika shënojnë një greminë, një humnerë kaq të thellë mes nesh, saqë për tre vjet e më shumë unë kam qëndruar nga kjo anë e saj duke menduar nëse ka ndonjë dobi të përpiqesh të flasësh nga njëra anë te tjetra. Atëherë, le të pyesim dikë tjetër që të flasë për ne: Meri Kingslin. “Nuk e di a ta kam treguar ndonjëherë që të mësuarit e gjermanishtes ka qenë gjithë arsimi me pagesë që kam marrë. Ndërkohë që për vëllezërit e mi u shpenzuan dy mijë sterlina dhe ende shpresoj se jo më kot.” Meri Kingsli nuk flet vetëm për veten e saj, po për shumë nga vajzat e njerëzve të shkolluar. Dhe prapë nuk flet thjesht e vetëm për to; por përqendrohet rreth një fakti shumë të rëndësishëm, një fakt që duhet të ndikojë thellësisht mbi gjithë atë që vjen më pas: ekzistenca e Fondit të Arsimit të Arturit. Ju që keni lexuar Pendennis-in, do të kujtoni se si shkronjat e mistershme F.A.A. shiheshin në të gjithë librat e llogarive të shtëpive. Qysh nga shekulli i trembëdhjetë familjet angleze kanë derdhur para në atë llogari. Nga Pastonët deri te Pendenisët, të gjitha familjet e arsimuara që nga shekulli i trembëdhjetë deri më sot kanë derdhur para në atë llogari. Është një depozitë gllabëruese. Atje ku kishte shumë djem për t’u shkolluar duheshin përpjekje të mëdha nga familjet për ta mbajtur atë plot. Kjo sepse arsimi juaj nuk qëndronte vetëm në mësimin e librave: lojërat ju stërvitnin trupin, shokët ju mësonin më shumë se librat apo lojërat. Biseda me ta ju zgjeronte horizontin dhe ju pasuronte mendjen. Gjatë pushimeve udhëtonit; fitonit shije për artin, njohuri për politikën e jashtme dhe atëherë, para se të fitonit jetesën vetë, babai ju dhuronte një shumë parash me të cilën kishit mundësi të jetonit, ndërsa mësonit zanatin i cili tani ju jep tagrin t’i…
Eseja e Virginia Woolf Tri ginetë është një përpjekje gjithëpërfshirëse për të teorizuar rëndësinë e gjinisë për fashizmin. Analiza e Woolf-it për fashizmin fokusohet në marrëdhëniet patriarkale midis burrave dhe grave dhe ajo argumenton se shpërndarja e pabarabartë e pushtetit midis gjinive është një element kyç për prodhimin e fashizmit.