Lexojmë: “Vdekja aksidentale e një anarkisti” nga Dario Fo

KRISURI: Ja keni idenë ju se ç’është një punëtor? Kur mbërrijnë moshën e pensionit, dhe nga statistikat e fundit del se gjithnjë e më pak e mbërrijnë… kur e mbërrijnë pra, janë të shtrydhur si limona, janë larva me reflekse të reduktuara në minimum, janë bërë leckë.
GAZETARJA: Mua më duket se ju po paraqisni një tablo shumë të dëshpëruar.
KRISURI: Ashtu ë? Epo mirë shkoni hidhni një sy në ndonjë klub ku pensionistët luajnë spathi dhe keni për ta parë…
GAZETARJA: Pak e tepruar kjo. Duke lënë mënjanë zbavitjen e groteskut, faji i tyre është që janë katandisur në këtë gjendje?
KRISURI: Jo, padyshim. Faji është i shogërisë! Po ne nuk jemi mbledhur këtu për t’i bërë gjyqin kapitalistëve dhe padronëve. Jemi këtu për të gjykuar nëse janë të besueshëm dëshmitarët.
SHEFI I KOMISARIATIT: Bravo Kapiten!
KRISURI: Nuk ke mundësi të blesh proteina, vitamina, sheqerna, yndyrna, dhe fosfate për kujtesën… ç’të them, keq për ty! Unë si gjykatës të them jo, më vjen keq, por je krejt jashtë loje. Je një qytetar i dorës së dytë.
GAZETARJA: E shikoni? E dija që, sillu e stërsillu,
do vinte më në fund puna te klasizmi dhe privilegji i klasave! KRISURI (Ndërkobë shkon ngadalë prapa tryezës):
E kush ka thënë ndonjëherë të kundërtën. Po e pranoj, është e vërtetë, shoqëria jonë është e ndarë në klasa. Edhe sa u takon dëshmitarëve: ka dëshmitarë të kategorisë së parë, të dytë, të tretë dhe të katërt. Dhe asnjëherë nuk është çështje moshe. Po tallemi këtu? Për çfarë diplomohet dikush, për çfarë bëhet aksioner i privilegjuar? Për t’u trajtuar njëlloj me një pensionist leckaman? Dhe pastaj thonë që në Itali ka rënë vlera e dollarit!

Shqipëroi: Krymi

Shtëpia botuese: Berk

Viti: 2021

Fq. 155

Almanart