…E urrej këtë vend. Më hëngri rropullitë. M’i hëngri. E urrej. Po, e urrej, e urrej. Nuk mund një grua të jetojë me rropulli të tilla brenda saj. Sa më tepër e mendoj, aq më shumë më vjen për të vjellë nga vetja. Ndihem si një e vjellë. Mund edhe të jem. Një grua…nuk është si një vend, i cili shfrytëzon rrënojat e tij, varret e tij…që shet gjithcka për ta bërë monedhë vendi…duke jetuar nga këto. Unë nuk dua të jem vend. Nuk jam vend. Nuk dua të jem ky vend. Ky vend është nekrofil, gerontofil, fekalofil, sodomist, putanë, kodosh dhe vrasës. Unë dua të jem jeta, dua të jetoj, do desha të mundja të jetoj, do isha e lumtur tani nëse do desha të jetoj…por ky vend nuk më lë të dua, nuk më lë te jem jetë, të jap jetë. Ka ngrënë si kancer sisët e mia, trutë e mia, zorrët e mia, ka zbritur gjithë gurët në veshka dhe mi ka rrënuar, ka molepsur gjithë burimet nga do rridhte qumështi im, ka mbledhur gjithë dheun në damarët e mi dhe më ka kalbur gjakun, ka qëndruar i tëri mbi zemrën time dhe e ka rreckosur me infaktet dhe trombozat, cdo institucion i tij është dhe një infarkt, cdo ligj i tij një trombozë; dërdëllimet e tij moralizuese më kanë shkatërruar mushkëritë, historia e tij më bën të dridhem e tëra, thua se vuaj nga Parkinson, qytetërimi i tij më ka shkalafitur…
Ky vend është makthi ynë…Do na vdesë, do na cbëjë. Si do shpëtojmë?
Nuk jam më grua…As ti nuk je më burrë…Gjithcka na e mori ajo…Cfarë do t’i ngelet asaj pa ne? Cfarë do të jetë ajo kur mos t’i ngelet asgjë nga ne?…Dheu i saj ka marrë formën time…Trupi im ka tashmë përmasat e saj…Kam brenda meje fatin e saj…Vdes sic vdes një vend…