“Maestro” si një vepër arti që nuk u përgjigjet pyetjeve

Është një moment i mrekullueshëm afër fundit të filmit “Maestro” në të cilin dirigjenti Leonard Bernstein, plak, kërcen me studentët e tij gjatë një feste në Tanglewood, dhe shikuesi merr një vështrim të lirisë së pambrojtur. Por mbetet si paraqitje e shkurtër. Në këtë kuptim, mbase filmi është në përputhje me rreshtat që e hapin atë, diçka që Bernstein i vërtetë ka thënë: “Një vepër arti nuk u përgjigjet pyetjeve, ajo i provokon ato; dhe kuptimi thelbësor është në tensionin midis përgjigjeve kontradiktore

Carey Mulligan ka marrë faturën e parë për filmin e Bradley Cooperit për jetën e dirigjentit Leonard Bernstein, luajtur nga vetë Cooper. Dhe e meritoi atë. Si gruaja e Bernsteinit, Felicia Montealegre duhet të përthithë, të tërheqë, të mbrojë dhe t’i rezistojë çdo përqafimi të dashur dhe të vogël nga burri i saj i brilant. Është një performancë reaktive dhe Mulligan e luan atë me një universalitet zemërthyes. Ajo bën një theks dhe luan ashtu siç bën Cooper. Por audienca lidhet me të në mënyra që nuk mund të lidhen me Cooperin.

Sikurse Bernstein, performanca e Cooperit është një rindërtim mjeshtëror, por mbetet veç një rindërtim, i lidhur në ekzistencën materiale dhe i ftohtë në prekje. Sa i përket hundës shumë të përfolur – nuk duket aq ndryshe nga hunda jo bash e shkurtër e Cooperit, me përjashtim të skenave që e tregojnë atë si një plak, ku është në të vërtetë puna e mirë e grimerit. Duket se aktori ka studiuar me obsesion çdo paraqitje televizive, çdo detaj të filmave dokumentarë, për të rikrijuar diksionin dhe sjelljet e Bernsteinit, mënyrën e tij superiore dhe të shpejtë të të folurit. Ndoshta ky është problemi. Duket sikur një intervistë televizive me Bernsteinin, sikur ai e di që kamera është fokusuar tek ai. Pothuajse nuk ka momente të pambrojtura, intime. Ose më mirë, nuk ka momente të tilla që nuk duken si publike.

Problemi, dhe ndoshta edhe poenta: Filmi nis me një Bernstein të moshuar, vite pas vdekjes së Felicias, duke u intervistuar dhe kamerat duket se janë gjithmonë tek ai, gjatë gjithë filmit. Ky është në fund të fundit, një dirigjent që arriti famë stratosferike pjesërisht falë imazhit të tij publik dhe mënyrës se si ai përdori mediumin e televizionit për të zgjeruar tërheqjen e muzikës klasike për shikuesit e rinj dhe amerikanët e klasës së mesme. Filmi sugjeron, qëllimisht ose jo, se performanca nuk mbaroi kurrë për Bernsteinin, se ai gjithmonë luante një rol.

Filmi “Maestro” e vërteton disi se Cooperi është regjisor me vizion të qartë, edhe pse nuk është një film veçmas i suksesshëm. Ai e rikrijon telefonatën legjendare të 14 nëntorit të vitit 1943, të cilën Bernsteini i ri, atëherë asistent dirigjenti për Filarmoninë e New Yorkut, e ka pranuar ku i kërkohet të zëvendësojë në minutën e fundit të ftuarin e grupit Bruno Walter, për një koncert të “Carnegie Hall” që do të transmetohej drejtpërdrejt në radio. Një perde masive, dritë që filtron rreth skajeve të saj e dominon ekranin derisa Lenny merr një telefonatë që do të ndryshonte jetën e tij dhe rrjedhën e muzikës klasike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur perdja para tij hapet triumfalisht, lë një shpërthim drite të mbushë sallën dhe shihet se ai është në shtrat pranë një burri, David Oppenheim (Matt Bomer), i cili ishte i dashuri i Bernsteinit për disa vjet përpara se të takonte Felician. Më pas, kamera ndjek Bernsteinin teksa hapet në orkestër, në një pamje deliri që ngjall natyrën marramendëse të ngritjes së tij të papritur në personazh të famshëm.

“Maestro” nuk është një film i gjatë apo i dendur. Thuhet se Cooperi e ka përshkruar filmin e tij si “biografik” dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Filmi nuk ka për tendencë të jetë një vështrim i plotë mbi Bernsteinin, dhe ka shumë aspekte të jetës dhe karrierës së tij që nuk përmenden. Fokusi është në martesën e tij me Felician, homoseksualitetin e tij, dhe atë si dirigjent. Të gjitha këto janë të ndërthurura emocionalisht. Felicia duket se e kupton Lenin edhe më mirë sesa ai e kupton veten. Ai me siguri e do atë dhe midis Cooperit e Mulliganit vërehet se ka kimi. Megjithatë, Bernsteini si dirigjent – në ato shfaqje të tërbuara, shpërthyese publike që Cooper, përsëri i rikrijon mrekullisht – ndihet një shqetësim i brendshëm, një njeri që dëshiron të dalë nga lëkura dhe personazhi që bëhet se është, për ta gjetur veten.

Kjo është një ide e bukur, prekëse, por filmi duket se ngec emocionalisht, ndoshta sepse ky ndërtim bazohet në idenë e vulosjes, të mohimit. Është gjithashtu ndoshta arsyeja pse Mulligan gati e lë Cooperin jashtë ekranit: aktrimi i saj si Felicia e bën të duket se e di saktësisht se kush është, ndërsa Lennyn është gati e pamundur për ta identifikuar, një njeri që nuk u vetaktualizua kurrë. Është një moment i mrekullueshëm afër fundit, në të cilin Bernstein, plak, kërcen me studentët e tij gjatë një feste në Tanglewood, dhe shikuesi merr një vështrim të lirisë së pambrojtur. Por mbetet si paraqitje e shkurtër. Në këtë kuptim, mbase filmi është në përputhje me rreshtat që e hapin atë, diçka që Bernstein i vërtetë ka thënë: “Një vepër arti nuk u përgjigjet pyetjeve, ajo i provokon ato; dhe kuptimi thelbësor është në tensionin midis përgjigjeve kontradiktore”.

Nëse “Maestro” mbetet zhgënjim i pazgjidhur, kjo është ndoshta sepse ashtu duhet të jetë.

​Marrë nga “Vulture”. Përktheu: Gonxhe Konjufca/koha/

Almanart