Derisa festimet e karnavaleve mbahen në shumë vende të botës, maskat veneciane krijohen në një punëtori të vogël në veri të Shqipërisë, për t’u përdorur në ballo, sete filmash e festa të ndryshme. “Me pupla, dantella apo kristale Swarovski, maskat veneciane këtë vit janë bërë për të tërhequr të gjithë sytë, falë elegancës së tyre shkëlqyese”, ka thënë për AFP-në, Edmond Angoni, pronari dhe artisti kryesor në Fabrikën e Maskave të Artit në Shkodër
Çdo vit, Fabrika e Maskave të Artit të Venecias në Shkodër prodhon më shumë se 20 mijë maska punëdore, duke përfshirë 1 mijë e 700 pjesë unike në vetëm këtë vit, që vishen nga pjesëmarrësit e karnavaleve nga Rio deri në Tokio. Pjesa më e madhe e maskave të krijuara këtë sezon u dorëzuan përtej detit Adriatik, në Venecia, ku karnavali i këtij viti muajin e kaluar iu kushtua Marco Polos – një prej banorëve më ikonikë të qytetit në kuadër të festimeve që shënojnë 700 vjet nga vdekja e tij.
“Me pupla, dantella apo kristale Swarovski, maskat veneciane këtë vit janë bërë për të tërhequr të gjithë sytë, falë elegancës së tyre shkëlqyese”, ka thënë për AFP-në, Edmond Angoni, pronari dhe artisti kryesor në Fabrikën e Maskave të Artit në Shkodër.
Angoni gjithashtu posedon tetë dyqane në Venecie ku krijimet e tij – kostume, maska të praruara dhe fustane luksoze – shiten deri në 5 mijë euro secila. Ndër artikujt më të njohur këtë vit janë maskat e mëdha të kafshëve të frymëzuara nga veprat e piktorit austriak, Gustav Klimt dhe artistit çek Alphonse Mucha. Çdo model i ri fillimisht është skalitur në argjilë, më pas lëmohet përmes teknikës së lyerjes me letër dhe ngjitës.
I tërë procesi përfshin dhjetëra faza dhe mund të nevojiten javë të tëra për të përfunduar vetëm një maskë.
“Çdo maskë ka historinë e vet, frymën e saj, misterin dhe magjinë e saj. Mbi të gjitha, çdo maskë është një vepër arti”, ka thënë Gise Zeqo, e cila punon në këtë studio qëkur u hap, 27 vjet më parë. Që nga hapja e dyerve në vitin 1997, studioja e Angonit ka prodhuar qindra mijëra maska, përfshirë ato të veshura në trilerin erotik të Stanley Kubrickut, “Eyes Wide Shut”, me aktorë Nicole Kidman dhe Tom Cruise.
“Nga më e thjeshta te më ekstravagantet, e madhe apo e vogël, çdo maskë është një pjesë unike, një vepër unike arti”, është shprehur Angoni për AFP-në.
Krahas maskave klasike të Harlequinit dhe Pulcinellas që datojnë që nga kohërat e Venedikut të vjetër aty ka dhe prodhime të reja që shfaqin fytyrat e Marilyn Monroe dhe Michael Jackson së bashku me personazhet nga hiti i Netflix, “Money Heist”.
Dhe vetë salla ekspozuese e fabrikës tërheq vizitorë të shumtë, kureshtarë për t’i parë maskat nga afër.
“Jam në këtë vend jashtëzakonisht të bukur, plot maska”, ka thënë Anna Lisa Manciani, një kliente nga Italia, teksa bleu një maskë për veten dhe bashkëshortin e saj.
“Është e vështirë të zgjedhësh”, u shpreh ajo.
Marrë nga “Agence France-Presse”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Enis Bytyqi./koha/