Search
Close this search box.

Më 12 dhjetor të vitit 1939 vdiq Kolë (Nikollë) Idromeno

Më 12 dhjetor të vitit 1939 vdiq Kolë (Nikollë) Idromeno. U lind  në Shkodër, 15 gusht  të viti 1860. Ai ka qenë artist,  piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant si dhe arkitekt. Konsiderohet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare. Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri, qysh në vitin 1913. Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës. Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz. Prifti, Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek.  

Në vitin  1884 Idromeno u martua me Gjuzepinën e Gaspër Muzhanit. Më 20 korrik 1886 u lindi djali, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm, Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe».

Në gusht të viti 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Jozef Shtauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike.

Almanart