Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor. Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.
Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli. Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.