Në përkujtim të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit Milan Kundera dhe në kuadër të Tetorit të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë dhe Ambasadën franceze në Tiranë, zhvilluan veprimtarinë kulturore “In Memoriam Milan Kundera 1929-2023”.
Në nderim të kësaj figure komplekse, që nëpërmjet penës ndryshoi letërsinë e shekullit XX, për këtë veprimtari ligjëruan përkthyeset e veprës së Milan Kunderës: Anna Kareninová, përkthyese në gjuhën çeke dhe Saverina Pasho, përkthyese në gjuhën shqipe. Nëpërmjet përvojave vetjake në procesin e përkthimit, ato analizuan profesionalisht veprën e Milan Kunderës dhe sollën një tablo se si shkrimtari, që i prezantoi Perëndimit Lindjen, “foli shqip”. Me rastin e kësaj veprimtarie, Biblioteka Kombëtare çeli edhe ekspozitën “Kundera në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.
Në këtë aktivitet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha u përshëndet edhe nga Pavel Vacek, ambasador i Republikës çeke në Tiranë dhe Samuel Richard, konsull i parë në Ambasadën franceze në Tiranë. Milan Kundera (1 prill 1929 – 11 korrik 2023) është shkrimtari i njohur i Çekisë dhe një nga shkrimtarët më të njohur të kohës. Me origjinë çeke, ai jetonte që prej vitit 1975 në Francë dhe në vitin 1981 u bë një francez i natyralizuar. Ai e konsideroi veten francez dhe këmbënguli që puna e tij të njihet e të studiohet si literaturë franceze. Njihet si autor i shumë veprave, përmendim: Shakaja, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies. Librat e Milan Kundreës u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni “Velvet” në vitin 1989.
Veprat e tij, që nisën të shkruheshin në Çekinë komuniste u kthyen në akuzë ndaj sistemit shtypës. Përplasja e tij e parë me autoritetet ishte romani “Shakaja”, më pas mbështetja për pranverën e Pragës që çoi drejt ndalimit të librave e emigrimit drejt Francës ku u bë i njohur. Shkrimtari çek, Milan Kundera, një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë europiane u shua në moshën 94-vjeçare të mërkurën.
JETA DHE KRIJIMTARIA
Kundera jetoi në Francë prej vitit 1975 dhe ka fituar nënshtetësinë franceze më 1981. Lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëm Leoš Janáèek. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Me vonë Kundera studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të Kunderës. Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas, ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles.
Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqendrua në regji dhe skenografi. Më 1950 Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952, u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dyte Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardh e zi të botës tek ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe për rrjedhoje, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve marksiste dhe të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950 bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij Pršelo jim štìstí (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë Žert (Shakaja, 1967).
Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956. Më 1970, ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989).
U nda nga jeta më 11 korrik 2023 në Paris. Veprat e tij janë “Shakaja” (Žert) (1967), “Valsi i lamtumirës” (Valèík na rozlouèenou)(1972), “Jeta është diku tjetër” (Život je jinde) (1973), “Libri i të Qeshurës dhe Harresës” (Kniha smíchu a zapomnìní) (1979), “Lehtësia e padurueshme e qenies” (Nesnesitelná lehkost bytí) (1984), “Pavdekësia” (Nesmrtelnost) (1990), “Ngadalësia” (La Lenteur) (1995), “Identiteti” (L’Identité) (1998), “Mosdija” (L’Ignorance) (2000), “The Festival of Insignificance” (La fête de l’insignifiance) (2014). Në gjuhën shqipe janë përkthyer dhe botuar romanet “Shakaja”, “Mosdija”, “Identiteti”, “Pavdekësia”, si dhe librat me ese “Arti i Romanit” dhe “Testamentet e tradhtuara”./ Gazeta Panorama