Leonardo da Vinci ishte piktor, krijues dhe anatomist, për të përmendur vetëm disa nga talentet e tij – dhe tani në listën e dhuntive të këtij njeriu të shumanshëm mund shtoni dhe kimistin inovator. Rezulton se artisti i madh ishte më eksperimentues në pikturën e tij të famshme “Mona Lisa” sesa është menduar më parë dhe është shumë e mundur që ishte krijuesi i një teknike që shihet në krijimtarinë e një shekulli më vonë, janë të dhënat që kanë dalë prej një studimi të ri
Një studim i ri ka zbuluar një tretësirë të rrallë në shtresën bazë të “Mona Lisës” që formësohet nga një kombinim i oksidit të plumbit dhe vajit dhe ofron një pamje në njërën prej teknikave eksperimentale të pikturës së Leonardo da Vincit.
Leonardo da Vinci ishte piktor, krijues dhe anatomist, për të përmendur vetëm disa nga talentet e tij – dhe tani në listën e dhuntive të këtij njeriu të shumanshëm mund shtoni dhe kimistin inovator. Rezulton se artisti i madh ishte më eksperimentues në pikturën e tij të famshme “Mona Lisa” sesa është menduar më parë dhe është shumë e mundur se ai ishte krijuesi i një teknike që shihet në krijimtarinë e një shekulli më vonë, janë të dhënat që kanë dalë prej një studimi të ri.
Një grup shkencëtarësh në Francë dhe Britani ka zbuluar një tretësirë minerale të rrallë në këtë vepër ikonike, duke përdorur difraksionin e rrezatimit X dhe spektroskopin me rreze të kuqe. Gjetja ofron të dhëna të reja në lidhje me mënyrën se si është realizuar vepra në fillim të viteve 1500, sipas studimit të botuar së fundmi në Revistën e Shoqatës Kimike Amerikane.
Së bashku me pigmentin e bardhë të plumbit dhe vajin, tretësira – e njohur si plumbonacrite – u zbulua në shtresën bazë të pikturës. Një studim i botuar në vitin 2019 kishte identifikuar mineralin në disa vepra të shekullit XVII të krijuara nga Rembrandt, por kërkuesit nuk e kishin hasur atë në veprat e Rilindjes Italiane deri te analiza e re.
Tretësira e rrallë plumbonacrite u gjet gjithashtu në veprën “Darka e fundit”, si dhe në disa vepra të shekullit XVII të Rembrandtit.
Plumbonacrite formohet kur oksidet e plumbit kombinohen me vaj. Përzierja e këtyre dy substancave në një paletë është një teknikë që artistë të mëvonshëm si Rembrandt e përdorën për të ndihmuar tharjen e bojës. “Zbulimi i kësaj tretësire të rrallë te “Mona Lisa” sugjeron se Leonardo mund të ketë qenë paraardhësi i kësaj metode”, ka thënë Gilles Wallez, autor i studimit të fundit dhe profesor në Universitetin Sorbonne në Paris, i cili gjithashtu ishte bashkautor i raportit të vitit 2019.
“Gjithçka që vjen nga Leonardo është shumë interesante, sepse ai ishte artist po se po, por ishte gjithashtu kimist, fizikan – kishte shumë ide dhe ishte një eksperimentues … që tentonte të përmirësonte njohuritë e kohës së tij?”, ka thënë Wallez. “Çdo herë që zbuloni diçka rreth proceseve të tij, zbuloni se ai ishte qartë para kohës së tij”, ka thënë ai.
“Mona Lisa” si shumë piktura të shekullit XVI u realizua në një pllakë druri që kërkonte një shtresë të trashë baze, ka thënë Wallez. Hulumtuesit besojnë se Leonardo kishte përgatitur përzierjen e tij të plumbit me vaj liri për të prodhuar shtresën e trashë të bojës së nevojshme për shtresën e parë, pa e ditur se po krijonte tretësirën e rrallë.
“Në ditët e sotme kërkuesve nuk u lejohet të marrin mostra nga kjo kryevepër, e cila ndodhet në Muzeun e Louvrit në Paris dhe është e mbrojtur pas një xhami”, ka thënë Wallez. Megjithatë, duke përdorur një mostër të vogël në vitin 2007 që ishte marrë nga pjesa e pasme e pikturës, shkencëtarët ishin në gjendje të analizonin ngjyrën duke përdorur një pajisje shumë të avancuar të quajtur sinkrotron. Kjo teknikë lejoi ekipin të studionte kompozimin e pikturës në nivel molekular.
“Këto mostra kanë një vlerë shumë të lartë kulturore”, ka thënë Wallez. “Nuk mund të lejoni të merrni mostra të mëdha në një pikturë, kështu që sinkrotroni është mënyra më e mirë për t’i analizuar ato”.
Sipas studimit, shtresa bazë e freskës së Leonardos, “Darka e fundit” u zbulua gjithashtu të kishte të njëjtën komponentë kimike sikurse “Mona Lisa”, megjithëse freska është pikturuar në mur. Shkencëtarët, sipas Wallez-it, kishin në dispozicion një gamë më të gjerë mostrash nga “Darka e fundit”, në total 17, të cilat kishin ardhur nga shkëputja ndër vite e ngjyrës nga muri.
“Mona Lisa” dhe “Darka e fundit” janë dy nga më pak se 20 pikturat e njohura që Leonardo realizoi në jetën e tij. Hulumtuesit shpresojnë se me kalimin e kohës mund të zbulojnë më shumë rreth artistit dhe veprave të tij.
“Ne e dimë që Leonardo ishte një eksperimentues i përhershëm”, ka thënë William Wallace, një profesor i dalluar dhe drejtues i Departamentit të Historisë së Artit dhe Arkitekturës në Universitetin e Washington në St. Louis.
“Prandaj, nuk është aspak befasuese që e shohim duke eksperimentuar në mediume të tjera, sidomos në kërkimin e tij të përkushtuar mbi teknikat më të mira të pikturës (shpesh të jashtëzakonshme) për të krijuar veprat e tij të artit si ‘të gjalla’”, ka thënë Wallace, ekspert i artit dhe arkitekturës së Rilindjes që nuk ishte përfshirë në studim. /koha/