“Muza ime”, një hapësirë dedikuar Musine Kokalarit

Kushdo që do të mësojë më tepër rreth Musine Kokalarit vajzës gjirokastrite që afro 40 vite të jetës i kaloi mes burgjeve dhe internimit komunist, tashmë do ta ketë më të lehtë. Në Gjirokastër, në një prej  banesave  Kokalari, një hapësirë i është dedikuar kësaj figure shumëdimensionale, emërtuar “Muza Ime”.

Për drejtuesen Arjeta Kokalari është fryti i përpjekjeve disa vjeçare që ajo ka bërë për ta vendosur Musinenë në vendin që e meriton.

Sot Musine ka një shtëpi. Shpresoj që ky muze të pasurohet edhe me materiae të tjera, por ajo që është më e rëndësishmja është që këtu është shpirti i Musines”, tha Kokalari.

Është një investim i qeverisë suedeze zbatuar nga organizata “Trashëgimia kulturore pa kufij”, që mundësoi restaurimin dhe konceptimin e kësaj hapësire.

E gjithë hapësira është konceptuar në tri salla. E para është e mbushur gjithandej me foto dhe shënime të Musine Kokalarit, ndërsa në një ekspozitor paraqiten objekte personale të saj dhe libri i saj i parë “Siç më thotë nënua plakë”. Ambienti tjetër është një sallë e errët ku të presin emocione të papritura.

Nëpërmjet një prezantimi videomapping të titulluar “Musine, muza ime” hyn në një tjetër dimension dhe të ndihmon të bashkëlidhësh gjithçka që të është prezantuar më pare. Ambienti përmbyllës i këtij turi është salla e meditimit, ku vizitori, i rrethuar nga të tjera shkrime të Musinesë mund të ulet të meditojë dhe të reflektojë e pse jo edhe të lërë të shkruara mbresat e veta./burimi/rtsh/

Almanart