Muzeu Historik i Shkodrës, një ekspozitë me elementë etnografik të paekspozuar më parë

Muzeu Historik i Shkodrës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas realizoi një ekspozitë me disa elementë etnografik të pa ekspozuar më parë, me rëndësi në jetën e gruas dhe asaj çfarë ajo përfaqësonte në shoqëri. “Ky aktivitet kishte si synim primar edukimin e brezave të rinj për rëndësinë e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, thuhet nga Muzeu Historik i Shkodrës, që ka ndarë në faqen e tij në Facebook dhe foto nga ekspozita. Kjo ekspozitë do të jetë e vizitueshme në ambientet e brendshme të Muzeut Historik Shkodër deri më datë 17 mars.

Ekspozita që u hap këto ditë vjen në vijim të aktivitetit të këtij institucioni. Muzeu Historik i Shkodrës ka nisur të organizohet që në vitin 1947, nën emërtimin “Muzeu Popullor” dhe mori formë të plotë në vitin 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shekullit XIX, vlerat e së cilës ia shtonte “Kulla e Sahatit” pranë tij. Muzeu fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Françeskanëve themeluar që nga fundi i shekullit XIX, si dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane. Më pas ato erdhën duke u shtuar përmes dhurimeve, blerjeve, gjetjeve te rastit dhe gërmimeve arkeologjike. Në vitin 1996, Muzeu Historik i Shkodrës u transferua në banesën monumentale të restauruar (shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka”) ku ndodhet edhe sot. Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në varësi të bashkisë së qytetit. Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombëtare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Muzeu përbëhet nga disa seksione, në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën.

Almanart