Një cikël me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë nis nesër në Muzeun Historik Kombëtar. MHK si institucioni më i madh i memories kombëtare bën me dije se organizon një cikël me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë, të cilat do të vijojnë për ta kthyer muzeun në një qendër kërkimore dhe shkencore për të rinjtë. “Në këtë kuadër kemi menduar të organizojmë një bisedë me ikonografin Herald Pojani. Aktiviteti zhvillohet ditën e enjte më 12 janar 2023, ora 11.00 në sallën Kostandin Shpataraku”, thuhet në njoftimin e MHK-së.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Në faqen e MHK thuhet se për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin.
Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone. Cikli me leksione të hapura që nis nesër në MHK vjen në vijim dhe të veprimtarive të tjera që janë zhvilluar në vitin që lamë pas në këtë institucion, ku nuk kanë munguar dhe ekspozitat e ndryshme.