Muzeu më i vizituar në botë, Louvre i Parisit, do të kufizojë numrin e vizitorëve për një ditë në 30 mijë “për t’i bërë vizitat më të rehatshme dhe për të siguruar kushte optimale pune për stafin e muzeut”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Para pandemisë, Louvre ka arritur të mirëpresë deri në 45 mijë vizitorë çdo ditë. Kur u rihap në korrik të vitit 2020 pas një mbylljeje 16-javore, nuk e kishte kufizuar kapacitetin, megjithëse vizitat ishin çdoherë në rënie për shkak të vazhdimit të pandemisë dhe kufizimeve ndërkombëtare të udhëtimit.
Muzeu mori vendimin në heshtje për të kufizuar vizitorët e tij të përditshëm në qershor të 2022-tës, menjëherë pas njoftimit se Laurence des Car do të ishte drejtoresha e ardhshme e tij kur detyrën e mori zyrtarisht më 1 shtator.
“Shifrat ekstreme pozitive për vitin 2022 janë jashtëzakonisht inkurajuese për gjithë stafin tonë. Shpresoj që vizitorët të shijojnë kohën e tyre në Muzeun e Louvreit, veçmas ata që vizitojnë muzeun për herë të parë, të cilët përbëjnë 60 për qind të vizitorëve. Ne po punojmë gjithnjë e më shumë për të përmirësuar kushtet e vizitave dhe për të vazhduar të ofrojmë program me cilësi të shkëlqyer dhe një shfaqje unike aty për aty që përkojnë me atë që ndodh në muze”, kishte thënë Des Car në një deklaratë.
Louvrei ka njoftuar ndryshimin zyrtar në numrin e vizitorëve ditorë në shpalljen e shifrave zyrtare të frekuentimit të tij për vitin 2022. Vitin e kaluar kishte mirëpritur 7.8 milionë vizitorë, 120 për qind më shumë nga shifrat e vitit 2021, por ende 19 për qind më pak nga kulmi i tij prej 9.6 milionësh më 2019.
Sipas muzeut, kufizimet e udhëtimit kishin vazhduar të ndikojnë në tremujorin e parë të frekuentimit të tij, por rritja e frekuentimit në pjesën tjetër “ka ilustruar një trend shumë pozitiv”. Me këtë ndryshim, Louvrei, i cili është i mbyllur çdo të martë dhe në tri festa kombëtare, mund të mirëpresë maksimum 9.3 milionë vizitorë gjatë këtij viti.
Nga 7.8 milionë vizitorë në vitin 2022, 30 për qind ishin francezë dhe 70 për qind ishin vizitorë të huaj. Vizitorë nga ShBA-ja ishin 18 për qind. Sipas raportit, vizitorët nga Azia “praktikisht mungonin pavarësisht nga një rritjeje të vogël që u vërejt në fund të vitit”.
Shifrat shtesë tregojnë se 45 për qind e vizitorëve ishin nën 25 vjeç, 60 për qind ishin vizitorë për herë të parë dhe 225 mijë vizitorë përfituan nga orët e zgjatura të Louvreit në mbrëmjen e së premtes./koha/