Search
Close this search box.

Muzeu “Prado” gjen pikturën e Caravaggios

Muzeu “Prado” në Madrid ka konfirmuar se ka gjetur pikturën e piktorit të barokut, Caravaggio, për të cilën mendohej se ishte humbur, por e cila në fakt u shit në një ankand të vitit 2021 dhe atë dukshëm me çmim të lirë në raport me vlerën e saj.

Piktura e Caravaggios e titulluar “Ecce Homo” do të ekspozohet në muze prej fundit të majit e deri në tetor në kuadër të një ekspozite të veçantë dedikuar pikërisht kësaj vepre, në marrëveshje me pronarin e ri të saj, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Caravaggio e realizoi këtë punim midis viteve 1605 dhe 1609 por muzeu beson se dikur ajo ka qenë pjesë e koleksionit privat të Filipit IV të Spanjës.

Piktura është njëra prej vetëm 60 veprave të njohura të piktorit italian dhe për këtë njëra prej veprave më të vlefshme të këtij mjeshtri, ka raportuar “Associated Press” .

Piktori, në teknikën vaj në pëlhurë ka paraqitur një pasazh biblik prej Ungjillit ku shfaqet Jezus Krishti para se të kryqëzohej. Ecce Homo janë fjalët e Pont Pilatit drejtuar hebrenjve të mbledhur teksa u tregon Jezusin e fshikulluar me një kurorë me gjemba në kokë, që është një motiv i shpeshtë në ikonografinë e krishterë.

Para dy vjetësh, autoritetet spanjolle ndaluan një tjetër përpjekje për ta nxjerrë veprën në ankand, e cila asokohe iu atribuua studentit të Caravaggios, Jose de Ribera.

Po ashtu ndaloi eksportet, pasi muzeu paralajmëroi qeverinë se mund të ishte vepër e vetë Caravaggios. Çmimi i supozuar në ankand ishte 1500 euro, ndërsa vlera e pikturave origjinale të këtij artisti llogaritet në dhjetëra milionë euro.

Miguel Falomir, drejtor i muzeut “Prado”, ka thënë se që atëherë pronarët e pikturës kanë kryer një studim dhe kanë vazhduar ta restaurojnë pikturën, gjë që çoi në zbulimin se vepra mbërriti në Spanjë në shekullin XVII. Sipas tij, piktura ka qenë në duart e një familjeje në Madrid që në shekullin XVII, e cila edhe e ka shitur në ankand.

Almanart