Muzikali “Callas and Onassis” në Teatrin e Operës dhe Baletit

Muzikali i filmit “Callas and Onassis” do të vijë në Shqipëri, pikërisht në 100-vjetorin e lindjes së sopranos greke, Maria Callas, falë bashkëpunimit të Teatrit të Operës dhe Baletit (TKOB) të Shqipërisë me atë të Operës së Varnës.

Këtë e ka bërë të ditur vetë drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, nëpërmjet një postimi në median sociale, ku e cilëson si “një surprizë të bukur për miqtë e artit”

“Shënjuam fillimin e një rruge të gjatë ndërveprimi me Teatrin e Operës së Varnës”, shkruan ajo, “duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për muzikalin ‘Callas and Onassis’, me drejtoreshën e Teatrit të Varnes, Daniela Dimova”.

Nëpërmjet këtij memorandumi, teatrot e dy vendeve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mes tyre artistë e regjisorë të ndryshëm, si dhe dirigjentë të korit, të përfshirë në aktivitetet e Kalendarit Artistik 2023.

Një ndër objektivat e TKOB-së, sipas Voshtinës, është edhe “vënia në skenën shqiptare të produksionit të përmasave të mëdha “AIDA” me regji të Franko Zeffirelli”, për të cilën e ka vlerësuar mbështetjen e drejtoreshës Dimova, si “të paçmueshme”.

Almanart