Bazuar në historinë e sopranos ikonike të shekullit të XX, Maria Callas, dhe biliarderit ambicioz Aristotle Onassis, fati i 2 personazheve të mëdhenj do të rrëfehet në muzikalin “Callas e Onassis”, të kompozitorit Christos Papageorgiou.
Paralelizimi i ngritjes dhe rënies së jetës së tyre sociale, sukseseve personale dhe sakrificave të pashlyeshme, humbjeve tragjike dhe plagëve të pashërueshme deri në metamorfozën përfundimtare. Takimi fatal i 2 yjeve të ndritshëm do të vijë në një ribashkim muzikor pasionant, po aq të paharrueshëm sa edhe vetë protagonistët, mu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 8 dhe 9 tetor, ora 20:00.
Në nderim të 100-vjetorit të lindjes së sopranos Maria Callas, ky muzikal do të vijë në bashkëpunim me Operën e Varnës, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Stratsimir Pavlov dhe Dritan Lumshit, regjinë e Petko Bonev dhe koreografinë e Anna Pampulova, mbështetur nga Ambasada Greke në Tiranë dhe Abi Bank.
Biletat mund t’i tërhiqni pranë TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00.