Muzikë – Fituesit me të mëdhenj në MTV EMA 2024

Ceremonia e vitit 2024 MTV Europe Music Awards (EMAs) u mbajt më 10 nëntor në Co-op Live Arena në Manchester të Britanisë, dhe ishte një mbrëmje plot me fitore të mëdha, fjalime emocionuese dhe performanca të shumta, ka shkruar AOL.

Fituesit Kryesorë:

Këngëtarja, Taylor Swift, ishte një nga fitueset më të mëdha, duke marrë katër çmime: “Artistja më e Mirë”, “Performanca më e Mirë Live”, “Artistja më e Mirë nga SHBA”, dhe “Videoja më e Mirë” për këngën e saj “Fortnight”, në bashkëpunim me artistin Post Malone.

Ky sukses e bëri atë artisten e parë që fiton çmimin për “Artistin më të Mirë” tre herë në 30 vitet e historisë së EMAs.
Swift, e cila nuk mundi të merrte pjesë personalisht për shkak të turneut të saj “Eras”, ka ndarë falënderimet e saj përmes një videoje.

Taylor Swift

“Jam duke ju drejtuar nga turneu ‘Eras’ dhe jam shumë e trishtuar që nuk mund të jem aty sonte. Por faleminderit shumë për këto çmime të mrekullueshme. Fakti që e nderuat turneun, albumin dhe videon, time është thjesht fantastik”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka falënderuar edhe Post Malonen për bashkëpunimin “e mrekullueshëm” në këngën “Fortnight”.

“Duhet të falënderoj shumë Post Malonen për të qenit bashkëpunëtori më i mrekullueshëm që mund të imagjinoja”, ka thënë Swift.

Sabrina Carpenter fitoi çmimin për “Këngën më të Mirë” me hitin e saj “Espresso”, duke lënë pas artistë të tjerë të njohur si Billie Eilish dhe Beyoncé.

Raye

Raye, këngëtarja britanike, u shpall “Artistja më e Mirë nga Britania” pas një viti të suksesshëm që përfshinte edhe çmimin “Tekstshkruesja më e mirë i vitit në spektaklin “Brit Awards”, që u mbajt në uajin mars.

Tyla, këngëtarja nga Afrika e Jugut, ka shkëlqyer duke fituar tre çmime: “Kënga më e mirë R&B ”, “Kënga më e mirë e zhanrit Afrobeats” dhe “Artistja më e mirë afrikane”. Ajo gjithashtu ka dhënë performancë energjike të këngëve të saj, “Push 2 Start” dhe “Water”.

“Të gjithë të nominuarit janë të jashtëzakonshëm. Ata e kanë çuar ‘Afrobeatsin’ kaq larg dhe jam shumë e nderuar që e fitova këtë çmim. ‘Afrobeats’ ka hapur shumë dyer për muzikën afrikane, prandaj faleminderit shumë për këtë”, ka thënë Tyla.

Shawn Mendes u shpall “Artist më i mirë kanadez” për këtë vit, ndërsa Liam Gallagher fitoi çmimin “Artisti i mirë i muzikës rok”.

Moment emocional i ceremonisë ishte nderimi për Liam Payne, ish-anëtarin e grupit “One Direction”, i cili ka ndërruar jetë muajin e kaluar në Argjentinë.

Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, që ka bashkëpunuar me Payne në hitin “For You” në vitin 2018, u ndal për ta kujtuar mikun e saj.

“Dua të marr një moment për të kujtuar dikë që ishte shumë, shumë i dashur për ne. E humbëm kohët e fundit dhe ai ishte pjesë e madhe e botës së MTV-së dhe e jetës sime. Liam Payne ishte një nga njerëzit më të dashur që kam njohur. Ai kishte zemrën më të madhe dhe gjithmonë ishte i pari që ofronte ndihmë në çdo mundësi që mund të kishte”, ka thënë Ora, e cila nuk mund t’i mbante lotët.

Pas fjalimit të saj, u shfaq një video ku përfshiheshin fotografi të Payne, të shoqëruara me këngën e “One Direction”: “Night Changes”.

Fituesit e tjerë:

Busta Rhymes, legjenda e hip-hopit, mori çmimin “Ikonë Globale” pas 34 vjetësh karrierë në muzikë. Ai ka falënderuar MTV-në dhe theksoi emocionin që ka ndier kur e pranoi çmimin.

Busta Rhymes

“Kam bërë incizime profesionale për 34 vjet, dhe kjo është hera e parë që po marr një çmim nga MTV. Dhe ndihem mrekullueshëm”, ka thënë ai.

Pet Shop Boys, dyshja britanike e pop-it, morën çmimin “Pop Pioneer” për kontributin e tyre të jashtëzakonshme në muzikën pop për mbi katër dekada.

Performanca dhe Çmime të Tjera:

Le Sserafim, grupi i njohur k-pop, kanë performuar për herë të parë live në Mbretërinë e Bashkuar dhe fituan çmimin “Best Push”.

Blackpink’s Lisa fitoi çmimin për “Bashkëpunimi më i mirë” për këngën “New Woman” me këngëtaren Rosalía, dhe gjithashtu u shpall fituesja e çmimit për “Adhuruesit më të Mëdhenj”.

BTS’s Jimin u shpall fitues i çmimit “më i miri në K-pop”, dhe Seventeen fituan çmimin për “Grupi më i Mirë”.

Sivjet MTV EMAs 2024 e festoi diversitetin dhe ndikimin global të muzikës, duke shpërblyer një gamë të gjerë artistësh të njohur dhe duke sjellë performanca elektrizuese nga emra të mëdhenj si Tyla, Raye, Shawn Mendes, dhe Benson Boone./koha/

Almanart