E përthekueme dhe e ngjeshun fort në një histori të zakonshme familjare, drama “Nana dhe fëmija”, edhe pse në dukje të parë e thjeshtë, e përditshme dhe e përtokshme, në të vërtetë, me krejt poetikën dhe dramacitetin e saj, asht një metaforë e fuqishme mbi fatet e çuditshme njerëzore. Nga ato fate të përditshme, të cilat ne, në përplasje nga ma të ndryshmet, i përjetojnë vazhdimisht
Shfaqja “Nana dhe fëmija” asht një kreacion regjisorial i ndertuem mbi dramën me të njajtin titull të dramaturgut të shquem norvegjez Jon Fosse, i cili, me formatin e tij krijues, veç tjerash, njihet edhe si Henrik Ibsen-i postmodern i Norvegjisë. Kjo dramë, e cila asht një nga tekstet ma të bukura të letërsisë së përbotshme bashkëkohore, si përkthim dhe si shfaqje, në një format skenik kamertal, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, në një teatër në Kosovë.
E përthekueme dhe e ngjeshun fort në një histori të zakonshme familjare, drama “Nana dhe fëmija”, edhe pse në dukje të parë e thjeshtë, e përditshme dhe e përtokshme, në të vërtetë, me krejt poetikën dhe dramacitetin e saj, asht një metaforë e fuqishme mbi fatet e çuditshme njerëzore. Nga ato fate të përditshme, të cilat ne, në përplasje nga ma të ndryshmet, i përjetojnë vazhdimisht. Si e tillë, ajo, sa me përrallën po aq edhe me intrigën e saj, para se me një thurje të zakonshme, ngjan me një shllunge leshi fort të ngatërrueme. Tjerrja e saj e ngadalshme, gjatë vizitës së befshme e të vonueme të një djali te nana e tij, nxjerr në pah njollat dhe vrragët e dritëhijeve të hershme, të cilat figurativisht do të mund të përmblidheshin në shprehjen e njanit nga personazhet se “nuk ka qenie ma të dobët se një fëmijë i palindun”.
Një shtatzani e padëshirueshme e një nane (e cila, ndryshe nga teksti origjinal, në këtë shfaqje, për shkak të konceptit regjisorial, vjen përmes tri nanave).
Një përpjekje për abortimin e frytit të saj të parë. Tevona lindja e një fëmije. Dhe, ma tutje, edhe braktisja e tij. Këto janë vetëm disa nga faktet tronditëse të një kohe të shkueme, të cilat djali, dikur një foshnje, e tash një student i artit, i letërsisë dhe i filozofisë, përmes bashkëbisedimit me të amën e tij, ngjashëm me një Hamlet modern, i gjurmon dhe i zbulon gjatë kësaj vizite. Dhe, siç ndodh rëndom gjatë shthurjes dhe tjerrjes së një shllunge, nga e cila dalin fije të shumta e të paparashikueshme, në krejt këtë përrallë urbane, nga zgafellat e padukshme jetësore të dy vetave të kësaj drame (Nanës dhe Djalit), ravijëzohen dhe shpërfaqen, herë të mjegullta e ku e ku me intonim alla frojdian, edhe copëza tjera po aq ngacmuese. Edhe pse, në dukje të parë, me gjuhën, dialogun dhe, përgjithësisht, me formën e saj tekstuale ka intonim real-natyralist, drama “Nana dhe fëmija”, përmes dorëshkrimit skenik të Bekim Lumit, vjen para publikut si një lexim thellësisht poetik dhe metaforik. Pjesë e kësaj kaligrafie semiotike asht jo vetëm koncepti regjisorial minimalist, por edhe loja e aktorëve, partitura e tingujve subtilë të pianos, koreografia, kostumet, dizajni pamor e skenografik, si dhe krejt gjuha e shenjave në këtë shfaqje. Në të vërtetë, frymëzimin dhe mundësinë për një transkriptim të këtillë kreativ skenik ta japin vetëm tekstet e jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme të autorëve të tillë si Jon Fosse, si dhe përbamja e një ekipi artistik, i cili thellësisht dhe pakthyeshëm beson në fuqinë e teatrit dhe në “sikurin” e tij “magjik”.
Fjala e regjisorit Bekim Lumi (17 dhjetor 1966 – 30 korrik 2018) i cili më 2015 inskenoi dramën e nobelistit të sivjetmë, Jon Fosse. Titulli është i Redaksisë /marrë nga koha.net/