Njëzet vite pas edicionit të parë, bienalja “Netët e muzikës klasike” që zhvillohet në Durrës do të ndërpritet.
Lajmi u bë me dije nga drejtues të bienales, duke sjellë jo pak reagime të artistëve të ndryshëm.
Bienalja “Netët e muzikës klasike” këtë vit me temë “Muzika dhe deti” duhej të zhvillonte edicionin e 11-të në qytetin e Durrësit. Por pas dy dekadash nga nisja e saj organizatorët janë të detyruar ta mbyllin, pasi nuk gjeti mbështetje institucionale.
Violinisti i njohur, Florian Vlashi, njëkohësisht dhe drejtor i bienales “Netët e muzikës klasike” në reagimin e tij në rrjetet sociale ndërsa ka publikuar dhe programin për këtë vit thotë se muri i madh i indiferencës së institucioneve shtetërore e bën të pamundur realizimin.
“Ky është programi i 20-vjetorit të Bienales ‘Netët e Muzikës Klasike’. Janë aty dy vite punë dhe mbi 100 muzikantë pjesëmarrës. Për fat të keq, muri i madh i indiferencës së institucioneve shtetërore e bën të pamundur realizimin e tij. Duhet kuptuar se spektakli nuk është kulturë dhe kulturë të cunguar nuk mund të ketë. Kultura kërkon dinjitet. Në këtë pikë, si drejtues i festivalit dhe në respekt të kolegëve të mi dhe të publikut, e shoh të udhës të marr vendimin e vështirë për t’u tërhequr dhe për ta deklaruar të mbyllur bienalen”, shprehet ai.
Në reagimin e tij drejtori Vlashi thotë se vepra e fundit që luajtën në Durrës, “Puthjet në Art”, paska qenë paralajmërimi i një ndarje të bukur me artdashësit.
“Por, nuk do desha që këto fjalë të tingëllonin si një lamtumirë, por si një falënderim për të gjithë ju që e bëtë të mundur këtë histori dashurie me qytetin tim”, vijon ai.
Bienalja që nisi në vitin 2003
Bienalja “Netët e muzikës klasike” me temë “Muzika dhe deti” këtë vit ishte menduar të zhvillohej në Durrës 1-7 gusht nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi.
Lajmi për mbylljen e bienales bëri që një ditë më parë në rrjete sociale të reagonin artistë të fushës së muzikës, teatrit, etj, duke shprehur keqardhjen që në këtë 20-vjetor u la pa mbështetje nga institucionet dhe sipas tyre është “vdekja e një festivali”.
Bienalja që nisi në vitin 2003 zhvillohej çdo dy vjet në vendin tonë, ku edicioni i fundit ishte në vitin 2021.
Bienalja “Netët e muzikës klasike” u krijua në vitin 2003 në Durrës nga violinisti Florian Vlashi duke u kthyer kështu në festivalin e parë të muzikës klasike në Shqipëri, i cili vazhdoi me sukses.
Festivali është i ndërtuar mbi një strukturë të mirëfilltë: Janë 7 net, numër biblik, që i dedikohen secila një tematike dhe një periudhe muzikore: Nata e Muzikës së Vjetër, e Muzikës Baroke, Klasike, Romantike, Moderne, Shqiptare, konkursi Yjet e Rinj dhe koncertet jashtë sallave.
Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, shumë prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri si Bach “Arti i Fuges”, Stravinski “Historia e ushtarit” apo Messiaen “Kuarteti i Fundit të Kohëve” etj. Por edhe premiera me rëndësi kombëtare të autorëve “të ndaluar” si Palok e Lec Kurti apo ato të një rëndësie madhore si “Antifonari” i durrsakut Gjergj Danush Lapacaya, vepër i vitit 1532, pra, 23 vjet përpara “Mesharit” të Gjon Buzukut.
Për çdo edicion porositej një apo disa vepra premierë./si/