Qendra për Hapje dhe Dialog u vesh mbrëmjen e së martës nën petkun e magjisë së interpretimit të aktorëve Ema Andrea dhe Dritan Boriçi. COD shprehet se letra e Charlie Chaplin drejtuar së bijës, poezi nga emra të mirënjohur si: D’annunzio, Ana Blandiana, Rita Bumi-Papa, si edhe fragmente nga “Skema të jetës bashkëshortore” të Ingmar Bergman, përcollën emocione në Hollin Protokollar.
“Pas çdo rreshti, publiku zhytej në një botë tjetër duke eksploruar përmbajtje të fuqishme personale dhe shoqërore. Vargjet e përshtatura me staturën tejet të epërme të këtyre karaktereve dhe vrullit të tyre jetësor, të shoqëruara nën tingujt e muzikës së luajtur nga Deejay Women Academy, depërtuan në ndjesitë e fshehura në skutat më të errëta të shpirtit”, shkruan COD. Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me aktoren Ema Andrea sjell këtë kohë në mjediset e saj një cikël takimesh të titulluara “COD/ACT”, ku aktorja e mirënjohur do të sjellë për publikun interpretime të tekstit poetik dhe atij narrativ. Takimi i parë u zhvillua me pjesëmarrjen e Deejay Women Academy dhe Dritan Boriçit, në sallën “Forum” COD pranë kryeministrisë.
Ema Andera është e njohur si aktore, regjisore dhe pedagoge në Universitetin e Arteve, dhe vazhdon me një aktivitet të vlerësuar artistik. Po ashtu dhe aktori Dritan Boriçi vijon me një aktivitet artistik, duke u prezantuar herë pas here para publikut me role të ndryshme. Në periudhën ndërmjet viteve 1995 – 2003, ai ka qenë aktor i Teatrit Bylis të Fierit dhe që prej viti 2003 është aktor i Teatrit Kombëtar. Boriçi është pedagog i aktrimit në Universitetin Evropian të Tiranës. Ky aktivitet që u zhvillua më 21 mars në COD vjen në vijim të veprimtarive, që po zhvillohen në këto mjedise, ku herë pas here marrin pjesë dhe artistë të ndryshëm.