“Në kërkim të Venerës” jashtë “Oscars”, vazhdon promovimin

Filmi me regji dhe skenar të Norika Sefës nuk u bë pjesë e listës së ngushtë të filmave që mund të nominohen për kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë ndërkombëtar për çmimin “Oscar”. Por kandidati i Kosovës për t’u nominuar për çmimin prestigjioz do ta vazhdojë rrugën e promovimit ndërkombëtar. Qendra Kinematografike e Kosovës ishte institucioni i vetëm mbështetës për promovimin e filmit

“Në kërkim të Venerës”, një prej filmave të suksesshëm të Kosovës, nuk ia ka dalë ta vazhdojë rrugën drejt “Oscarit”. Gjatë javës së kaluar filmi me regji dhe skenar të Norika Sefës nuk u bë pjesë e listës së ngushtë të filmave që mund të nominohen për kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë ndërkombëtar. Por kandidati i Kosovës për t’u nominuar për çmimin prestigjioz do ta vazhdojë rrugën e promovimit ndërkombëtar.

Qendra Kinematografike e Kosovës ishte institucioni i vetëm mbështetës për promovimin e filmit. Ndryshe nga “Zgjoi” që ishte kandidat vitin e kaluar, këtë vit Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës nuk kanë ofruar mbështetje financiar për promovim.

Pos rrugëtimit të suksesshëm nëpër festivale, filmi “Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin ishte përzgjedhur në shtator të këtij viti për ta përfaqësuar autenticitetin e shumëllojshmërinë tematike të kinematografisë kosovare në atë që njihet si platforma më e madhe e kinematografisë në botë. Me gjithë rëndësinë e promovimit të filmit dhe krijuesve kosovarë në përgjithësi, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, ka bërë të ditur se ky institucion është i vetmi që ka ndarë buxhet për filmin.

“Ne kemi ndarë një buxhet që është i konsiderueshëm për të promovuar filmin. Kjo shumë është tradicionale, e patëm nda edhe për ‘Zgjoin’ një shumë të tillë, atë kohë ishte mobilizuar edhe Qeveria , edhe Ministria e Kulturës, këtë herë vetëm ne kemi nda një shumë të tillë. Kampanja pak a shumë ka qenë e njëjtë, ka qenë e targetuar në anëtarët e Akademisë, sepse ata i marrin vendimet”, është shprehur Çitaku. Tradicionalist QKK-ja ka ndarë nga 20 mijë euro.

Kur filmi ishte zgjedhur kandidat kosovar në garën për “Oscar”, Çitaku e kishte vlerësuar si fiksion etnografik shqisor të një fshati të vogël. Sipas tij, fushata për filmin është e nevojshme, pavarësisht se nuk është zgjedhur në listën e ngushtë duke e vlerësuar si diplomaci kulturore në promovimin e shtetit.

“Filmi nuk ka hyrë në listën e ngushtë, megjithatë ne kemi ndarë një buxhet të konsiderueshëm për ta mbështetur, por pavarësisht kësaj, vendimi merret nga anëtarët e Akademisë dhe normalisht se është garë shumë e madhe. Pa marrë parasysh a votohet në fund, skenari më i mirë është të kalojë dhe të bëhet pjesë e garës”, ka thënë Çitaku.

Producenti i filmit, Besnik Krapi, në emisionin “Nëpër film” në KTV, në shtator kishte thënë se filmin e pret rrugëtim i gjatë promovimi për të arritur deri te nominimi për çmimin prestigjioz.

Komiteti selektues që kishte përzgjedhur filmin “Në kërkim të Venerës” që të jetë kandidat i Kosovës për “Oscar”, përbëhej nga kineastët Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Uka, Valmira Hyseni dhe Enis Saraçi. Kjo ishte hera e nëntë që Kosova synonte çmimin “Oscar” në atë që quhet kategori ndërkombëtare. Vitin e kaluar i suksesshëm qe rrugëtimi i vendit deri te ky çmim, kur me “Zgjoi” të Blerta Bashollit u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim.

Filmi paraqet arritjen e pavarësisë kur duket si mision i vështirë në një familje tradicionale shqiptare. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja nëpërmjet filmit të saj “Në kërkim të Venerës”, vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët filmi i metrazhit të gjatë është parë si rrëfim universal. Ai është një reflektim se çfarë do të thotë adoleshenca dhe një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

“Në kërkim të Venerës” u dha premierë botërore në shkurtin e vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR), ku mori çmimin “Special Jury Aëard” në kategorinë “Tiger Competition”. Ky film bëri që për herë të parë në historinë e festivalit të njohur të filmit, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet. Në gushtin e atij viti u dha premierë kombëtare në “PriFest” në Prishtinë, por audiencës vendore iu rikthye edhe në janarin e sivjetmë, kur nisi të shfaqej nëpër kinema. Ndër të tjera, ky film mori dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për “Regjinë më të mirë” e për “Aktoren më të mirë” (Kosovare Krasniqi). Po kjo aktore rrëmbeu çmimin edhe në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia. E në gusht të 2021-s, në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, “Në kërkim…” u shpërblye me atë që njihet si “Përmendje speciale për barazi gjinore”. Sivjet historinë e sukseseve e hapi në edicionin e 33-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Trieste, ku mori çmimin “Cineuropa”.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. Në të luajnë Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.

Ceremonia e çmimeve “Oscars” është më e vjetra e llojit të saj e cila vitin e ardhshëm shënon edicionin e 95-të. Çmimet konsiderohen nga shumë si më prestigjiozet dhe më të rëndësishme në industrinë e argëtimit në mbarë botën. Nominimet për çmimet e 95-ta të “Academy Awards” do të shpallen më 24 janar, ndërsa ceremonia e çmimeve do të mbahet më 12 mars.

Filmat e listës së ngushtë para nominimeve

Anëtarët e “Academy Award” kanë zgjedhur që në listën e ngushte para nominimeve në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë ndërkombëtar të jenë: “Argentina, 1985”, “Corsage” nga Austria, filmi belg “Close”, ai i Kamboxhias “Return to Seoul”, filmi danez “Holy Spider”, ai francez, “Saint Omer”, filmi gjerman për Luftën e Parë Botërore, “All Quiet on the Western” e ai indian Last Film Show”.

Në listë po ashtu bëjnë pjesë edhe “The Quiet Girl” nga Irlanda, “False Chronicle of a Handful of Truths” nga Meksika e Bardo, “The Blue Caftan” i Marokut, “Joyland” i Pakistanit, “EO” i Polonisë” bashkë me “Decision to Leave” të Koresë së Jugut e “Cairo Conspiracy” të Suedisë./koha.net/

Almanart