Search
Close this search box.

Në kujtim të Sali Shijakut…

Në kujtim të Sali Shijakut, një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë, kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe. Djali i një tregtari të vogël, pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg, ish BRSS. Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962, pas kthimit nga Rusia në Institutin e Arteve, Tiranë. U fut në rrugën e artit figurativ duke ekspozuar portretet e para të tij si: “Portret vajze” (1953, GKA,Tiranë), “Kostum tiranseje” (1952, GKA, Tiranë).

Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Shijaku gradualisht nga tabloja në tablo, priret drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik. Tabloja “Mic Sokoli” (1969, GKA,Tiranë) i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh një figurëshe. Figurat e përzgjedhura nga piktori, heroizmi (Vojo Kushi, 1969, GKA, Tiranë), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, GKA, Tiranë), “Nora e Kelmendit” (1981, GKA, Tiranë), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983, GKA, Tiranë). Nga tabloja në tablo ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo – ekspresive. Për disa vite ju kushtua qeramikës me temën e ciklit të kreshnikëve (balada shqiptare). Është vlerësuar dhe nderuar me disa “Çmime Republike”. Në vitin 1969, mori titullin “Artist i Merituar” dhe më 1979 titullin “Piktor i Popullit”. U nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës” (2004). Ka ekspozuar në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Nderim punës & kujtimit të tij!

Almanart