Data 22 shtator 2024 shënon hapjen e Tirana Film Festival në edicionin e 22-të, duke e vendosur këtë festival në kalendarin e përvitshëm të aktiviteteve të rëndësishme për kinematografinë në vend dhe ndërkombëtar.
Do të marrin pjesë rreth 200 filma, nga shtete të ndryshme, me produksione të shumta ndërkombëtare dhe me filma të krijuar me AI (artificial intelligence). Filmi hapës do të jetë “Parthenope” nga Paolo Sorrentino, një film i vitit 2024, që vjen në Tiranë, para premierës në kinematë italianë gjatë tetorit 2024.
Gjithashtu programi i RetrospecTIFF do t’i dedikohet Marcello Mastroianni në 100 vjetorin e ditëlindjes ku do të ketë 4 filma të dedikuar figurës dhe roleve të tij.
Një risi e këtij viti do të jetë dhe premiera botërore e filmit të restauruar “Kapedani” në 4K në kuadër të “TIFF CLASSICs World Premiere 4K Digitalization”, në bashkëpunim me “Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit” më 24 shtator 2024, në orën 18:30, pranë Kinema “Millenium”.
Festivali do të mbahet në 4 vendndodhje që do të jenë Kinema “Millenium”, Qendra e Artit “Agimi”, Kinema “Maks Velo” Laprakë dhe Liceu Artistik “Jordan Misja”, përgjatë datave 22-28 shtator 2024.
Këtë vit nuk do të mungojnë as masterclass me regjizorë të ndryshëm si ai me regjizorin Rouzbeh Rashidi me tematikën “Experimental and Personal Filmmaking”. https://www.instagram.com/p/C_ig6u-tJVJ/
Lidhur me çmimet dhe pjesëmarrjet në festivale të tjera, filmi më i mirë i shkurtër në “TIFF 2024” do të kualifikohet për Çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “TIFF” kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA). Gjithashtu këtë vit do të jepet për herë të parë dhe çmimi “Semiramis in Casting for Casting in Excellence” nga “The International Casting Directors Association” (ICDA).
Programi i plotë gjendet këtu: https://tiranafilmfest.org/program-2024/
I urojmë suksese pjesëmarrësve dhe organizatorëve!