Nga Málaga deri në Madrid, pas gjurmëve të artistit të madh Picasso

Nga Málaga deri në Madrid, këtë vit ka një festë ekspozitash speciale nëpër vendet ku jetoi dhe punoi Pablo Picasso (25 tetor 1881 – 8 prill 1973)

Pablo Picasso është ulur në një stol në “Plaza de la Merced” të Málagas. Sytë i ka ngulur përpara, në dorë mban një fletore, i moshuar dhe i punuar në bronz, ai është pjesë e qytetit po aq sa edhe deti. Është një vepër e dhimbshme. Picasso e kaloi pothuajse tërë jetën në Francë, ku edhe vdiq, por asnjë artist i shekullit XX nuk është më spanjoll sesa Picasso, me motivin e demit, machismos, përcaktimin e imazhit të luftës civile dhe dashurinë ndaj verës “Málaga”.

“Duke jetuar jashtë vendit, njeriu bëhet edhe më spanjoll”, kishte thënë ai.

Për të shënuar 50-vjetorin e vdekjes së tij (më 8 prill 1973), gjatë vitit 2023 janë duke u organizuar një sërë ekspozitash në mbarë botën. Spanja është vendi me më së shumti ekspozita të tilla dhe një përzgjedhje e tyre mund të kombinohet nga një vizitë nëpër disa nga destinacionet spanjolle që e frymëzuan atë të bëhej një portret multiperspektiv dhe tejet kubist.

Image
Koleksioni i përhershëm i veprave të artistit në Muzeun e Picassos në Málaga ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të karrierës së tij. Foto: Ian Dagnall)

Málaga

I lindur në Málaga në vitin 1881, Picasso kaloi 10 vjet duke jetuar herë te njëra, herë te tjetra shtëpi e lartë me grila të gjelbra, në krahun e “Plaza de la Merced”, tani me bare dhe tavolina me çadra në rrugë.
Shtëpia e tij e parë, muzeu “Casa Natal”, përmban libra, mobilie dhe vepra nga babai i tij, profesori i artit, José Ruiz y Blasco. Një shëtitje nëpër qytet, duke marrë dritën, jetën e rrugës dhe pëllumbat, ofron më shumë njohuri se si vendlindja e tij i dha formë vizionit të tij dhe është e lehtë ta imagjinosh atë duke skicuar jashtë një kafeneje në “Plaza de la Constitución”, siç bëri në vizitat e mëvonshme.

Midis “Plaza de la Merced” dhe katedrales “Museo Picasso Málaga” ka një koleksion të përhershëm që përfshin periudhat e tij blu dhe trëndafili, surrealizmin dhe kubizmin – përfshirë piktura, skulptura, ilustrime dhe punime qeramike – dhe është i pakrahasueshëm për një pasqyrë të përgjithshme të tij.

Ndër ekspozitat e përkohshme “Picasso ashtu siç shihet nga Otero” (e hapur deri më 23 prill), e cila përmban shënime nga bisedat, si dhe fotografi të artistit duke punuar, të ngjallë vërtet kureshtjen.

Image
Dhoma në shtëpinë-muze të Picassos në La Coruña (Foto: Sergio Azenha)

La Coruña

Kur familja e tij u zhvendos në skajin veriperëndimor të Spanjës, Picasso u ankua se nuk pushonte shiu, nuk kishte dema dhe se i mungonte Málaga. Por më vonë ai pranoi se La Coruña – (deri në luftën civile) plot me artistë dhe intelektualë – “ia zgjoi shqisat”. Studioi në Shkollën e Arteve të Bukura ku jepte mësim babai i tij, ndërsa ekspozitën e tij të parë e hapi në Rúa Real në moshën 20-vjeçare, atëherë një dyqan mobiliesh, tani një dyqan këpucësh. Një përmbledhje e publikuar në gazetën lokale parashikoi me vendosmëri se ai kishte një të ardhme të ndritur.

Rreth 100 vepra nga kjo periudhë galike, ose të ndikuara prej saj, janë huazuar për një ekspozitë në Muzeun e Arteve të Bukura në La Coruña, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor. Një rrugë e udhëhequr prej Picassos (e disponueshme në zyrat turistike) të çon në plazhin Orzán dhe në Kullën e Herkulit për të shijuar pamjet që frymëzuan veprat (riprodhimet) të ekspozuara së bashku me ato të babait të tij, në Shtëpinë Muze të Picassos së vogël por me të ardhme të ndritur.

Barcelona

Picasso arriti në Barcelonë në vitin 1895 si adoleshent i mrekullueshëm dhe u zhvendos në Paris në vitin 1904. Rrugët e errëta të El Ravalit, pijanecët, lypësit dhe të sëmurët thatanikë, u shfaqën në kanavacat e tij të periudhës blu, ndërsa bohemët, politika, “absinthi” dhe modernizmi që gjeti nëpër bare qysh prej moshës 17-vjeçare, patën efekt të ngjashëm shpërthyes.

Thuhet se ai dhe Dali e Hemingway shkonin në “London Bar” ndonëse ai u hap pasi ai ishte larguar; dhe në “Bar Marsella”, që nuk mund të ketë ndryshuar shumë. “El Raval” nuk është as aq i mjerë, as aq nxitës sa ishte dikur.

Image
“Passeig de Colom” në Barcelonë. Picasso realizoi një vepër me të njëjtin emër duke vështruar prej ballkonit (Foto: Stefano Politi Markovina)

Përgjatë rrugës “La Rambla” në lagjen gotike “Carrer d’Avinyó”, rruga e bordellove që frymëzoi “Les Demoiselles d’Avignon” është përplot dyqane: vendi i studios së tij të parë është një hotel boutique (“Serras”), dhe qendra kryesore e intelektualëve të artit; “Els 4Gats” është një bar dhe restorant i restauruar mirë.

Herë pas here ndalesat në rrugët e udhëhequra nga Picassoja të japin emocione të forta. Për ata që e njohin “Passeig de Colom” të Picassos, pikturuar nga ballkoni i “Hotel Ranzini”, teksa qëndron aty me gruan e ardhshme, balerinën Olga Khokhlova, një pushim jashtë numrit 22 është i bezdisshëm, ndoshta sepse vendi ndodhet pothuajse në rrugë, dhe hoteli tani është një zyrë e një kompanie postare.

Piktura mund të shihet së bashku edhe me 4 mijë e 250 piktura të tjera në “Muzeun Picasso”, i cili zë pesë pallate gotike. Ky është koleksioni më i plotë i artit nga vitet e frytshme të tij, kështu që këshillohen këpucë të mira.

Image
Koleksioni i muzeut “Prado” me kryevepra të mjeshterve të vjetër, ka qenë inpirim për Picasson

Horta de Sant Joan

Sipas Picassos, gjithçka që dinte ai e kishte mësuar në këtë fshat i cili ndodhet në mes të Barcelonës dhe Valencias. Udhëtimi i parë solli peizazhe tradicionale të fermave e të fushave dhe fotografi të gomarëve. Një dekadë më vonë, duke vizituar nga Parisi (me një dashnore që bëri bujë duke ndarë shtratin me të dhe duke luajtur domino si të ishte burrë), ai kapi dhe përjetësoi “Hortan”. Qendra “Picasso” ka riprodhime dhe vegla interesante nga të dy udhëtimet. Picasso udhëtoi me tren për në Tortosa, duke ecur 40 kilometra me bagazhet e tij mbi një mushkë; me makinën më të zakonshme duhen dy orë e gjysmë nga cilido qytet.

Madridi

Në moshën 16-vjeçare Picasso kaloi një vit në “Real Academia de Bellas Artes de San Fernando” të Madridit. Madhështor për Goyan dhe mermerin e tij të freskët gjatë verës, akademia do të ekspozojë koleksionin privat më të rëndësishëm botëror me veprat e Picassos: koleksionin “Nahmad”, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 2 korrik.

Picasso anashkaloi shumicën e klasave, duke preferuar të kopjonte veprat e mjeshtërve të vjetër në Muzeun Prado. “The Prado’s Picasso – El Greco” (13 qershor – 17 shtator) me sa duket prek meritat e kësaj pune.

Image
“Guggenheimi” në Bilbao do të jetë nikoqir i ekspozitës “Picasso – skulptor” prej 29 shtatorit të këtij viti deri më 14 janar të vitit që vjen Foto: Raphael Gaillarde/Getty Images)

Diku tjetër, në Paseo del Prado, Muzeu Thyssen-Bornemisza ka hapur ekspozitën “Picasso: Sacred and Profane” (4 tetor – 14 janar 2024), ndërsa Galeria Reina Sofía, “Picasso 1906: The Great Transformation” (14 nëntor – 4 mars 2024), plus “Guernika” e plotfuqishme e cila është e ekspozuar përherë aty.

Picasso qëndroi në një hotel në Lavapiés gjatë qëndrimit të tij këtu, dhe ndërtesa (Calle de San Pedro Mártir, 5, afër majës së El Rastro) është tejet tërheqëse me muralet prej qeramike që shfaqin Picasson e ri e të vjetër, dhe disa nga veprat e tij.

Nëse ecni nga Reina Sofía deri atje, ndaloni në “La Casa Encendida” për të kapur frymëzimin e dekadave të fundit të artistit, në “Picasso: Untitled” (19 maj – 7 janar 2024) e cila është një bonus në një hapësirë frymëzuese me ekspozita, koncerte dhe kurse gjatë gjithë vitit, dhe një kafene e shkëlqyer, “Pum Pum Café”.

Guernica dhe Bilbao

“Guggenheim” i Bilbaos është vendi më i përshtatshëm për “Picasso Sculptor: Matter and Body”, i cili transferohet pas pesë muajsh në Málaga (29 shtator – 14 janar 2024). Dhe 30 kilometra në lindje është Guernica. Ndonëse ka një rëndësi të madhe kulturore për baskët, “Guernica” njihet më shumë si pikturë sesa si qytet, dhe vizita mund të jetë antiklimatike. Kryevepra, e prodhuar si përgjigje ndaj bombardimeve ajrore të prillit të vitit 1937, të udhëhequra nga forcat gjermane dhe ato italiane në mbështetje të Frankos, e cila la 2500 të vdekur ose të plagosur dhe rrafshoi pothuajse gjithçka përveç sallës së Asamblesë – është një përshkrim i jashtëzakonshëm i agonisë. Qyteti, i rindërtuar, është pak i mërzitshëm.

Megjithatë, përveç një tregu të jashtëzakonshëm të së hënës, Guernica ka Muzeun e Paqes, i cili detajon sulmin dhe një version qeramik të Guernicës tjetër, më të famshme, të bërë në shkallë.

Buitrago del Lozoya

Me vetëm një orë me makinë, në veri, nga Madridi deri në A-1, ose një udhëtim me autobus nga “Plaza de Castilla”, ky fshat piktoresk me kështjellë mesjetare dhe mure të ndërtuara nga arabët, i zhytur në grykën e një lumi, krenohet me një koleksion unik personal të Picassos. Fshatari Eugenio Arias u takua me Picasson teksa jetonte në Francë dhe për 26 vjetët e fundit të jetës së artistit ishte miku dhe berberi i tij. Ai la trashëgim shumë nga dhuratat e Picassos: litografi, qeramika, posterë, skica, libra dhe foto në bashkinë e qytetit, e cila tani strehon “Muzeun Picasso – Koleksioni i Eugenio Arias”.

Marrë nga “The Guardian”. /koha.net/

Almanart