Nikos KAZANTZAKIS: Asketika (fragment)

Një Eros i furishëm përshkon Gjithësinë. Është porsi eteri: më i fortë se çeliku, më i butë se era.
Përshkon gjithçka, largohet, ikën vjedhurazi. Nuk kapet pas një çikërrime të zjarrtë, nuk bëhet skllav i trupit të dashur. Është Eros Militant. Përtej supeve të të dashurit kundron njerëzit tek luhaten e rënkojnë si valë, kundron si bashkohen e vdesin kafshët e bimët, kundron Zotin që rrezikon dhe i thërret: “Shpëtomë”!
Eros? Si mund ta quanim ndryshe vrullin që, sapo sheh lëndën, joshet prej saj dhe dëshiron ta puthitë fytyrën mbi të? Sheh trupin dhe dëshiron ta përshkojë, të bashkohet me klithmën tjetër erotike që fshihet brenda tij, të bëhen një, të përhumben, të bëhen të pavdekshme brenda të Birit.
I afrohet shpirtit dhe dëshiron të bashkohet, të mos ekzistojnë “unë” e “ti”; fryn mbi njerëzit dhe do që të mposhtë qëndresën e mendjes e trupit, të bashkohen gjithë frymët, të bëhen erë e furishme, ta çojnë tokën peshë!
Në çastet më të rëndësishme, Erosi rrëmben dhe bashkon dhunshëm njerëzit, miq e armiq, të mirë e të ligj, është frymë më e epërme se ta, e pavarur nga dëshira dhe bëmat e tyre. Është fryma e Zotit, frymëmarrja e tij mbi tokë!
Zbret mbi njerëzit në trajtën që dëshiron. Si vallëzim, si dashuri, si uri, si fe, si mizori. Nuk na pyet.
Brenda magjes së madhe të tokës, në këto çaste vendimtare, Zoti mundohet të brumosë mishin e mendjet tona dhe të hedhë brenda kësaj vorbulle të pamëshirshme gjithë brumin e t’i japë fytyrë: fytyrën e tij.
Nuk trazohet nga pështirosja, nuk dëshpërohet brenda rropullive të dheshme e të zymta. Punon, shkon më tej, u ha mishin, kapet nga barku, zemra, kërthiza, fallusi e mendja e njeriut.
Nuk është kryefamiljar i paanshëm, nuk u ndan gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë bukën e mendjen. Padrejtësia, Ashpërsia, Tmerri, Uria janë katër pelat që tërheqin qerren e tij mbi tokën e ashpër.
Nuk mbruhet Zoti me lumturi, rehati e lavdi, por vetëm me turp, uri e lot. Në çaste vendimtare, një grup njerëzish rrezikonin në pararojë, dhe luftonin duke marrë përsipër gjithë peshën e betejës.
Njëherë e një kohë, klerikët, mbretërit, prijësit, qytetarët, krijonin qytetërime, dhe çlironin hyjninë.
Sot Zoti është argat, i ndërsyer nga rropatja, zemërimi e uria. Mban erë duhan, verë e djersë. Mallkon, uritet, pjell, s’mund të flejë, ulëret nga brenda qilarëve e jashtë dhe u kanoset të gjithëve.
Ajri ndryshoi, frymojmë një pranverë të rëndë, mbushur me farë. Zëra përreth. Kush thërret? Ne thërrasim, njerëzit – të gjallët, të vdekurit e të palindurit. Por, befas na pllakos frika dhe heshtim.
Harrojmë për shkak të dembelizmit, zakonit e frikës. Por papritmas, Klithma na shqyen, si shqiponjë, rropullitë.
Pasi nuk dëgjohet nga jashtësia, nuk vjen nga larg, që t’i shpëtojmë. Brenda zemrave tona qëndron Klithma e thërret.
“Digje shtëpinë!”, thërret Zoti. “Po vij!”. “Kush ka shtëpi, nuk mund të më pranojë”.
“Digji idetë, dërrmoji arsyetimet!”. Kush ka gjetur zgjidhjen, nuk mund të më gjejë”.
“Dashuroji të uriturit, të paqetët, vagabondët. Ata përjetësisht kanë në mendje urinë, rebelimin, udhën e pambarimtë – Mua!”
“ Po vij! Lër gruan, fëmijët, idetë dhe më ndiq. Jam Vagabondi i madh”.
“Më ndiq! Ec mbi harenë e trishtimin, paqen, drejtësinë e virtytin! Përpara! Shkatërroji idhujt, shkatërroji, nuk më nxënë! Shkatërrohu edhe ti, që të kaloj!”.
Zjarr! Kjo është detyra jonë sot, brenda një kaosi kaq të pamoralshëm e të pashpresë.
Luftë jo besimtarëve! Jobesimtarë janë të kënaqurit, të nginjurit e shterpët.
Urrejtja jonë s’bën kompromise, pasi është e vetëdijshme që punon me erosin, më mirë e më thellë se çdo dashuri e venitur filantropike.
Urrejmë, nuk qetohemi, jemi të padrejtë, të ashpër, plot vramendje e besim, kërkojmë të pamundurën, sikurse të dashuruarit.
Zjarr! Që të pastrohet toka! Të hapet një hon akoma më i tmerrshëm mes së mirës e së keqes, të rritet padrejtësia, të zbresë Uria, dhe të na grijë rropullitë, ndryshe nuk kemi shpëtim.
Një çast kritik dhe i dhunshëm, është epoka jonë, një botë gremiset, një tjetër ende nuk ka lindur. Epoka jonë nuk është një çast baraspeshimi, ku mirësjellja, kompromisi, paqja e dashuria, do ishin virtyte të frytshme.
Jetojmë mësymjen e frikshme, kapërcejmë trupat e armiqve, trupat e miqve që na kanë mbetur, rrezikohemi brenda kaosit, mbytemi. Nuk na nxënë më virtytet dhe shpresat e vjetra, teoritë dhe veprimet e vjetra.
Fryn erë shkatërrimi; kjo është sot fryma e Zotit tonë; le t’i shkojmë pas! Era e shkatërrimit është kapërthimi i parë vallëzues i shtjellës krijuese. Fryn mbi krye e qytete, rrënon idetë e shtëpitë, kalon nga shkretëtirat e thërret: Gatituni! Luftë! Luftë!”
Kjo është epoka jonë, e mirë apo e keqe, e bukur apo e shëmtuar, e pasur ose e varfër, nuk e zgjodhëm ne. Kjo është epoka jonë, ajri që thithim, balta që na u dha, buka, zjarri e shpirti!
Le të pranojmë trimërisht nevojën. Luftarak rastisi të jetë shorti ynë, le të shtrëngojmë fort brezin, le të armatosim trupin, zemrën e mendjen! Të zëmë pozicion në luftë!
Lufta është sunduesja e ligjshme e kësaj kohe. Sot, njeri i përsosur e i virtytshëm, është vetëm njeriu-luftëtar. Pasi vetëm ai, besnik i frymës së kohës, duke shkatërruar, urryer e dëshiruar, ndjek urdhrin bashkëkohor të Zotit.

Përktheu: Eleana Zhako

Burimi/revistaletrare/

Almanart