Search
Close this search box.

Nis “Skaj Session” – Program muzikor te “Kino Lumbardhi” Prizren

Skaj Sessions do të nisë me 26 prill në hapësirën e Kino Lumbardhi dhe do të paraqesë një program muzikor që në thelb mban peshën e të eksperimentuarit, të qenurit në ndërlidhje të fortë me çka mbërrijmë të kapërcejmë, tolerojmë dhe pranojmë.

Muzika si pikë lidhëse e këtij sentimenti, sjell një seri grupesh prej Polonisë në Japoni, e prej Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe rajonin tonë të zgjeruar, nën temën e skajit, si një mundësi për t’i artikuluar shtresimet e shumëllojta muzikore, të përkapet tharmi i revoltës, qetësisë, agonisë, apo edhe ndjenjave iluzive. Çfarë është skaji, pos se nevoja për të rregulluar botën, e për t’i dhënë rend rrëfimeve që tregojmë për veten dhe të tjerët.

Skaj Session hap një rrugëtimin e vet muzikor mes dy perfomancave e së bashku me temën që e kemi përcjellë eksplorohen tema të guximshme mes eksperimentimit mbi çfarë mundemi të kapërcejmë, tolerojmë apo pranojmë.

Së pari do të jetë bendi Siksa në Prizren, një duo muzikore feministe që ndërthur energjinë e koncerteve punk, poezisë së interpretuar dhe vallëzimit bashkëkohor. Muzika e tyre është personale, politike ndërsa gjen mënyra për të shqiptuar pikëtakimin mes çfarë nuk flitet e çfarë nuk dëgjohet. Falë ndërveprimeve të tyre me audiencën, secila shfaqje përcjell perfomanca unike e dramatike. Edhe pse të gjendur në limite të instrumenteve apo paraqitjes skenike, kjo duo gjen forcën për të krijuar udhën e tyre te dëgjuesit.

Po në të njëjtën natë do të interpretojë Putan Club, një duo prej Italisë dhe Francës që qëndrojnë sikur një makinë kohore dhe gjurmë e së ardhmes për çka do të thotë të kesh guxim, të jesh revolucionar/e, e natyrisht si shëmbëlltyrë e lirisë që vjen mes muzikës. Rezistenca e tyre orientohet mes metodave të menjëhershme dhe arkaike të këtij shekulli: zëra elektrikë dhe thashethemnajë, tanqe dhe fjalë të numëruara, si të themi, puna e tyre përvijon po aq gjatë sa është dashur të kalojmë prej vizatimeve në shpella e deri te rryma të guximshme konceptualizmi, prej avant-rrokut deri te muzika bashkëkohore klasike, e mandej te tinguj më brutalë techno dhe house. Ata kanë performuar në shtete dhe festivale të ndryshme [Amplifest (PT), Bazant Pohoda (SK), Tomorrow Fest (Shenzhen, Kinë), Milhoes (PT), Croisements festival (Beijing, RPC)] e do të jenë së shpejti në Prizren për një natë ekzaltuese.

Nisja e programit “Skaj Session” do të jetë më 26 prill 2024, ora 21:00 dhe hyrja do të jetë e lirë.

Almanart