Search
Close this search box.

Një ekspozitë fotografike për shkrimtarët, nga Roland Tasho

Karrigia me firmat e shkrimtarëve të njohur shqiptarë, ata që bënë historinë e letërsisë shqipe, ekspozohet në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, shoqëruar me një ekspozitë fotografike nga Roland Tasho. Fotografi sjell për herë të parë në një ekspozitë karrigen me firmat e 43 shkrimtarëve të njohur shqiptarë nga 1998 deri në vitin 2000. Shkrimtari Nasi Lera duke hedhur firmën e tij në vitin 1999, Fatos Kongoli në vitin 1998, Mimoza Ahmeti dhe Kolë Jakova ishin në disa prej fotografive që u ekspozuan në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Cikli nis me çiftin Kadare e mbyllet me shkrimtarin Ben Blushi. Roland Tasho është fotoreporter shqiptar i njohur për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve ’90, dhe një sërë albumesh që kanë në qendër komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë. Duke nisur nga viti 2001, Roland Tasho është botues i 14 albumeve fotografike, shumica e të cilëve kanë dokumentuar jetën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të tyre. “L’Altra Albania” (2002), “Bridge Builders” (2008), “I speak Albanian” (2010), “Les Albanais de France” (2011), “Shqiptarë në Greqi” (2012), “Shqiptarë në Çeki” (2018) dhe “Shqiptarë në Hungari” (2019)  paraqesin portrete shqiptarësh që u përkasin jetës së zakonshme e figura të shquara. Si fotograf  Roland Tasho ka një numër të madh ekspozitash të hapura brenda dhe jashtë vendit. Ai mori medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1988 dhe katër vjet më vonë fitoi çmimin e parë në Konkursin e Fotografisë Artistike “Click Sagra” në Ankona. Në vitin 1996 u shpall “Fotografi i vitit” nga Drejtoria e Rinisë në Ministrinë e Kulturës dhe fitoi çmimin e tretë në konkursin ndërkombëtar “Marubi”. Në vitin 2016 u vlerësua me një medalje mirënjohjeje nga presidenti hungarez Ader Janos. Ekspozita që u hap në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit vjen në vijim të aktivitetit dhe të veprimtarive që janë zhvilluar gjatë këtij viti.

Almanart