Sot kujtojmë Petrit Rukaj në 70 vjetorin e lindjes, me 2 poezi shumë identifikuese “Njerëz pa rrënjë” dhe “Baba, ne ikëm”.
“NJERËZ PA RRËNJË“
Gjithmonë e më shumë shtohen njerëzit pa rrënjë,
ata që nuk kanë më
një shtëpi të tyre.
I marrin me qira të gjitha… dhe ëndrrat,
i rrëmojnë e i shkulin në libra psikologjie.
Pa rrënjë tani ngjajnë me pemët e shkulura,
tek varret e prindërve shkojnë rrallë e më rrallë,
xhezven e nënës së vdekur e kanë hedhur
kafen e pinë rrugëve
në këmbë si kuaj.
Nuk kanë miq shtëpie, i çojnë në hotele
aty u shtrohet fjetja, buka dhe vera,
me qira, me kredi të gjitha,
të gjitha
dhe emrat e dytë, kombësitë e tjera.
Babai i vdekur drejt e nga spitali
me qira tek “Funerali”
fle natën e fundit,
dhe vajzat e tij mbajnë syze të errëta
të mos iu shkrijë nga lotët lapsi i plumbit…
Me qira sot fytyrat, një tjetër dhe një tjetër
ndërrojnë lëkurën si gjarpri
në klinika të shtrenjta,
ndër romane i huajnë fëmijëritë që nuk patën
kujtimet e florinjta, mallet e argjendta.
Mëmësinë mund ta blesh me para në një bankë
mbjell në bark një bebe
pa baba e pa gjyshe,
gjithmonë e më shumë takoj njerëz pa rrënjë,
(dhe oh sa më dhemb kjo bota “Ndryshe”.)
“BABA, NE IKËM…“
Baba, ne ikëm, shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta
Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)
U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gjithçka është gati në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën
Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole, botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri.
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot tërë bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…
Autori dhe veprat e tij
Petrit Ruka ka lindur në Tepelenë më 21.08.1954. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasuniversitare për dramaturgji filmike, në Akademinë e Arteve të Bukura, përgjatë viteve 1985 – 1986. Ka punuar si pedagog në “Shkollën e Mesme të Përgjthshme” Tepelenë, gjatë viteve 1976 – 1984. Gjatë viteve 1986 – 1996 punoi si skenarist dhe regjisor pranë Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe “Alba Film Studio”. Ka shërbyer si Drejtor në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve dhe Kryetar i Qëndrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005.
Ka botuar:
1. “ Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
2. “ Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
3. “ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
4. “ Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
5. “ Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003
6. “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
7. “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009
8. “Iso dashurie“ Ars Poetika & Petrit Ruka, poezi e zgjedhur 2015
9. “Nëntë vjet e nëntë ditë“ Poemë baladeske, 2015
Ka realizuar me shume se 40 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.
Si skenarist: filma artistik. Vepra tё ekranizuara:
1. “Eja” 1986, skenari pёr film artistik, regjisor Piro Milkani.
2. “Njё i tretё “ 1987, skenar pёr film artistik, met. i shkurtёr, regjisor F.Koçi.
3. “Lumi qё nuk shteron” 1988, skenar pёr film artistik, regjisor Fatmir Koçi.
4. “Njё djalё dhe njё vajzё” 1989. skenar, film artis, regjisor I. Muça. K. Mitro.
5. “Vazhdojmё me Bethovenin” 1995 skenar pёr film artistik, regjia S. Pecani
Filma dokumentarë.
1. “Shembja e idhujve” 1994 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
2. “Tё burgosurit e galerisё” 1994, sken pёr film dok, regjisor S.Kumbaro
3. “Nёnё Tereza” 1999, skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
4. “ Butrinti i gjallë” 1996 skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka
5. “Në fillim ishte Ademi” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
6. “Braktisja e Madhe” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
7. “Qyteti mbi gur” 2002 skenar pёr film dokumentar, regjisor Eli Bici.
8. “Qyteti mbi naftё” 2003 skenar pёr film dokument, regjisor P. Dervishi.
9. “Nënë Tereza” 2004 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjoni.
10. “Drama Fadil Paçrami“ 2006 skenar pёr film dokument, regjisor N.Ajazi.
11. ’’Atdheu lind nga tё rёnёt’’ 2006 skenar pёr film dokum, regjia Esat Ibro.
12. “Kur vriteshin poetët” 2007 skenar për film dokumentar. Regjia N.Ajazi.
13. “Poet i ekranit” skenar për film dokumentar. regjia P. Ruka.
14 “Aleksandër Moisiu“ skenar për film dokumentar. regjia N. Ajazi.
15. “Unë jam Ismail Qemali“ skenar për film dokum. regjia Viktor Gjika.
Filma vizatimorë.
1. “I vdekuri i gjallё” 1993, skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
(shpallur skenari mё i mirё i filmit nё Fest e 10 kombёtar tё Filmit shqiptar.)
2. “Ekuilibёr” 1994 skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
3. “Nёntё vjet e nёntё ditё” 2001, skenar pёr film vizatim, regjia Artur Dauti.
Si regjisor ka realizuar: (skenari dhe regjia)
1 “Njëqind për qind” 1994 film artistik, skenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
2. “Plumbi prej plasteline” 1995 film art, s kenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
3. “Butrinti i gjallë” 1998. dok. për Kadri Roshin, skenari e regjia Petrit Ruka.
4. “Në fillim ishte Ademi” 1999 dok. për A, Jasharin, skenar e regji P. Ruka.
5 “Braktisja e Madhe” 2001 dok për emigrimin. skenari e regjia Petrit Ruka.
6. “Kapedani i këngëve”, 2005 dok. poetit Maliq Lila. S kenar e regji P. Ruka.
7. “Amanet Labërinë” 2006. Dok. për Enver Guga. skenari e regjia P. Ruka.
8. “Me varrin hapur” 2006 dok për L. Mërkurin. skenar e regji P. Ruka.
9. “Bolenë, trimja Bolenë” 2007 dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
10. “Aulona Folk Inernacinal Festival“ I 2009 dok. skenar e regji P. Ruka.
11. “Folk Inernacinal Festival“ II film dok. S kenari e regjia Petrit Ruka.
12. “Folk Inernacinal Festival“ III film dokument. skenari e regjia Petrit Ruka.
13. “Poeti i ekranit, Viktor Gjika” 2009 film dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
14. “Homerët e filmit ballkanik“ – vëllezërit Manaqi. dok. sken e regji P/ Ruka.
15. “100 vjet me Himnin e Flamurit“ film dokum. skenari e regjia P. Ruka.
16. “Flamurmbajtësi i Vatrës“ film dokumentar. skenari e regjia P. Ruka.
17. “Syri i Shqiponjës“ film dokumentar. skenari e regjia. Petrit Ruka.
18. “Buzët tek kënga…“ dok për poetin Agim Shehu. skenar regji. P. Ruka.
Të tjera:
1. Anëtarë i disa bordeve artistikë në RTSH. QKK dhe institucione të tjera.
2. Pjesëmarrës në disa Koferenca Kombëtare e Ndërkombët, për Kinematog,
3. Autor i një sërë shkrimesh në shtypin letrar, reportazhe, ese, artikuj për kulturën e kinematografinë.
ÇMIME LETRARE DHE FILMIKE
Çmimi libri më i mirë poetik i vitit 1983 me vëllimin “Atdheu fillon tek zemrat”. Disa cmime të para dhe të dyta për cikle poetik në shtypin letrar në gazetën “Drita” dhe “Nëntori” në vitet 1980- 1990
Çmimi i parë për skenarin e filmit “I vdekuri i gjallë” në Festivalin e 10-të Kombëtar Kinematografik 1993
Çmimi i parë për kameran në filmin artistik “Plumbi prej plasteline” në Festivalin Kombëtar Kinematografik 1995
Çmimi “Dokumentari më i mirë i Jubileut 2012” për filmin dokumentar “Kryekënga e Kombit” viti 2012
Çmimi i Akademisë KULT për dokumentarin më të mirë të viti 2012 për filmin “Kryekënga e Kombit” viti 2013
Çmimin poeti më i mirë i viti 2013 nga Fondacioni letrar “Harpa” Fier.
Çmimi i parë poetik në Manifestimin poetik të Pejës, 2015
TITUJ
Skenarist, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1988
Regjisor i filmit, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1995
MJESHTËR I MADH, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me dekretin nr, 9371, Tiranë, më 18 dhjetor 2015 me motivimin e mëposhtëm: “për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrim-tar e publicist i shquar”.