“Opera për tre grosh” vepër e dramaturgut Bertolt Brecht premierë në skenën teatrore

“Opera për tre grosh” nga dramaturgu gjerman Bertolt Brecht premierë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Një kryevepër botërore, e cila sfidon normat sociale dhe na bën të pyesim veten: A është e mundur të jesh i ndershëm në një shoqëri që nuk e vlerëson ndershmërinë? Me regji nga regjisori japonez Kuniaki Ida këtë tetor vepra e Brecht shënoi premierën në teatrin e Shkodrës, por puna për këtë shfaqje ka nisur disa kohë më parë, ku nuk ka munguar dhe audicion për aktorët në role. “Opera për tre grosh” bazohet në veprën e dramaturgut Bertolt Brecht, ku më herët regjisori japonez Kuniaki Ida bëri me dije se shfaqja nuk do të ketë vetëm karakter argëtues, por sipas tij edhe reflektues. “Kjo shfaqje është e vitit 1930 dhe tani jemi në 2024, pra mbi 100 vite kanë kaluar. Tematika që ai ka prekur ngjan shumë aktuale edhe në ditët e sotme. Kjo e bën publikun të reflektojë më shumë”, tha regjisori për mediat. Paraja sundon botën dhe shoqëria drejtohet nga kriminelë dhe të korruptuar, me pjesën më të madhe të ngjarjeve që zhvillohen në rrugë dhe në burgje. Sipërmarrësit përfitojnë dhe e shfrytëzojnë mjerimin për biznes. Kryekrimineli dhe kreu i policisë janë bashkëpunëtorë. Në një botë të padrejtë aftësia për të mbijetuar shpesh kërkon t’i kalosh kufijtë e moralitetit.

Kjo vepër teatrore ka angazhuar një kastë artistësh të njohur. Në role janë Rafael Hoxhaj, Pjerin Vlashi, Merita Smaja “Mjeshtre e Madhe”, Jozef Shiroka, Vlora Dervishi, Zana Berisha, Vladimir Doda, Evis Muriqi, Bujar Hoxhaj, Fritz Selmani, Nikolin Ferketa, Aleksandër Prenga, Denisa Luanaj, Vitmir Alikokej. Kostumografia Iliriana Basha, koncertmaestër Markelian Kapidani skenografia Divni Gushta. Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX, ku në skenën e Shkodrës erdhi vepra e tij “Opera për tre grosh”. Por disa kohë më parë te teatri “Migjeni” u mbajt audicioni për veprën e famshme të Bertolt Brecht nën drejtimin e regjisorit të njohur japonez, Kuniaki Ida, dhe me përkrahjen e Bashkisë Shkodër. Aktorë nga Shkodra, Tirana dhe Kosova sipas teatrit, përfshirë edhe shumë talente nga festivali për të rinj, morën pjesë në këtë audicion intensiv, i cili u zhvillua në formën e një workshopi, duke testuar aktorët në aspekte fizike, vokale dhe improvizuese, për t’u vlerësuar sipas kërkesave të regjisorit.

Bashkëpunimi për veprën

Instituti Italian i Kulturës bën gjithashtu me dije për bashkëpunimin me Sardegna Teatro për realizimin e shfaqjes teatrale “Opera për tre grosh” të Bertold Brecht në teatrin “Migjeni” në Shkodër me regji të Kuniaki Ida. Shfaqja vijon në datat 4 dhe 5 tetor, si dhe net të tjera për publikun. “Opera për tre grosh” është një dramë e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht, botuar dhe interpretuar për herë të parë në Berlin në vitin 1928. Ndër veprat më të njohura dhe më të interpretuara të këtij autori, ajo është frymëzuar nga Opera e Beggar-it, një operë baladë e autorit anglez Xhon Gay. Në Itali shfaqja e parë u dha në vitin 1956, me regji të të famshmit Giorgio Strehler. I diplomuar në Kolegjin Toho të Teatrit dhe Arteve në Tokio, Kuniaki Ida më vonë iu bashkua studios prestigjioze Kobo Abe. Studioi teatrin tradicional japonez, Noh dhe Kyogen dhe u diplomua pranë “Jacques Lecoq International School of Theater” në vitin 1975. Që nga viti 1976 banon kryesisht në Itali. Ka punuar si docent pranë Civica Scuola d’Arte Drammatica ‘Paolo Grassi’ nga viti 1989 deri në vitin 2020. Si regjisor i shfaqjeve teatrore dhe muzikore dhe docent teatri ka punuar në Itali, Japoni, Kore, Portugali, Gjermani, Afrikën e Jugut, Hong Kong, Indi dhe Francë./sot/

Almanart