Orkestra e RTSH koncert me vepra nga Briccialdi, Liszt dhe Tchaikovsky

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vjen me një koncert këtë mbrëmje. Në sallën e Universitetit të Arteve një mbrëmje muzikore me një repertor të larmishëm me vepra nga kompozitorë si Briccialdi, Liszt dhe Tchaikovsky. Solistë të koncertit janë Jonela Golemi dhe Eni Barbullushi. Dirigjent Gridi Kraja. Programi: Giulio Briccialdi “Il Carnevale di Venezia” Op.77  soliste Jonela Golemi – flaut; Franz Liszt “Piano Concerto No.1” solist Eni Barbullushi – piano; Pyotr Tchaikovsky “Simfonia Nr 4”. “Simfoninë, nr 4” në Fa minor, op 36, Çajkovski e shkroi për mikeshën e tij, Nadezhda von Meck, dhe do të shkruante mbi të “Dedikuar shoqes sime më të mirë”. Në materialin të faqja e orkestrës thuhet se Franz Liszt e kompozoi Koncertin e tij për Piano nr. 1 gjatë një periudhe 26-vjeçare; temat kryesore datojnë nga viti 1830, ndërsa versioni përfundimtar daton më 1849.

Koncerti përbëhet nga katër kohë dhe zgjat afërsisht 20 minuta. Premiera u dha në Weimar më 17 shkurt 1855, nën drejtimin e Hector Berlioz, ndërkohë që solist në piano ishte vetë Liszt. Temat kryesore të këtij koncerti janë shkruar në një libër skicash të vitit 1830, kur Liszt ishte 19 vjeç. Ai duket se e ka përfunduar veprën më 1849, por ka bërë rregullime të mëtejshme deri më 1853. Giulio Briccialdi (flautist, kompozitor) vijon materiali te faqja e Orkestrës së RTSH konsiderohet si një nga virtuozët më të mëdhenj të flautit të të gjitha kohërave. Kompozimet e tij tregojnë sesi gjenialiteti i tij instrumental ishte në gjendje të bashkonte një shkëlqim teknik brilant me frymën e vërtetë të Belcantos italiane. Melodia e njohur zakonisht si “Karnavale në Venecia” ishte një këngë popullore veneciane e titulluar “O Mamma Mia”.

Ishte virtuozi i violinës, Paganini ai që e popullarizoi melodinë në një sërë variacionesh, me të cilat ai demostroi virtuozitetin e tij të jashtëzakonshëm në sallat e koncerteve anembanë Evropës në shekullin e 19-të. Ndërkohë variacionet e Briccialdit të shkruara për flaut janë mjaft të guximshme përsa i përket teknikave interpretuese, ku tempit të shpejtë të veprës i bashkohet dhe teknika e staccato-s së dyfishtë dhe trefishtë. Në vijim të sezonit artistik të tjerë koncerte do të vijnë nga kjo orkestër për publikun./sot/ 

Almanart