Paolo Taviani – maestroja klasik i kinemasë italiane


Regjisori, i cili fitoi “Palmën e Artë” për filmin “Padre Padrone” të vitit 1977, la gjurmë në kinematografinë klasike italiane më shumë se tri dekada, duke krijuar vepra që preknin dhe politikën. Për më shumë se tri dekada Taviani dhe vëllai i tij Vittorio formuan një nga dyshet më të mëdha regjisoriale të kinemasë

 Regjisori italian, Paolo Taviani, filmi biografik i të cilit fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Cannes, i titulluar “Padre Padrone”, ka vdekur në moshën 92-vjeçare, ka njoftuar të enjten kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri.

Për më shumë se tri dekada Taviani dhe vëllai i tij Vittorio formuan një nga dyshet më të mëdha regjisoriale të kinemasë. “Paolo Taviani, një maestro i madh i kinemasë italiane, na la”, ka shkruar Gualtieri në “X”. Vëllezërit “krijuan filma të paharrueshëm, të thellë, të përkushtuar, që hynë në imagjinatën kolektive dhe në historinë e kinemasë”, ka shtuar Gualtieri.

Sipas raportimeve të mediave, Taviani vdiq në një klinikë në Romë pasi vuante nga një sëmundje që nuk zgjati shumë. Gruaja dhe dy fëmijët e tij ishin pranë tij, përderisa varrimi i Tavianit do të bëhet të hënën.

Së bashku me Vittorio, i cili vdiq në vitin 2018, vëllezërit Taviani bënë filma të mbështetur në çështje politiket dhe sociale për më shumë se gjysmë shekulli. “Padre Padrone”, një film i zhvilluar në Sardenjë, mori “Palmën e Artë” në Cannes në vitin 1977. Filmi është një adaptim i romanit autobiografik të Gavino Leddas për një bari të ri, që i shpëton kontrollit despotik të babait të tij.

Ish-presidenti i Festivalit të Cannes, Gilles Jacob në një prononcim pë AFP-në, ka thënë se Paolo Taviani ishte “gjysma e një dysheje magjepsëse”.

Pas vdekjes së vëllait të tij në vitin 2018, Paolo Taviani shfaqi premierë një film të tijin. “Leonora Addio”, e cila u shfaq në Festivalin e Filmit në Berlinale në 2022, eksploron vdekjen dhe trashëgiminë e përpjekjeve krijuese dhe u bazua në një ide që kishte lindur nga të dy vëllezërit.

“Pavarësisht vdekjes së Vittorios, ai është ende me mua”, kishte thënë Taviani për AFP-në në atë kohë.

Ai përshkroi se si vëllezërit ishin frymëzuar nga mjeshtri i neorealizmit, regjisori italian Roberto Rossellini. “Kur vendosëm të bënim filma, Vittorio ishte 18 vjeç dhe unë 16. Dhe kjo ndodhi, sepse pamë ‘Paisan’ nga Rossellini” kishte thënë Taviani. “E kuptuam se nëse filmat mund të ndryshojnë jetën dhe mund të na zbulojnë ne, të vërtetën tonë, atëherë ne donim të bënim filma gjithë jetën tonë”, ka thënë ai.

Jacob ka thënë se Paolo dhe Vittorio ishin “trashëgimtarë të Rosselinit”, duke shtuar se “…një lloj hiri preku filmat e tyre me ashpërsi morale dhe poezi të paimitueshme”. “Padre Padrone” dhe drama luftarake e vitit 1982, “Nata e yjeve”, ishin mrekulli fuqie dhe delikatese, ka shtuar Jacob. Një tjetër film i dyshes i vlerësuar nga kritika e filmit është “Caesar Must Die” i vitit 2012, që mori “Ariu i Artë” në festivalin e filmit në Berlin.

Taviani u lind në vitin 1931 në San Miniato të Toskanës. Babai i vëllezërve ishte një avokat antifashist dhe ata kishin interes të hershëm për çështjet sociale, të cilat i përkthyen në ekran me vepra të njohura për përzierjen e tyre të historisë, analizave psikologjike dhe lirizmit.

“Vdekja e tij lë një zbrazëti të paplotësueshme jo vetëm në botën e kinemasë, por në zemrat e të gjithë neve që ndamë origjinën e tij, por edhe dashurinë e tij për këtë tokë”, ka thënë Eugenio Giani, guvernatori i Toskanës.

Marrë nga ”Agence France Presse”. Përktheu: Enis Bytyqi/koha/

Almanart