Pas 30 viteve ndalesë tani lejohet fotografimi i pikturës “Guernica”

Ndalimi për të shkrepur fotografi të pikturës ikonike të Picassos, “Guernica” (1937) është hequr nga drejtori i ri i muzeut “Reina Sofía”, Manuel Segade. Kufizimet e imazhit kanë qenë në fuqi për më shumë se 30 vjet.

Spanja ia bleu Picassos “Guernican” e cila tregon mizoritë e Luftës Civile Spanjolle në vitin 1937. Piktura qëndroi në Muzeun e Artit Modern të New Yorkut gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas kërkesës së artistit dhe më pas u kthye në Spanjë në vitin 1981. Ajo u vendos në muzeun “Prado” deri në vitin 1992, kur u transferua në “Reina Sofía”.

Ndalimi është larguar që nga fillimi i këtij muaji. Zyrtarët e Muzeut shpresojnë se kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e fluksit brenda institucionit dhe, po ashtu, për të arritur një audiencë të re.

Verën e kaluar këngëtari i “Rolling Stones”, Mick Jagger, kishte një rast që privatisht ta shihte “Guernican” derisa Muzeu ishte i mbyllur, kohë gjatë së cilës ai u lejua të bënte një fotografi të pikturës.

Për dekada, fotografitë e vizitorëve kanë qenë një çështje e debatuar shumë. Disa thonë se mund të dëmtojë veprat e pambrojtura dhe nuk është një zëvendësim për t’i përjetuar veprat origjinale.

“Guernica” është një pikturë me dimensione të mëdha, vaj në pëlhurë dhe një nga veprat më të njohura të artistit spanjoll Pablo Picasso. Nga shumë kritikë është cilësuar si piktura më prekëse dhe më e fuqishme kundër luftës në krejt historinë e artit pamor. Piktura në bardhezi me dimensione 3.49 me 7.76 metra portretizon vuajtjet e shkaktuara nga dhuna dhe kaosi. Paraqet një kalë, një dem, gra që bërtasin, një foshnjë të vdekur e një ushtar të copëtuar. Gjithçka rrethohet nga flaka.

Picasso e kishte punuar “Guernican” në shtëpinë e tij në Paris si përgjigje ndaj bombardimeve të 26 prillit 1937 në Guernica, një qytet i zonës baske në veri të Spanjës që u bombardua nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste me kërkesë të nacionalistëve spanjollë. Pas përfundimit, “Guernica” u ekspozua në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit 1937, dhe më pas në vende të tjera në mbarë botën. Ekspozita turistike u përdor për të mbledhur fonde për të ndihmuar spanjollët për luftën. Piktura shpejt u bë me nam të madh dhe e vlerësuar gjerësisht duke bërë që Lufta Civile Spanjolle e viteve 1936-1939 të marrë vëmendje edhe më të madhe.

Almanart