Pas 44 vjetësh, mbyllet libraria e parë arabe në Londër

Libraria Al-Saqi Books përfaqësonte një thesar veprash letrare për emigrantët arabë në Londër dhe vizitorët njësoj

Një zbritje finale e çmimit të librave siguroi një rrjedhë të qëndrueshme klientësh që hynin dhe dilnin, shumica duke shprehur konfuzion dhe zhgënjim për lajmin se libraria ikonë e Londrës, e vendosur në zonën e Bayswater, do t’i mbyllë dyert e saj për herë të fundit më 31 dhjetor.

“Është një trend kaq i trishtueshëm,” mërmëriti një burrë i moshuar në një dialekt sirian ndërkohë që qëndronte pranë arkëtarit.

“Njerëzit nuk duan të lexojnë më libra; ata preferojnë tabletët dhe laptopët e tyre.”E themeluar në vitin 1978 si libraria e parë arabe në Londër, ‘Al-Saqi Books’ përfaqësonte një thesar veprash letrare për mërgimtarët arabë që jetonin në Londër dhe në mbarë Evropën.

Ishte një destinacion me rendësi për arabët që e vizitonin Londrën, të cilët ishin të kënaqur nga fakti se mund të gjenin dhe blenin libra që përndryshe do të censuroheshin në vendet e tyre.

“Për turistët arabë, ‘Saqi Books’ ishte një vend që duhej vizituar”, tha Badr al-Modaires, shkrimtar kuvajtian në fund të të 60-ave, i cili udhëton në Londër katër herë në vit.

“Është një nga simbolet në Londër,” shtoi ai.

“Gjatë çdo vizite këtu, më duhet të shkoj dhe të blej libra për veten dhe miqtë e mi, të cilët më japin një listë të asaj që duan.”

“Një shtëpi larg shtëpisë”

Tingulli ritmik i këngës së famshme të këngëtares algjeriano-libaneze Warda, Batwanes Beek, që filtrohej në të gjithë dyqanin, bëri pak për ta lehtësuar dhimbjen e Salwa Gaspard.

Si një nga bashkëthemeluesit, mbyllja e librarisë pas 44 vjetësh ishte gjëja e fundit që ajo donte.

“Kam shpenzuar një jetë duke u kujdesur për këtë librari – më shumë vite sesa duke rritur fëmijët e mi”, tha ajo. “Burri im, gjithashtu bashkëthemelues, ndihet sikur po e humb një fëmijë. Por a e keni parë se si është Londra këto ditë? Kjo është e tepërt.”

Sfida të ndryshme ekonomike, disa të nxitura BREX-it dhe pasojat nga pandemia e koronavirusit, së bashku me kostot e larta të transportit, rritjen e çmimeve të librave dhe taksat zhvatëse, e kanë vështirësuar shumë funksionimin e këtij dyqani.

“Kam lexuar diku se dy të tretat e banorëve të Mbretërisë së Bashkuar po i reduktojnë gjërat jo shumë me rëndësi dhe, janë librat dhe kinemaja që llogariten si jo fort me rëndësi,” tha ajo.

“Sendet rekreative tani janë në dispozicion nga komoditeti i shtëpisë, qoftë blerja e një libri të dixhitalizuar apo marrja me qira e një filmi.”Gaspard, së bashku me bashkëshortin e saj Andre dhe shoqen e tyre të ndjerë Mai Ghoussoub jetonin në Paris gjatë fundit të viteve 70, pasi kishin ikur nga Libani për shkak të luftës civile.

Së bashku, ata vendosën ta hapnin librarinë pasi Ghoussoub vuri re mungesën e një hapësire fizike kulturore arabe në Londër.

Emri Saqi dhe logoja e tij rrjedhin nga një pikturë e një artisti me ndikim irakian, Jawad Salim, i quajtur Shitësi i ujit.“Na pëlqeu sepse e pamë si një metaforë për kulturën e ujitjes ose një shitës kulture,” tha Gaspard.

Libraria filloi me kapacitet të vogël, duke blerë aksione nga botuesit në Liban dhe Egjipt.

Raftet më vonë u rritën duke përfshirë libra në anglisht, për ta kënaqur kureshtjen në rritje të perëndimorëve për të mësuar rreth arabëve kulturalisht, diçka që u kufizua nga portretizimi i botës arabe nga mediat kryesore.

Kohët e fundit, në korrik të vitit 2021, bodrumi i librarisë u përmbys duke shkatërruar qindra libra.

Xhamat e vitrinës janë thyer gjithashtu disa herë, si gjatë aferës Salman Rushdie Satanic Verses në fund të viteve ’80. Shpëtimi i trashëgimisë së kulturës SaqiMe kalimin e viteve, libraria ‘Al-Saqi Books’ tërhoqi pjesën e tij të drejtë të të famshmëve. Poeti sirian Adonis dhe feministja e ndjerë egjiptiane Nawal el-Saadawi nuk ishin të huaj për librarinë.

Ahmed Zaki Yamani, ish-ministri saudit i naftës dhe Suheil Bushrui, profesori i ndjerë palestinez dhe studiuesi i shquar i veprave të shkrimtarit libanez Gibran Khalil Gibran, ishin gjithashtu vizitorë të shpeshtë.

“Vite më parë, yjet e muzikës dhe filmit, Chris Martin nga Coldplay dhe Gwyneth Paltrow erdhën këtu për të kërkuar një kopje të “Një mijë e një net” për fëmijët e tyre,” thotë Gaspard.

Pavarësisht përfundimit të një epoke për librarinë, dy shtëpitë botuese të Al-Saqit në anglisht dhe arabisht me të njëjtin emër do të vazhdojnë të funksionojnë respektivisht në Londër dhe Bejrut.

Almanart